Studimi: Moshat nën 65 vjeç nuk janë të rrezikuar nga riinfektimi me Covid brenda 6 muajve
Të infektohesh më shumë se njëherë me Covid 19 është diçka e rrallë, brenda gjashtë muajsh nga infektimi i parë, por është më e zakonshme për ata që janë mbi 65 vjeç. Kështu thuhet në një studim të ri të publikuar në revistën më të rëndësishme mjekësore, The Lancet.
Njerëzit mbi 65 vjeç janë më të rrezikuar për t’u riinfektuar me Covid 19, me 47% të mbrojtjes kundër infektimeve të përsëritura në krahasim me 80 për qind që është tek të rinjtë.
Vetëm 0.65% e pacientëve rezultojnë pozitivë dy herë, në krahasim me 3.27% të atyre që rezultojnë pozitivë pas një tamponi të parë negativ. Mbrojtja kundër riinfektimit qëndron për më shumë se gjashtë muaj. Bëhet fjalë për vlerësimin e parë në shkallë të gjerë të riinfektimeve me koronavirus.
Kërkimet janë kryer në Danimarkë gjatë valës së parë dhe të dytë në vitin 2020, duke u mbështetur tek të dhënat kombëtare të testeve – 4 milion persona dhe 10.6 milion tamponë të kryer.
Për shkak të kohës kur është kryer studimi, përqendrimi ishte në virusin origjinal të Covid pa përfshirë variantet. Aktualisht duhen bërë studime të tjera për të vlerësuar se si imuniteti kundër riinfektimit mund të ndryshojë, sipas varianteve të ndryshme të Covid 19.
Rezultatet tregojnë se sa i rëndësishëm është aktualizimi i politikave për mbrojtjen e të moshuarve gjatë pandemisë. Studimi thekson se si të gjithë ata që janë infektuar me covid, sidomos të moshuarit, gjithsesi duhet të vaksinohen.