“Toena” sjell në shqip fituesin e Çmimit Europian për Letërsinë në vitin 2013

Shtëpia botuese “Toena” ka hedhur në në qarkullim romani “Ditari i një pabesie” i shkrimtarit grek Emilios Solomou, përkthyer mjeshtërisht nga origjinali  nga Kristo Pullo.

“Ditari i një pabesie” është një roman kushtuar kohës, zvetënimit, kujtimeve, dashurisë dhe pabesisë, midis së tashmes dhe së shkuarës. Romani është fitues i Çmimit Europian për Letërsinë në vitin 2013 dhe është përkthyer nga Kristo Pulla.

Të dhëna për librin
Titulli: Ditari i një pabesie

Autori: Emilios Solomou

Përktheu: Kristo Pulla

Lloji: Roman

Faqe: 320

Formati: 15 x 23 cm

ISBN: 978-9928-205-31-5

Kush është Emilios Solomou

Emilios Solomou lindi në vitin 1971. Studioi për histori dhe arkeologji në Universitetin e Athinës. Ndoqi shkollën e lartë për gazetari. Punoi si gazetar në një gazetë të përditshme dhe sot punon si mësues në një shkollë të mesme. Tregimet e tij janë botuar në revistat: Άνευ (Pa të), Νέα Εποχή (Epoka e re), In fokus (Në fokus) dhe Μανδραγόρας (Mandragoras). Disa prej tyre janë përkthyer dhe botuar në anglisht dhe në bullgarisht. Ka botuar tri vepra në prozë: To σκιάχτρο (Dordoleci), Ώσπερ στρουθίον, τάχος επέτασας  (Si një zog fluturove), Ένα τσεκούρι στα χέρια σου (Një sëpatë në duart e tua). Për këtë të fundit është nderuar me Çmimin Kombëtar të Qipros për Romanin (2007).

Fragment nga romani

… U rishfaqën gjatë pasdites, si kërmijtë pas shiut. Studentët u derdhën jashtë kashtores, që e kishin përshtatur për të qëndruar, ndërsa Dhukareli me ndihmësit e tij, pra klasa e privilegjuar, nga dhomat që qendra arkeologjike kishte marrë me qira. Kryetari i komunës, zoti kryetar, hapi derën e mjedisit ku ndodheshin objektet që kishin gjetur, a nuk ju thosha, gjithçka është në vendin e vet, kutitë u transportuan në rrugë, në pjesën e përparme, u vendosën mbi tavolina prej druri, nëpër kalldrëme, i sistemuan nëpër qese dhe këtë herë i regjistruan me më tepër kujdes, duke shënuar thellësinë, datën e gjetjes, kuadratin, koordinatat. Andoni, i veshur me një këmishë të konsumuar havanase, dhe duke kënduar me zë të ulët, i qetë dhe në humor, i kaloi objektet në një proces të dytë pastrimi. I hodhi në një kovë me tretësirë kimike që përshkohej nga rrymë me tension të ulët. Kripërat gërryese lëvizën drejt rrjetës metalike në buzë të kovës. Në këtë mënyrë ai hoqi sedimentet e grumbulluara, ia doli të ngjiste disa pjesë të shkëputura dhe t’u jepte atyre enëve formën që kishin në lashtësi. Dhukareli qëndronte përpara, në një tavolinë prej druri, mbante shënime në ditarin e tij dhe tymoste. Kur duhani mbaroi, e mbushi përsëri çibukun, e ngjeshi dhe copëza mikroskopike duhani u shpërndanë nëpër faqet e ditarit. Era e duhanit përhapej nëpër rrugë. Gra të moshuara, të ulura në karrige prej kashte apo në stola të vegjël në rrugicën e ngushtë, ndiqnin me vëmendje ekipin që punonte, thua se po shihnin një shfaqje teatrale me aktorë dhe figurantë. Nuk ishte e vështirë të shquanin aktorin kryesor, zoti profesor. Herë pas here fëmijë të vegjël mblidheshin rreth tyre, vështronin si të habitur, pa kuptuar se çfarë bënin ata. Nja dy prej tyre mbanin kuti të vogla prej kartoni. Në to kishin mbyllur bulktha, u hidhnin sheqer dhe prisnin të errësohej, që ata të fillonin këngën e tyre, të njëjtën këngë të pandryshuar që kur ata ishin shfaqur në këtë botë. Pastaj ikën larg për të luajtur. Përse të humbitnin kohë duke vështruar këta njerëz të çuditshëm? Nuk kishin shumë kohë në dispozicion para se të ikte dielli dhe të errësohej, dhe përpara se t’i mblidhnin me zor prindërit nga rrugët ku bridhnin. Në një moment dalluan Kukulenë, tek po sillej përreth arkeologëve si një grabitqar, zoti kryetar. Dhe menjëherë i vendosën pëllëmbët e duarve si hinkë para gojës dhe filluan të thërrisnin në mënyrë ritmike, si një kor i mirorganizuar, duke imituar zërin e qyqes: Ku-ku-le… Ku-ku-le… Ai i etiketon si djem të këqij dhe me shkopin e tij i ndjek deri në skaj të fshatit. Ata ia plasin së qeshurës, mblidhen përsëri dhe ia nisin: Ku-ku-le… Ku-ku-le…

Dhukareli u shkëput nga shënimet e tij për të ndjekur me sy picirrukët. U zhyt në mendime. U rikthye në moshën e tij të fëmijërisë. Po kthehej nga shkolla. Në cepin e rrugës gjeti një fugë kineze prej druri që e kishin hedhur. Vështroi përreth, nuk pa njeri. E futi në trastën e librave dhe u largua shpejt e shpejt për në shtëpi si një hajdut. Rrinte dhe e vështronte për orë të tëra duke u rrotulluar mbi tavolinë, tek sillej rreth vetes, e kuqe, jeshile, e verdhë, forma e së cilës ndryshonte vazhdimisht gjatë rrotullimit. I ngjante një spektri, një vorbulle ajri që kalonte si një re dhe humbiste në horizont.

Por në një moment Dhukareli u përmend dhe aktit të parë të shfaqjes i erdhi fundi dhe objektet e gjetura u mbyllën përsëri nëpër kuti. Kryetari i komunës, me pamjen e njeriut të rëndësishëm, që ia jepte funksioni më i lartë në këtë vend, e rrotulloi përsëri çelësin në bravë, zoti kryetar, ekipi u shpërnda dhe secili mund të bënte tashmë atë që dëshironte – të Lirë! Mjaft u morën me të kaluarën, tani le të shikonin pak dhe të tashmen.

Pas pak studentët dhe ndihmësarkeologët, një turmë e madhe, arritën në bregun e Fanosë për t’u zhytur në ujë e për t’u larë, për t’u freskuar; ujët e detit pikonte nga trupat e tyre rinorë, shpëlante djersën e kripur, lagte rërën dhe nga të notuarit frymëmarrja e tyre u shpeshtua, damarët e gjakut u frynë dhe pulsonin plot jetë. Kishin ndër mend të iknin shpejt, por qëndrimi në det u zgjat. Kishte rënë nata dhe me disa karthje dhe trungje të vjetër drurësh ndezën një zjarr. Po kënaqeshin rreth zjarrit, si beduinët në shkretëtirë, ndërsa Andrea me Makin shkuan në fshat për të blerë birra dhe ndonjë gjë për të ngrënë. Gjysma prej tyre këndonte: Jo ho ho, jo ho ho… Ndërsa të tjerët: Me një shishe me rum… dhe diskutonin për tema nga më të ndryshmet, derisa i zuri mesnata dhe morën rrugën e kthimit, sepse herët në mëngjes, para se të lindte dielli, në freskinë e agimit, Çohuni!, i priste zgjimi si në ushtri, ua kishte kujtuar pasdite vetë madhëria e tij, Dhukareli, para se t’i lëshonte nga zgjedha. Kështu që çdo ditë në të ngrysur, gjendeshin pranë detit, nën qiellin plot yje, nën Arushën e Madhe dhe të Vogël; ishin po ato yje dhe po ato ujëra të lashtësisë, të cilave u gëzoheshin dikur njerëzit prehistorikë. Me të vërtetë që këtu ndiheshin të lirë, larg syve vigjilentë të Dhukarelit. Megjithëse në fillim i kishin propozuar një apo dy herë që të shkonte me ta, falë respektit që kishin për të, zoti profesor, dhe për mirësjellje, por ai gjithmonë e gjente një pretekst, gjithmonë qëndronte larg tyre, duke ruajtur distancën; eprorët nuk duhet të rrinë bashkë me vartësit…

SHKARKO APP