Tallashi i Rilindjes

Nga Gentian Çala –

Që gjithkush ka të drejtë të ëndërrojë është diçka e ditur, por të kërkosh që ato të bëhen realitet është diçka tjetër, pasi duhet punuar fort se disa prej tyre mund të jenë mjaft sfiduese. Por, të ëndërrosh që të kesh diçka që nuk e meriton dhe të bësh çdo lloj marifeti për ta mbajtur pushtetin quhet pengmarrje. Rilindja e bërë tallash e pluhur nga grykësia, intrigat dhe paaftësia, po ëndërron apo po synon një mandat të tretë qeverisës. Me një bilanc negativ qeverisës, me rënie në indikatorët e demokracisë dhe të lirive, me shumicën e shqiptarëve kundër, rilindasit rrotull Ramës po shohin ëndrra që as vetë nuk i besojnë.

Të dënuar të besojnë gjithçka thotë lideri i tyre, pa integritet, të baltosur nga korrupsioni dhe me frikën e asaj që i pret nga humbja e pushtetit, duket se rilindasit nuk reflektojnë dot, madje ecin mbi gjurmët e gabimeve të tyre, por jo si një formacion i organizuar, por si grimcat e tallashit nga era që i shtyn në një drejtim. Të mbetur vetëm, me një tufë drejtuesish institucionesh dhe pjesëtarësh administrate militante, as gishtat për like dhe share nuk ju punojnë më. Aktori i tyre kryesor, Rama, nuk shkëlqen më askund, as në daljet publike dhe as rrjetet sociale. I ka mbetur vetëm një arnë: frikësimi se do të humbni këtë apo atë priviligj, pozicion apo ofiq.

Disa nga Ministrat e Ramës në biseda informale, mes miqsh të tyre, e pranojnë humbjen në zgjedhjet e ardhshme. Ata që kanë përvojë dhe e kuptojnë situatën e dinë mirë fatin e Rilindjes në 25 Prill, por kjo nuk mund të flitet hapur dhe aq më pak në sy të Shefit. Kurse Shefit i ka mbetur për hise të gjejë marifetin e radhës: hiq koalicionet dhe ti fiton i thotë vetes Ai. Po me tallashin?!…Atëhere mendon se rikthimi te ekipi fillestar mund të jetë zgjidhja, kështu që vret mendjen ditë e natë se si ti këmbejë karriget. Po me popullin?!…Këtu i duket se e ka ilaçin: bli sa më shumë. Ata që e kuptojnë situatën nuk i përgjigjen dhe qepin xhepat. E si mund të harxhojnë para për të humbur zgjedhjet?!

Hall i madh, kur s’të ecin as marifetet, as ndryshimet e ligjeve dhe as intrigat. Humbja duket e sigurtë, kurse përpëlitja e atyre që nuk e pranojnë shtohet. Marrëzia nuk e pranon asgjë, kurse urtësia mund të zgjidhte shumë gjëra. E pra, miq, tallashi i Rilindjes e do një stuhi për tu shpërndarë pa nam e pa nishan. Ata socialistë të ndershëm që besojnë te social-demokracia mund të çlirohen dhe të riorganizohen sërisht nesër. Kurse vendi dhe njerëzit e tij fitojnë shumë, se ëndrra e tyre për një Shqipëri më të mirë mund të marrë frymë lirisht, kur tallashin ta ketë marrë stuhia e rotacionit politik.

SHKARKO APP