Studentja më e mirë shqiptare fiton bursë të plotë në universitetin më të mirë në botë

Fjona Parllaku u shpall maturantja më mirë e vitit 2016. Një vit më parë, ajo rezultoi fituese në të dhjeta preferencat e saj për të vazhduar studimet e larta.

Për një vit ajo zgjodhi të studionte në një universitet privat në Tiranë në Programin e Inxhinierisë Elektronike dhe Komunikimit Dixhital, edhe këtu me bursë të plotë.

Ndërkohë, dëshira e saj ishte të studionte jashtë vendit, mundësisht në një universitet prestigjioz. Fjona zgjodhi të aplikonte në universitetin më të mirë në botë, “Massachusetts Institute of Technology” të cilin e ëndërrojnë miliona student të rinj amerikanë dhe nga i gjithë globi.

Në përfundim të vitit shkollor, në fillimet muajit Maj të këtij viti, 19-vjeçares i vjen lajmi që do e bënte më krah në ato momente. Parllaku ishte pranuar në një nga universitetet më të mira në botë-MIT.

Vajza që kishte fituar me dhjetëra olimpiada matematike, brenda dhe jashtë vendit, u shpërblye me këtë mundësi, që e konsideron të rëndësishme për të ardhmen e saj.

Gjatë viteve të shkollës në Shqipëri ka marr vetëm dhjeta. Nuk e dimë se çfarë rezultatesh do të ketë në Massachusetts, por kështu si e ka nisur, zor të zbres nga froni!

Ajo këtë vit është një ndër 24 studentet që janë pranuar me bursë të plotë në MIT nga e gjithë bota.

Në datën 6 shtator Fjona ka filluar zyrtarisht shkollën dhe në këto ditë të parë është shumë e zënë. Për të sjell shembullin e një studenteje të talentuar dhe me vullnet, ne folëm me 19 vjeçaren, e cila në këtë bisedë për Dita-n na ka treguar për ditët e para në SHBA dhe për ambiciet që ka në rrugën e dijes.

Është vajza e një inxhinieri dhe e një pedagogeje gjuhësie. Prindërit kanë shërbyer si motivim në rrugën drejt dijes. “U jam më tepër se mirënjohëse prindërve të mi që kanë qenë një model perfekt për t’u ndjekur dhe që më kanë qëndruar pranë gjatë hapave më të rëndësishëm të formimit tim intelektual”-tregon studentja e MIT.

Massachusetts Institute of Technology

Fjona nuk i ka lënë punët për në momentin e fundit. Gjatë viteve të shkollës ajo ka gërmuar në heshtje duke zbuluar universitetet më të mira në botë. Duke qenë më e mira nuk kishte pse t’i privonte vetes një mundësi për të bërë pjesë në një nga institucionet më të rëndësishme të dijes.

“Pjesëmarrja në olimpiada të përvitshme kombëtare e sidomos ndërkombëtare më ka mundësuar njohjen me më të mirët nga vende të ndryshme të botës. Në ditët pas kompeticioneve, gjatë aktiviteteve e shëtitjeve që bënim në grup, diskutonim shpesh edhe për mundësitë për ndjekjen e studimeve jashtë vendit. Dhe, për disa vjet rresht që u bëra pjesë e këtyre diskutimeve, dëgjoja që MIT ishte universiteti më i lakuar e më i lakmuar nga të gjithë ata që, si unë, adhuronin shkencat e natyrës. Këto diskutime shërbyen si nxitje dhe më shtuan dëshirën të provoja fatin tim për të qenë mes më të mirëve në këtë universitet”- shprehet 19 vjeçarja për Dita-n.

Pavarësisht se kishte filluar vitin e parë për Inxhinieri Elektronik ajo, po në heshtje, pa shumë bujë, aplikon në universitetin ku gjendet sot.

“Aplikimin e fillova ndërkohë që vijoja studimet e larta në universitetin Epoka në Shqipëri, në degën e Inxhinierisë Elektronike dhe Komunikimit Dixhital. Të them të drejtën u ndjeva e përkëdhelur nga fati, kur, një ditë të bukur të fillimit të Majit (ndërkohë që isha në prag të provimeve përfundimtare tek universiteti ku studioja) mora lajmin më të bukur e më të shumëpritur që çdo moshatar i imi ëndërron të marrë, që isha pranuar pikërisht në universitetin më të mirë në botë – MIT”.

Parllaku ka shkuar në SHBA në 19 gusht, ndërsa shkolla ka filluar në 6 shtator. Gjatë këtyre ditëve, gjendet ende nën ethet dhe emocionet që të jepi gjithmonë një vend i ri, njerëz të rinj dhe sfida të reja. Pavarësisht kohës së shkurtër ajo ka kuptuar se ndodhet në një vend mundësish, të cilat premton se do i shfrytëzoj sa të mundet.

“Tani që jam pjesë e këtij universiteti, arrij t’u jap të drejtë të gjithë atyre që aspirojnë të jenë studentë këtu. Dhe kjo, jo vetëm për mundësitë e panumërta që ofron në lidhje me angazhimin në veprimtari të ndryshme argëtuese jashtë orëve të mësimit, por sidomos për metodat bashkëkohore të mësimdhënies, për lirshmërinë dhe motivimin që ke duke ndjekur leksionet, por edhe për mënyrën sistematike të kontrollit të njohurive që të lehtësojnë përgatitjen për provimet përfundimtare dhe për vlerësimin motivues që të nxit të jesh gjithnjë i përgatitur. Sigurisht, përshtatja me këtë lloj ngarkese kërkon pak më tepër kohë, pak më shumë vullnet për të mos u dorëzuar si edhe një mënyrë të veçantë të organizimit të kohës.

Ajo nuk ka humbur asgjë nga 1 vite studime në Shqipëri.

“Duke m’u dhënë mundësia të transferoj kreditet e fituara në universitetin që ndiqja në Shqipëri nga dega për të cilën studioja, tani jam studente në degën Inxhinieri Elektrike dhe Shkenca Kompjuterike, që është edhe më e gjerë dhe ofron mundësi më të shumta, jo vetëm për studime të mëtejshme dhe kualifikime më të larta, por edhe shërben si një investim i mirë për punësim në të ardhmen”.

Pse një inxhiniere?

Që e vogël kam qenë e apasionuar pas teknologjisë dhe lojërave elektronike. Me kalimin e viteve kurioziteti për të kuptuar më me hollësi si funksionojnë pajisje të ndryshme elektronike apo shpikje nga më të fundit rritej çdo ditë e më shumë.

Unë jam rritur me matematikën dhe fizikën, ato janë pasioni im. Lidhja ime shkencat ekzakte ndoshta më lidhi me Elektronikën më shumë sesa me fusha të tjera. Elektronika është e sotmja dhe e ardhmja.

Tregu premtues që ofron profesioni i inxhinierit elektronik, që në këtë degë është i ndërthurur edhe me mundësinë e aplikimit të teknologjive moderne, komunikimit dhe sisteme të tjera teknike që transferojnë informacione, ishin faktorë të tjerë që më shtynë të bëja këtë zgjedhje.

Krahas talentit dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të arritur rezultate sa më të larta përgjatë gjithë viteve të studimit, ka qenë puna e vazhdueshme dhe sistematike ajo që e ka kurorëzuar me sukses çdonjërin prej viteve, që nga shkolla 9-vjeçare e deri në vitin e fundit të gjimnazit.

Në Shqipëri ka me qindra maturantë dhe studentë të shkëlqyer, që bëjnë sakrifica maksimale për të arritur më të mirën, për të patur një formim sa më cilësor, secili prej tyre mund të ishte në vendin tim.

-Një gjë të tillë e ke të trashëguar nga familja. Sa kanë ndikuar ata në motivimin tënd dhe në dëshirën për ta dashur shkollën?

Në të vërtetë u jam më tepër se mirënjohëse prindërve të mi që kanë qenë një model perfekt për t’u ndjekur dhe që më kanë qëndruar pranë gjatë hapave më të rëndësishëm të formimit tim intelektual.

Por, për sa i përket zgjedhjes së degës, ata thjesht më kanë dhënë këshilla me shumë vlerë, duke u përpjekur të mos më imponojnë në asnjë formë mendimin e tyre.

-A e konsideron veten një gjeni? Duke marrë parasysh që në 13 vite shkollë keni marrë vetëm notën 10-të…

Nuk do ta quaja. Synimet e mia për të qenë sa më e suksesshme kanë qenë të qarta që në moshë të vogël. Gjithmonë jam përpjekur të mësoj shumë për të marrë maksimumin në një lëndë, në një provim apo në një projekt apo të arrija një nga vendet e para në një konkurs. Megjithatë, nuk mendoj që këto janë të mjaftueshme për ta quajtur veten gjeni. Që kur kam qenë e vogël kam patur dëshirë për të qenë një hap përpara programeve mësimore, sidomos në lëndën e matematikës. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse, me kalimin e kohës u bëra edhe pjesëmarrëse e olimpiadave në lëndë të ndryshme si matematikë, fizikë etj.

Mendoj se është puna sistematike burimi i të gjitha dhjetave gjatë këtyre viteve. Duhet ta theksoj, gjithashtu, që asnjëherë nuk duhet të kënaqemi me aq sa arrijmë. Është e rëndësishme që mos të rreshtim së kërkuari nga vetja, duke dalë ndonjëherë edhe përtej kufijve që mendojmë se jemi të aftë të arrijmë.

/GazetaDita/

SHKARKO APP