Te sjellja e Arta Vorpsit qëndron një gjë e madhe
Nga Fitim Zekthi
Kur u pyet se çfarë do të kemi, një monarki apo një republikë, nga një zonjë teksa dilte nga Independence Hall, ku u mbajt Konventa Kushtetuese dhe u miratua Kushtetuta e SHBA-së në vitin 1787, Benjamin Franklin u përgjigj: një republikë në qoftë se ju do ta ruani atë. Në fakt, Kushtetuta e SHBA-së krijoi një republikë përfaqësuese dhe jo një demokraci në kuptimin e drejtë të fjalës. Këto parime të Kushtetutës së SHBA-së i ndoqën dhe i trupëzuan në Kushtetutat e tyre të gjitha vendet që synuan të shmangin tiranitë, të garantojnë liritë njerëzore dhe të ndërtojnë shoqëri të zhvilluara. Vetë SHBA sot dhe bota perëndimore është produkt i këtyre parimeve.
Për natyrën e kësaj republike dhe të parimeve të saj është shkruar pafund nga konstitucionalistë dhe politologë, për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme që ka kuptimi dhe vënia në jetë e këtyre parimeve. Në mes të shtatorit të këtij viti, gjyqtari i Gjykatës Supreme, Neil Gorsuch, botoi librin “Një republikë në qoftë se ju mund ta ruani të”, në të cilin, siç kanë bërë kohët e shkuara Robert Bork, Byron White, Oliver Wendell Holmes, Antonin Scalia, Clarence Thomas etj., etj., shpjegon pikërisht këto parime, leximin e Kushtetutës në frymën dhe qëllimin me të cilin e mbushën atë etërit themelues.
Të gjitha punimet e autorëve të kësaj ane të kuptimit të Kushtetutës dhe parimeve të saj thonë se gjithë thelbi qëndron te kufizimi i pushtetit të qeverisë dhe te gjetja e mënyrave për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e njerëzve.
Qeveria për nga natyra e saj kujdeset për të mirën e përgjithshme, për të mirën e sa më shumë njerëzve dhe nuk ka në fokus të sajin të drejtat apo liritë e individëve. Në qoftë se do të kemi një demokraci të pastër, thotë Robert Bork, atëherë ajo do të kishte formën në të cilën ligjet bëhen direkt nga shumica e njerëzve dhe kjo shumicë ka pushtet të pakufizuar; ndërsa në një republikë, ligjet bëhen nga përfaqësuesit e zgjedhur brenda kufijve të shkruar në Kushtetutë, e cila ka për detyrë të mbrojë dhe garantojë individët dhe pakicat.
Kështu, gjykatat, ndryshe nga qeveria, nuk kanë asfare në fokus të mirën e përgjithshme apo të mirën e sa më shumë njerëzve, por të drejtën e individit. Një gjykatë, me përkufizim, është në njëfarë mënyre një entitet kundër qeverisë. Në mënyrë që të kufizohet dhe pushteti i qeverisë të jetë objekt kontrolli, edhe vendimet e saj janë të rrëzueshme nga gjykata.
Që prej vitit 1800, kur në Gjykatën Supreme të SHBA-së u shqyrtua çështja Marbury vs Madison, bota ka fituar një parim themelor kushtetues (që është nën frymën e asaj që tha Franklin): atë të rrëzimit të ligjeve të Parlamentit apo të vendimeve të qeverisë nga Gjykata Kushtetuese. Tradita e Anglisë e njihte këtë parim shumë më shpejt, i cili herë pas here ishte shfaqur në marrëdhëniet mes mbretit dhe parlamentit, por në mënyrë përfundimtare ky proces u sanksionua nga Gjykata Supreme e SHBA-së. Sot në të gjithë botën Gjykatat Kushtetuese e kanë detyrë të tyre këtë kontroll.
Në qoftë se një vend do të ishte demokraci në kuptimin e pastër të fjalës, ai do të binte në tirani shumë shpejt. Por edhe në qoftë se një vend do të ishte republikë, por shumica qeverisëse nuk do t’i zbatonte këto parime themelore, atëherë paralajmërimi i Benjamin Franklin për shkatërrimin e republikës do të bëhej realitet. Presidenti John Adams (edhe ky një nga etërit themelues) ka shkruar se “nuk ekziston asnjë demokraci që të mos ketë shkaktuar vetëvrasje”, prandaj na duhet një republikë me pushtetet të ndara dhe të kontrolluara. Në letrën e federalistit numër 10, James Madison, ka shkruar se “në përgjithësi, demokracitë e kanë jetën të shkurtër dhe vdekjen të dhunshme”.
Kushtetuta e SHBA-së dhe gati të gjitha kushtetutat e vendeve jodiktatoriale krijojnë një zonë të ndërmjetme sfungjeri mes pasioneve popullore dhe bërjes së ligjeve apo marrjes së vendimeve nga qeveria në mënyrë që vendimet të mos merren në zjarrin e çastit, por të ketë një moment ftohjeje dhe politikanët të marrin edhe vendime, që nuk u pëlqejnë atyre vetë dhe zgjedhësve të tyre.
Mbi të njëjtat parime është ndërtuar edhe Kushtetuta jonë. Edhe Kushtetuta jonë synon të ruajë republikën, të mos lejojë që vendi të bjerë në tirani, të mos lejojë që shumica qeverisëse të sundojë, që qeveria të jetë e kontrolluar, që gjykatat, pa dyshim edhe ajo kushtetuese, të kenë synim të ndalin dëshirën e qeverisë për të mirën kolektive dhe të mbrojnë të drejtën e individëve etj.
Këto ditë, në Shqipëri ka shpërthyer një debat mjaft i ashpër për anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Nisur nga parimet e përmendura më sipër, edhe sikur qeveria shqiptare të ishte zgjedhur në mënyrë të ndershme, edhe sikur Parlamenti shqiptar të ishte përfaqësues legjitim i votuesve, edhe sikur Edi Rama të ishte një demokrat i madh, ai do të shkaktonte “vetëvrasjen e demokracisë”, “vdekjen e dhunshme të saj”. Ky Parlament është zgjedhur, pa e zgjatur këtë argument, siç u tregua nga përgjimet e gazetës “Bild”, me blerje votash nga qeveria dhe krimi. Në këtë Parlament, dihet, Rama ka futur njerëz që vijnë nga bota e krimit dhe e trafikut etj. Në këto kushte, ajo që është e rrezikshme për një demokraci, është tmerrësisht e rrezikshme për një regjim si ky i yni. Në këto kushte, nevoja që qeveria të jetë e kufizuar, që qeveria të detyrohet të respektojë parimet kushtetuese është dëshpëruese.
Kushtetuta jonë, duke dashur të mos lejojë një qeveri të pakontrolluar të bëhet tiranike, i ka dhënë të drejtën Presidentit që të emërojë tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, i ka dhënë Parlamentit të drejtën që të zgjedhë tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe i ka dhënë Gjykatës së Lartë të drejtë të zgjedhë tre anëtarë të tjerë.
Kushtetuta jonë thotë në nenin 125: “1. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit.
2. Kuvendi zgjedh gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese me jo më pak se tri të pestat e të gjithë anëtarëve të tij. Nëse Kuvendi nuk e zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë shpallet i emëruar”.
Pra, Presidentit i dërgohet një listë dhe nga tre anëtarët e parë të saj, ai emëron atë që do. Kushtetuta nuk përcakton asnjë afat për Presidentin. Kushtetuta përcakton afat për Parlamentin 1 muaj. Kushtetuta thotë se Presidenti emëron, ndërsa Parlamenti dhe Gjykata e Lartë zgjedhin. Ka rëndësi dramatike kuptimi i fjalëve emëroj dhe zgjedh dhe arsyeja se pse ligjvënësi përdor këto fjalë. Pjesa kryesore e mundësisë për balancë dhe kontroll pushtetesh, tërë thelbi i garantimit të kufizimit të pushtetit të qeverisë gjendet tek afati që ajo ka dhe te fakti që Parlamenti zgjedh, nuk emëron.
E drejta për të emëruar e Presidentit është një tagër absolut i tij dhe kushdo në vend duhet të bëjë çmos që Presidenti ta ushtrojë këtë tagër, ta ketë këtë të drejtë. Kjo e drejtë nuk mund të pengohet për asnjë arsye (vetëm kur vetë Presidenti nuk dëshiron të emërojë askënd dhe e shpreh këtë mosdëshirë).
Ndërsa kuvendi zgjedh. Kuvendi do të votojë me shumicë të cilësuar prej 60%. Jo domosdoshmërisht ai ka tagër absolut të caktojë një gjyqtar. Ai mund të mos ketë mundësi të prodhojë një konsensus prej 84 votash. Edhe Gjykata e Lartë zgjedh. Edhe ajo nuk ka tagër absolut të caktojë një gjyqtar. Edhe ajo mund të mos prodhojë një shumicë të thjeshtë për një emër, në një kohë që i duhet një kuorum prej 75% për të zhvilluar votimin.
Çfarë ka ndodhur te ne. Në mënyrë të turpshme dhe kundër Kushtetutës, jo vetëm që nuk u bë gjithçka që Presidenti të emërojë, por u bë gjithçka që ai të mos emërojë. Atij iu caktua afat 1-mujor dhe kur kaloi ky muaj, Parlamenti tha se Arta Vorpsi, që ishte renditur e para, bëhej automatikisht gjyqtare. Arta Vorpsi vetë, po në mënyrë të turpshme, e pranoi këtë gjë dhe madje bëri një gjest idiot të certifikimit të betimit në noteri. Me këtë ajo tregoi se nuk duhet të jetë gjyqtare as në Shkallë të Parë.
KED-i dhe shumica qeverisëse me anë të Parlamentit përdorën diçka, që e thotë ligji për Gjykatën Kushtetuese në lidhje me afatet e Presidentit. Në të vërtetë, ligji për Gjykatën Kushtetuese thotë se Presidenti ka afat 1 muaj për të emëruar, siç ka afat 1 muaj edhe Parlamenti. Së pari, kjo dihet, Kushtetuta, duke mos i caktuar afat Presidentit dhe duke i caktuar afat Parlamentit, ka dashur të bëjë një dallim. Ajo mund të caktonte afat edhe për Presidentin, por nuk e ka bërë. Kushtetuta, siç bën dallim për afatin, bën dallim edhe përdorimin e fjalëve ‘emëroj’ dhe ‘zgjedh’. Pra, është e qartë se caktimi i afatit për Presidentin në ligj nuk ka asnjë fuqi dhe nuk mund të jetë mbi Kushtetutën.
Sa për një detaj, për konstitucionalistët mediokër të Parlamentit socialist, për vetë Arta Vorpsin, për Dvoranin, për Xhafajn etj., po themi se shumica e amendamenteve të Kushtetutës amerikane, rreth 15 prej tyre, janë miratuar pas luftës civile. Profesori i Princeton-it, Robert George, thotë se ato u bënë në mënyrë që të ngushtonin fuqinë apo të mos lejonin përdorimin e ligjeve, që gjendeshin në shtete të ndryshme të SHBAsë. Pra, qëllimi ishte që, duke miratuar klauzola kushtetuese, të shuheshin efektet e ligjeve që ishin në fuqi. Shumica e atyre ligjeve janë ende në fuqi dhe nuk përdoren dhe kur përdoren tek-tuk rrëzohen nga Gjykata Supreme si antikushtetuese. Kaq gjë, Arta Vorpsi apo gjyqtaret Elona Toska dhe Fiona Papajorgji duhet ta dinë, pavarësisht mediokritetit bërtitës që shfaqën në seancën dëgjimore. Dvorani, Manja dhe Xhafaj, sigurisht që nuk mund t’ia kenë idenë kuptimit të amendamenteve dhe doktrinës pas tyre, të Kushtetutës së SHBA-së dhe as çfarë thonë konstitucionalistë të njohur atje.
Një turp tjetër dhe pa dyshim thyerje e parimeve themelore të “republikës që duhet ruajtur” është edhe mosrespektimi i radhës së emërimit të gjyqtarëve. Në ligjin për Gjykatën Kushtetuese thuhet se caktimi i gjyqtarëve bëhet me radhë. Presidenti zgjedh një, Parlamenti zgjedh një dhe Gjykata e Lartë zgjedh një. Më pas vijon sërish po kjo radhë. Radha është gjithashtu një zonë sfungjerike e vendosur për të qetësuar pasionet e qeverisë, për të mos e lejuar qeverinë që të vendosë sipas pasioneve të saj për të mos u kontrolluar dhe për të marrë nën kontroll Gjykatën.
Radha është mekanizëm kundër qeverisë në mënyrë që të “ruhet republika”, radha është mekanizëm kundër qeverisë, e cila për natyrë “kërkon të mirën kolektive” kundër Gjykatës që “kërkon të mbrojë individët dhe të drejtat e tyre”. Radha është e rëndësishme, siç u tha më lart, edhe sikur Rama të jetë demokrat dhe sikur Parlamenti të jetë zgjedhur në mënyrë të ndershme. Imagjinoni çfarë rëndësie ka radha në kushtet e sotme. Imagjinoni çfarë rëndësie ka radha kur ajo u përdor që Presidenti të mos emërojë një gjyqtar.
Në qoftë se qeveria, kryeministri Rama do të bëjnë gjithçka që Arta Vorpsi të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, duke mos e respektuar dekretin e Presidentit për Marsida Xhaferllarin, atëherë jemi në kushtet e asaj që thotë Xheferson në letrën 21 të federalistit: “Kura natyrale për një qeverisje të sëmurë është ndryshimi i njerëzve”. Për këtë shkohet në zgjedhje menjëherë, thotë Xheferson. Te zbythja e Ramës dhe zbythja e Vorpsit qëndron një gjë shumë e madhe.
Të paktën, këtë gjë duhet ta lexojë kështu Leyla Moses Ones dhe gjithë miqtë e Shqipërisë në ambasadën amerikane dhe në administratën amerikane. Është e vështirë t’ua kërkosh zyrtarëve si Soreca apo Borschardt ta lexojnë këtë situatë kështu. Ata e kanë treguar se as i kanë shqetësime të tilla dhe në fakt, ata nuk përfaqësojnë ndonjë që mbron këto vlera apo parime kushtetuese, ndërsa SHBA dhe zyrtarët e saj këtu përfaqësojnë pikërisht këto vlera, vlerat e mbrojtura nga Franklin, Xheferson, Gorsuch, Bork, Scalia, Adams, White, George etj.