Teuta Kasoruho: Disa njerëz tremben nga talentet, madje ju mbyllin dyert…

(Albina Gjergji)

Pas suksesit të dy librave të mëparshëm, rikthehet me botimin e saj të tretë Teuta Kasoruho.“Shërbëtori i zotërisë së pabesë”, kështu ka preferuar ta titullojë romanin e radhës autorja, një roman i cili në vetvete rrëfen sagën e një familjeje, duke përfshirë katër breza. “Shërbëtori i zotërisë së pabesë”, sipas autores e merr zanafillën tek personazhi kryesor i romanit, nga i cili nis gjithë strumbullari i rrëfimit në këtë libër; një tregtar, i cili me këmbënguljen dhe egon e tij arrin të krijojë një pasuri të konsiderueshme rreth viteve ‘30. Pastaj papritur vjen një kohë tjetër dhe një ditë kjo situatë i kthehet në të kundërt. Paraja, ose ndryshe “Zotëria i pabesë”, të cilit i është dedikuar i kushton shumë shtrenjtë, madje vetë jetën. Në të katër brezat në roman ka nga një histori njerëzore, nga një ngjarje madhore. Nëpërmjet këtij romani autorja fton lexuesin të bëhet pjesë e një tjetër të vërtete, e asaj të vërtetë shqiptare, që gjithmonë ka qenë aty, por e heshtur, e pashtjelluar më parë me kaq detaje. Një gjë është e sigurt. Lexuesi që do ta marrë në duar këtë libër nuk do ta lexojë dot pa u trazuar.

Në nëntor të 2014 keni hedhur në treg librin tuaj të tretë të titulluar, “Shërbëtori i ‘zotërisë’ së pabesë”. Si është pritur deri më tani Teuta, keni arritur të merrni një “fëdback” nga lexuesit?

Libri është pritur shumë mirë. Në të shumtën e rasteve kam ndjerë habi dhe kënaqësi në komentet e lexuesve. Komplimenti më i përgjithshëm ka qenë kur më kanë thënë se, në çastin që e kanë nisur leximin, nuk kanë mundur ta lënë dot përgjysmë në pritje të asaj që do të ndodhte në faqet në vijim. Nuk ka kompliment më të mire, sesa ky.

Mund të na thoni pse ky titull?

“Shërbëtori i zotërise së pabesë” e merr zanafillën tek personazhi kryesor i romanit, nga i cili nis gjithë strumbullari i rrëfimit në këtë libër. Ai është një tregtar që me këmbënguljen dhe egon e tij, arrin të krijojë një pasuri të konsiderueshme, diçka rreth viteve 1930. Pastaj papandehur vjen një kohë tjetër dhe një ditë kjo situatë i kthehet në të kundërt. Paraja, ose ndryshe “Zotëria i pabesë”, të cilit i është dedikuar i kushton shumë shtrenjtë, madje jetën e vet.

Referuar përmbledhjes se librit, në vetvete ai rrëfen një sagë familjare. Një familje shqiptare në katër breza. Si janë pasqyruar dhe si vijnë këto katër gjenerata në libër?

Në të katër brezat në roman ka nga një histori njerëzore, nga një ngjarje madhore. Aty pasqyrohet më së miri se çfarë ndodhi me ne shqiptarët këto katër gjeneratat e fundit. Ne përjetuam varfërinë dhe emigracionin. Vetminë e grave shqiptare që rriten fëmijët të vetme. Një nga personazhet e librit është një njeri i apasionuar pas artit dhe të bukurës. Ai kthehet nga emigrimi në Amerikë, sjell në fshatin e tij mes kureshtjes së gjithë bashkëfshatarëve, ndër të tjera, një piano dhe ndërton një shtëpi moderne me banjo “alla frënga”, barometër dhe gramafon. Pastaj erdhi lufta dhe, edhe ajo pak mirëqenie dhe kulturë që u soll në Shqipëri nga njerëzit e apasionuar dhe të mençur, u shkrumbua nga flakët e luftës. E sikur të mos mjaftonte kjo, pas kësaj erdhi komunizmi, i cili zhvlerësoi pronën private dhe i hoqi ajkës së shoqërisë shqiptare statusin social, ekonomik dhe kulturor që e kishin arritur vetë. Tashmë të gjithë janë të vetëdijshëm për dëmet që solli kjo e fundit. Gjatë kohës që shkruaja këtë libër më ka shijuar shumë, sidomos pjesa e vjetër e historisë. Kam bërë shumë hulumtime për ta dhënë atë kohë me detaje dhe me atmosferën e duhur. Ka shumë kuriozitete në të dhe jam e sigurt që edhe lexuesit do t’i pëlqejnë shumë.

Në katër breza ju thoni që rrëfehet historia e pasurisë së kësaj familjeje që nis me mister. Por si përfundon?

Paraja dhe pasuria e kanë misterin gjithmonë brenda vetes. Gjatë gjithë librit kërkohet një thesar. Supozohet që stërgjyshi i familjes, domethënë tregtari nga i cili fillon gjithë rrëfimi, diku e ka fshehur pasurinë e tij në menyrë që t’i shpëtonte konfiskimit të shtetit të ri shqiptar të pasluftës. Pasardhësit e tij në kërkim të kësaj pasurie, kalojnë aventura që nuk do t’u kishin shkuar kurrë nëpër mend se do t’i kalonin, kryejnë mashtrime të reja, intriga të reja e vazhdojnë kështu “traditën”, duke u shndërruar padashje edhe ata vetë në “shërbëtorë të zotërisë së pabesë“.

Sa intriga ka në këtë libër? Po brenda familjes?

Aty ku është paraja është gjithnjë dhe do të jetë edhe konflikti. Në fillim ishin: pronarët, paraja dhe komunizmi. Komunizmi shpiku një sllogan: “Të jemi të gjithë të barabartë”! Dhe me këtë justifikim mori paranë dhe pronën. Kur komunizmi ra, mbetën: pronarët, paraja dhe… Me këtë rast u shpik një kundërshtar i ri. Këtë herë brenda përbrenda familjes. Meshkujt këtë herë, shpikën një sllogan të ri dhe thanë: “Pasuritë e familjes i trashëgojnë vetëm meshkujt!“ Ky “justifikim” i ri dhe i padrejtë, ka sjellë sot aq shumë telashe, konflikte dhe gjyqe nëpër familjet shqiptare. Pra, ka shumë intrigë edhe brenda familjes.

Simbolika e ngjarjeve, mesazhi i romanit?

Ne njerëzit, të gjithë herë pas here bëhemi “Shërbëtorë të zotërisë së pabesë”. Shërbëtorë të parasë. Është shumë e vështirë t’i shpëtosh kësaj. Jemi qënie vdekatare dhe jetojmë në një botë materialiste! Vetëm një gjë është e sigurt. Ky përkushtim ndaj parasë, ka gjithmonë një çmim shumë të lartë!

Çfarë sjell ndryshe nga romanet e tjera ky libër?

Këto vitet e fundit më është dashur të lexoj autorë dhe letërsi shqiptare për të qenë në brendësi të letërsisë, në të cilën edhe unë po marr pjesë. Për çudi kam vënë re se, pikërisht tema e “Pronave“ të cilën të gjithë ne si shqiptarë e kemi nën lekurë, nuk haset gjëkundi. E shkuara është e çuditshme. Edhe pse kemi një plagë nga e shkuara që na dhemb, nuk merremi dot me të, sepse mesa duket nuk po dimë si ta zgjidhim, si t’i japim drejtim. Shpresoj që nuk gabohem kur them se libri im është ndër të paktët (në mos i vetmi) që rrëfen këtë tematikë me një dimension kaq të plotë kohor dhe historik.

Ndjesitë që përcjell… parë në optikën tuaj si autore e librit?

E kam shkruar me shumë dashuri këtë roman, sepse jam bazuar në një ngjarje të vërtetë. Ajo për të cilën jam e vetëdijshme është që ky është një roman terësisht shqiptar. Mentaliteti, ngjarjet, atmosfera, e shkuara, nga e cila kemi humbur edhe gjëra që kanë qenë shumë të bukura dhe me vlera. Në përgjithësi kur shkruaj, më pëlqen të përcjell ndjesi. Një gjë është e sigurt. Lexuesi që do ta marrë në duar këtë libër, nuk do ta lexojë dot pa u trazuar!

Si e shikoni raportin e lexuesit shqiptar me librat-prodhim shqiptar dhe ato të huaj Teuta? Mendoni që lexuesi ynë po i rikthehet autorëve shqiptarë, sigurisht pa lënë mënjanë shkrimtarët e huaj?

Lexuesi shqiptar me të drejtë ka më shumë besim tek letërsia e huaj edhe pse në disa raste e pa përkthyer mirë. Kjo ndodh për shkak se nuk ka akoma një vlerësim kritik të drejtë për autorët shqiptarë, botimet e reja dhe vlerat e tyre reale artistike. Mbase jo gjithmonë, por në shumë raste ka ndodhur të reklamohen autorë dhe vepra që e kanë zhgënjyer lexuesin. Kjo shpjegon mosbesimin ndaj letërsisë shqipe. Dhe është shumë e logjikshme. Besimi i lexuesit te letërsia shqipe do të kthehet kur autorët që botojnë do të përzgjidhen në bazë të vlerave që ata kanë. Nuk është e drejtë që gjithkush që ka para sot mund të botojë një libër!

Po konkurrencën, kritikën, pasqyrimet e aktiviteteve që kanë të bëjnë me krijuesit?

Kam përshtypjen se gjithmonë dhe kudo është e vështirë të jesh shkrimtar i ri e sidomos shkrimtare femër. Në Shqipëri ndodh edhe diçka tjetër që nuk e di a ndodh në vendet e tjera. Nëse shohin që je i/e talentuar disa njerëz tremben dhe disa madje të mbyllin dyert (në vend që të t’i hapin). Pastaj ajo që vret më shumë është indiferenca.

Në këtë libër patët fatin të bashkëpunonit me (tashmë të ndjerin), z. Amik Kasoruho. Ai është redaktori i këtij romani. Çfarë do të veçonit nga eksperienca me të?

Ky libër siç thatë edhe ju, u redaktua nga z. Amik Kasoruho. E falenderoj shumë znj. Irena Toci, Drejtore e Shtëpise Botuese “Toena”, e cila e bëri të mundur këtë bashkëpunim. Ajo e kuptoi nga mbiemrat tanë që ne kishim lidhje familjare me njëri-tjetrin. Edhe pse e njihja edhe vetë z. Amik, unë kurrë nuk do të kisha guxuar ta kërkoja një nder kaq të madh prej tij. Në atë kohë ai ishte shumë i impenjuar me projektet e tij. Habia ime ishte që ai, pasi lexoi librin, pranoi me kënaqësi të bënte redaktimin dhe bëri një pune të mrekullueshme. I jam dhe do t’i mbetem gjithmonë mirënjohëse. Këshillat që ai më dha e bënë këtë libër edhe më të mirë.

Për momentin keni ndonjë projekt të radhës në dorë? Çfarë konkretisht?

Në fillimet e mia me letërsinë, mendoja se do të isha një autore tregimesh të shkurtra. E adhuroj tregimin e shkurtër akoma edhe sot. Tregimi i shkurtër është si një mrekulli e vogël. Por fakti është që, dy librat e mi të fundit kanë qenë romane. Edhe projekti që kam filluar kam përshtypjen që do të jetë përsëri roman. Kam shpresë që këtë herë të shkruaj diçka krejt ndryshe nga libri i fundit. Është një tematikë moderne dhe problematike e brezit tim sot. Zakonisht kur nis të shkruaj diçka të re e kam shumë të rëndësishme që të mos jetë e ngjashme me gjërat që kam shkruar më parë as në tematikë dhe as në stil.

SHKARKO APP