Teatri Kombëtar, udhëtimi i Ramës për në ‘Polin e Veriut’

Nga Fitim Zekthi –

August Andre, një inxhinier suedez, kishte kohë që ishte fiksuar të ishte personi i parë që do të shkonte në Polin E Veriut. Ai merrej me shitjet dhe ishte ekspert i shitjeve në zyrën që punonte dhe nuk kishte ndonjë dije dhe aftësi të madhe mbi udhëtimet në vende të tilla si Poli i Veriut, dhe as mbi mundësitë që ekzistonin në atë kohë që një ekspeditë të dilte me sukses. Ishte vetëm fiksimi i tij për të qenë i pari që do ta bënte. Ai e kishte bindur publikun që do ta kryente këtë udhëtim kollaj dhe të gjithë do të bindeshin kur të kthehej triumfator.

Në vitin 1897, Andre, u nis së bashku me dy të tjerë me balonën me hidrogjen, ‘Eagle’, për në Polin e Veriut. Pas dy ditësh balona e tyre e tundur dhe shkundur  nga erërat ra në akull. Andre dhe dy pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit morën ç’të mundin, ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme. Ata ecën dhe u përpoqën mbi masën gjigande të akullit të mbërrinin në tokë. Pas gjashtë javësh tmerr u mbaroi gjithçka. U ushqyen me midhje apo me kallamarë, por edhe me një ari të bardhë që arritën ta vrasin me armë. Pas një tmerri gati tre mujor, vdiqën.

Kjo është një ngjarje që është përdorur nga psikologët dhe socilogët për të treguar se ka raste kur njerëzit janë aq të bindur se mund të bëjnë diçka, sa ata e humbin krejtësisht arsyen dhe shkojnë të sigurt drejt shkatërrimit. Kjo ndodh sidomos kur ata kanë vlerësim të lartë për veten, por kjo mund të ndodhë edhe kur ata duan me çdo kusht të shpëtojnë fytyrën. Ndodh që njeriu hyn në një rrugë ose gjendet në një situatë e cila e shtyn atë me forcë drejt veprimeve krejtësisht të arsyeshme. Vetë njeriu e di fundin e keq dhe të turpshëm të rrugës në të cilën hyn, por ai nuk ka mundësi të veprojë ndryshe.

Ditaret, e zbuluara më vonë, të August Andre tregonin se ai e kuptoi që nuk ishte i aftë dhe nuk kishte mjetet e duhura për ta kryer atë udhëtim në Polin e Veriut, por ai e kishte bindur opinionin publik se kishet aftësi ta bënte shumë kollaj këtë udhëtim.

Regjisori i famshëm Ruben Ostlund e ka marrë këtë ngjarje dhe e ka trajtur në mënyra të tjera për të treguar këtë anë vetëshkatërrimtare të njeriut kur ai hyn në një rrugë i shtyrë nga rrethana të tilla si ruajtja e profilit të “të fortit” e “triumfatorit”, e atij që ka “të drejtë”, e atij që nuk ka pengesë që e ndal. Gjithashtu është trajtuar, në mjaft raste, edhe lidhja e fortë që kanë rrethana të tilla si të mësipërmet me një gjendje fajësie apo krimi duke të shtyrë të bësh krime të tjera dhe duke vijuar më pas në këtë rrugë deri sa “të nisesh për në Polin e Veriut”.

Kjo është saktësiht ajo që po bën kryeministri shqiptar me vendimin për të prishur Teatrin Kombëtar dhe për t’i hapur rrugë aty ndërtimit të një kompleksi kullash dhe një godine të re Teatri nga një kompani që do të ndërtojë kullat.

Kryeministri është nisur si August Andre për në Polin e Veriut. Ai ka bindur opinionin se do t’ia dalë fare kollaj. Ai ka 21 vjet me këtë fiksim dhe, siç mendonte Andre, se do të ishte i pari që do të shkonte në Polin e Veriut, mendon se ai do të jetë i pari për ‘Teatrin Modern Kombëtar’. Këtë idenë e të qenit i pari Rama e ka obsesion në gjithçka. Ai për gjithçka thotë se ne “për herë të parë bëmë këtë e atë…”. (A nuk është vetë  Rilindja një çmenduri narcisiste?)

Kryemimnistri Rama, megjithatë, nuk duket i shtyrë vetëm nga ideja e të qenit i pari. Kryeministri ka edhe shumë rrethana të tjera që e detyrojnë atë të ruajë profilin e “të fortit”, të atij që “nuk mund ta pengojnë një pakicë”, të atij që “triumfon” etj. Në rastin e Ramës rrethanave të August Andre i shtohen edhe rrethana të tilla (të cilat nuk bëjnë asgjë vetëm se e bëjnë edhe më të pakthyeshme rrugën për në Polin e Veriut) si mbrojtja e projekteve të ndërtimit të kullave me PPP, mbajtja me ushqim nga e mira publike e një pjese të vogël të biznesit, që është gati pjesë e qeverisë dhe vendimarrjes, në mos vetë qeveria, ushtrimi i pushtetit duke mos pyetur për asnjë pushtet tjetër, mbrojtja e mënyrës së deritanishme të qeverisjes me PPP, me bashkëpunime me krimin, me futjen e tij në institucionet e drejtimit politik të vendit, me blerjen e zgjedhjeve etj.

Bota nuk ka njohur kurrë një rast ku policia rrethon një shesh publik, si ai para Teatrit, rrethon vetë Teatrin në të cilin kanë hyrë artisët dhe qytetarët për ta mbrojtur nga prishja dhe nuk lejon që tek ata të hyjë ujë, ilaçe apo duhan etj. Nu ka patur ndonjë vend në botë ku policia, qoftë kjo edhe në diktaturat komuniste apo fashiste, qoftë kjo në diktaturat ushtarake apo të drogës në vendet e Amerikës Latine të vihet kordon policie ndaj aktorëve për të mos i lejuar ata të hyjnë në Teatër. Sigurisht që nuk ka vend në botë që të përdoren forcat speciale dhe të hedhin spraj djegës te dera e Ministrisë së Brendshme dhe e Teatrit Kombëtar për të mos i lejuar artistët dhe qytetarët të protestojë te oborri i Teatrit. Dhe për çfarë? Sepse duan që godina të mos prishet.

Ka diçka shumë më tepër se sa një godinë në këtë çështje. Teatri Kombëtar do të jetë Poli i Veriut i kryeministrit. Në qoftë se Rama do t’i mbijetojë Teatrit Kombëtar, megjithatë ai është ‘rrugës për në Polin e Veriut’. Ai nuk ka më kthim. Nuk mundet, për fat të keq.

SHKARKO APP