Teatri është ‘gjesti brutal i Piktorit’. A do të përgjigjet Basha vetëm me gjeste?

Nga Alfred Lela –

Asokohe deputet, Agron Shehaj i Partisë Demokratike qe shprehur publikisht se artistët dhe mbrojtësit e Teatrit duhet të ngujohen brenda godinës për të mos e lejuar shembjen. “Unë do të jem i pari që do të ngujohem me ju”, premtoi Shehaj në sheshin në brinjë të TK. Tani është koha që ish-deputeti dhe kolegët e tij demokatë të sforcojnë muskujt e përgatitur për një gusht buzë detrave, me planin e rikthimit në shtator, të shkrydhur e të gatshëm për një betejë të re.

Edhe pse Shehaj ka qenë i vetmi në këtë përbetim, ai nuk është deputeti i vetëm që e ka vizituar protestën teatrore. Edhe Jorida Tabaku, Albana Vokshi, e të tjerë kanë qenë të rregullt në përkrahjen, sa publike dhe personale për një aferë publike kundër një afere korruptive, siç e beson opozita se është ‘procesi’ i shembjes së Teatrit.

Shehajn e dallon një përbetim tjetër ‘i pafat’. Ai ishte ‘trimi’ i vetëm opozitar që shkoi në Kukës për t’iu bashkuar demarshit të fundit të protestës për Rrugën e Kombit. Pasi Edi Rama ishte trembur dhe tërhequr, pasi një pjesë e protestuesve ishin arrestuar dhe përndjekur, pasi kishte rrjedhur ca kohë, një deputet i Vlorës niset për të mbrojtur një kauzë të Kukësit. Aty gjeti, me dëshmi të pahijshme kjo, drejtues të PD-së lokale që më shumë mendonin tërheqjen se mësymjen.

Shehaj, si përherë, niset sinqerisht. Por jo nisjet, por rruga kanë rëndësi për sytë e publikut. Ai nuk mund të duket si një imposter. Dikush që i lejon PD të simulojë praninë në një kauzë. Ky do të ishte sinjali fatalisht i gabuar që lidershipi opozitar do t’u jepte, edhe njëherë, demokratëve të thjeshtë po se po, por edhe të tjerëve, të paangazhuarve që, edhe pse nuk marrin pjesë në procese, sërish mund të arrijnë në përfundime rreth tyre.

Opozitës po i hedh Rama, mu te këmbët, një kauzë që mund ta përvetësojë. Të cilën nuk mund dhe nuk duhet ta lëshojë. Nëse nuk është gati, më mirë të mos e kapë fare ‘kockën’ e kësaj beteje. Jo më i lejohen lidershipit opozitar shenjat e dyfishta, që tregojnë pavendosmëri, luhatje, përtesë etj. Kjo do të ishte vrastare, edhe për faktin se do bymente një fabul vrimës së të cilës i bihet shumë nga pala tjetër dhe media afër saj: edhe këta që duan të vijnë nuk janë më të mirë se këta që duan të rrëzojnë.

Ditë brutale ndodhen përpara opozitës. Temperaturat janë në pik. Provokimet e Ramës aspak më poshtë. Të ngujohesh në Teatër në 40 gradë, pa ajër, pa dritë dhe me kërcënimin e Policisë dhe fadromave është një akt që shkon përtej fjalës. Agron Shehaj e ka dhënë fjalën, të cilën paradoksalisht, duhet ta mbajë Basha.

Nëse nuk do të rezistojnë të mos kacagjelohen kotnasikoti.

Politiko.al

SHKARKO APP