“Tempulli i Bashkëpunimit”/ Projekt madhështor energjetik, pronë e 35 vendeve të fuqishme të botës

Fuqitë e mëdha botërore mund të mos bien dakord për hapa të vegjël kundër ndryshimeve klimatike, por ajo që po ndodh në Francën Jugore është një hap i madh besueshmërie e bashkëpunimi. Kompleksi ITER Tokamak në Provence që do të strehojë një reaktor të destinuar për të prodhuar sasi të pakufishme energjie të pastër, është simboli i këtij bashkëpunimi.

Reaktori Ndërkombëtar Eksperimental Termobërthamor, një reaktor në ndërtim e sipër në Francën e Jugut, është enigma më e madhe shkencore në botë dhe një nga enigmat më të mëdha tregtare të saj.

Në një kohë kur tarifat, ksenofobia dhe ligjet e pronësisë intelektuale po kufizojnë rrjedhën e mallrave, njerëzve dhe ideve ndërmjet kufijve shtetërorë, një rrjet prej 35 vendesh po kërkon të shfrytëzojë fuqinë që ka bashkimi. “Të gjithë e kanë kuptuar se nuk mund ta bëjnë atë vetëm,” thotë Bernard Bigot, personi përgjegjës në “mozaikun” ITER. “Është hera e parë në historinë njerëzore që vende të cilat përfaqësojnë më shumë se gjysmën e popullsisë së botës dhe 80 për qind të PBB-së saj, po punojnë bashkë për të arritur një qëllim të madh që është absolutisht i vështirë.”

Në ndryshim nga impiantet tradicionale bërthamore, të cilat prodhojnë fuqi energjetike duke ndarë atomet brenda reaktorëve, ITER synon të bëjë të kundërtën, të prodhojë energji duke bërë bashkë atomet, në 150 milion gradë Celsius, një temperaturë 10 herë më e nxehtë se dielli.

Reaktori, i quajtur tokmak, është bazuar mbi modelet e testuara për herë të parë në Bashkimin Sovjetik. Lazera dhe elektromagnetë të fuqishëm janë vendosur rreth një ene super të nxehtë, në formë cilindrike në të cilën mbahet plazma e mbinxehur.

Qëllimi është që procesi të bëhet sa më efikas që bashkimi i atomeve të jetë ekonomik dhe i sigurtë. Profesori Bigot, një doktor në kimi dhe fizikë që ka kaluar të gjithë shkallët e karrierës shkencore në Komisionin e Energjisë Atomike në Francë, përpara se të vinte në projektin ITER, tregon se deri në përfundim në reaktor do të jetë përdorur rreth 10 herë sa sasia e çelikut që u përdor për të ndërtuar Kullën Eifel.

Projekti, i cili u ideua që në vitet e bashkëpunimi i epokës së Luftës së Ftohtë midis qeverive të Mikhail Gorbachev dhe Ronald Reagan, u materializua me një traktat bashkëpunimi të nënshkruar në vitin 2006 ndërmjet Bashkimit Evropian, SHBA, Kinës, Indisë, Japonisë, Rusisë dhe Koresë së Jugut.

Marrëveshja garanton kalimin e lirë të materialeve të reaktorit dhe madje përcakton edhe të drejtën e pronësisë intelektuale midis 35 shtetëve që janë pale në projekt. (Zvicra është gjithashtu një anëtare pjesëmarrëse në ITER përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi me BE). Më shumë se 1 milion pajisje të prodhuara me standarde të larta janë duke mbërritur drejt kampusit të madh energjetik që ndodhet 44 milje në veri të Marsejës.

Anët e kodrës pranë u dësh të gërmoheshin për të krijuar hapësirën e nevojshme për të vendosur disa nga paisjet gjigande që do të transportohen për aty, përfshirë edhe spiralen e fushës poloidale Nr.6, një unazë magnetike që do të sillet nga Kina. Ndërtimi i reaktorit 22 miliardë dollarë është përfunduar në rreth 65 për qind të punimeve dhe do të jetë gati për të kryer testimin e parë në vitin 2025. “Ja kemi dalë të anashkalojmë shumë vështirësi”, thotë Bigot, duke theksuar se inxhinierët e tij nuk janë penguar as nga sanksionet perëndimore kundër Rusisë.

Kjo nuk do të thotë se gjithë punët po shkojnë vaj. Një Brexit pa marrëveshje të paktën mund të shkaktojë një ndërprerje të përkohëshme të pjesëmarrjes së Britanisë së Madhe në projekt, për shembull.

Por pjesëmarrja e Qendrës Culham nga Britania në projektin ITER ka ka qenë një burim i vlefshëm për njerëz dhe njohuri. ” Në Mbretërinë e Bashkuar ekziston një përvojë e gjatë në lidhje me bashkimin e atomeve, dhe ne mund të humbasim shërbime shumë të dobishme,” thotë Bigot, duke shtuar se do të varet nga anëtarët e tjerë që të vendosin me çfarë kostoje mund të lejohet Mbretëria e Bashkuar të ribashkohet në project, e ndarë nga BE.

Ka edhe projekte të tjera ku po bëhen gjithashtu përpjekje për të vërtetuar aftësinë e fuqisë së bashkimit, por në asnjërin prej tyre nuk po punohet me të njëjtën frymë bashkëpunimi si në këtë reaktor bërthamor.

Nëse ITER do të ketë sukses, ai do të jetë një model për fuqitë botërore për të zhvilluar reaktorë të tyre, dhe njerëzimi mund të ketë fuqi të pakufishme energjetike deri në mesin e shekullit. Projekti mund të bëhet një simbol i paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar – por edhe një mjet konkret për ta arritur atë.

Bloomberg Businessweek/SCAN Magazine

SHKARKO APP