Top Story: Sa paguan Shqipëria dhe sa rajoni për trajtimin e mbetjeve! Problemet në Landfillin e Korçës e Bushatit

Duket se situata me mbetjet në rrethet e Shqipërisë nuk është nën kontroll. Mbrëmjen e djeshme emisioni Top Story në Top Channel u shfaq me një dokumentar në lidhje me incerenatorët. Në Top Story pamë se çfarë ndodh me landfillin e Bushatit dhe të Korçës dhe si menaxhohen mbetjet aty. Mësohet se Landilli i Bushatit ka një kapacitet total pritjeje prej 1 milionë tonësh dhe sot që flasim janë depozituar mbi 250 mijë ton. Tarifa është 1035 lekë për ton me TVSH. Jetëgjatësia e veprës është llogaritur për 20-25 vite.

Referuar dokumentit të planit kombëtar sektorial të menaxhimit të mbetjeve, shohim se ujërat e ndotur nuk trajtohen. Aty thuhet se shpesh uji kullues pompohet mbi mbetje. Por, në lejen mjedisore që kompania posedon, ndryshe nga sa konstatohet në planin kombëtar, thuhet se uji trajtohet përmes osmozës inverse, gjë e cila nuk është e vërtetë.

Po ashtu, nga kompania menaxhuese nuk është specifikuar asnjë substancë ndotëse por thjesht deklaron se monitorimi do të konsistojë në shkarkimet në ajër, ujë, tokë të ndonjërit prej ndotësve. Operatori deklaron se do të kryejë monitorimin e shkarkimit të ujërave çdo 3 muaj sipas detyrimit, por nuk gjenden të listuar parametrat e kërkuara. Në raportin e vetëmonitorimit nuk gjenden të listuar parametrat e nivelit të metaleve në ujërat sipërfaqësorë që janë ndër ndotësit më të rrezikshëm.

Një situatë e çuditshme me mbetjet shfaqet edhe në Korçë.

Edhe pse në fushën e vjetër të mbetjeve në periferi të Korçës lajmërohesh me anë të një tabele e cila paralajmëron se hedhja e mbetjeve është e ndaluar. Por, praktikisht, situata nuk është kështu. Mjet me logon e bashkisë së Korçës shfaqet teksa hedh mbeturina pikërisht në atë që me ligj është një fushë e mbyllur.

“Kjo eshte antiligjore, që dikush të shkojë në një vend ku nuk lejohet të hidhen mbeturina të shkojë të depozitojë mbetje” u shpreh ekspertja ligjore Ermira Koçu Deçka.

Administratorja e landfillit të Maliqit, Vjollca Kostreci, që menaxhohet nga një kompani në pronësi të bashkive të qarkut u shpreh: “Nuk shkarkohen atje, atje nuk vete asnjë makinë, të gjtiha vijnë këtu. Atje është i rrethuar dhe asnjë makinë nuk shkon, nuk është e lejuar të hedhësh. Nuk di të shkarkohen atje.

Një nga ankesat më të mëdha në lidhje me incerenatorin e Tiranës është çmimi për tonë i mbetjeve. Gjatë viteve të operimit të konçesionarit, do të ketë një kosto pritëse prej 29 eurosh për ton. Brenda kësaj tarife përfshihet mbulimi i investimit 128 milionë euro, operimi dhe mirëmbajtja e impiantit që do ti dorëzohet bashkisë së Tiranës, pas 30 vitesh.

“Në Itali teknikisht jemi në vlerat 65-70 Euro vetëm për mbulim kostosh por duhen konsideruar dhe të gjitha kostot e menaxhimit e të tjera pra, sinqerisht 29 Euro, e përsëris, qoftë kur e paguan privati qoftë kur e paguan qytetari, më duket me të vërtetë një çmim shumë i ulët” u shpreh Mateo Bruno, president i “Cooperativa Nuova San Michele” srl në Foggia të Italisë.

“29 euro, është një çmim që në Itali nuk ekziston, nuk mund të ekzistojë sepse investimet që janë të nevojshme, kostot për menaxhimin, për kontrollin dhe për të lënë mënjanë shumat e nevojshme për fazën e post menaxhimit janë të tilla që këto vlera në Itali nuk ekzistojnë tashmë prej shumë -shumë vitesh” u shpreh Mario Ragaini, drejtor i “Sogenus SPA” në Ancona.

“Në Gjermani kosto për një ton të përpunuar shkon diku të 100 euro, në Belgjikë diku 70 euro” u shpreh profesori i ekonomisë Fatmir Guri.

Në fqinjin tonë jugor, në Greqi, që është pjesë e Bashkimit Evropian kostoja shkon në 53 euro për ton.

Brenda ambienteve tw Landfillit të Sharrës në hyrje bie në sy sistemimi i hapësirave. Nën tokë, aty janë izoluar mijëra tonelata mbetje të grumbulluara ndër vite.

“Për të mundësuar kapjen e ujërave sipërfaqësore dhe lejimin e vijimit të dekompozimit të mbetjeve poshtë, zona e pajisur me sistem kapjes biogazit, procesi aerobik që ndodh nën këmbë, gazi kapet dhe cohet në impiant për djegien e biogazit dhe uljen e gazit metan në atmosphere” u shpreh Elton Bualli, drejtor I IEBV Sharrë.

Këto zona me mbetje të izoluara, do të jenë nën monitorim të vazhdueshëm për matjen e parametrave të emëtimit të gazit metan që çlirohet. Ujrat e emëtuara në landfillin e kapsuluar dhe ato të reja, do të trajtohen në një impiant të posaçëm.

Aty janë kapsuluar qelizat e vjetra të mbetjeve. Drejt fundit është ndërtimi i 5 qelizave të reja pritëse, ose siç njihen ndryshe 5 landfilleve. Në fazë finale janë edhe impianti i trajtimit të ujrave si dhe impianti i diferencimit të mbetjeve për riciklim.

Ndërkohë brenda 3 vitesh, pritet të jetë në funksion të plotë impianti i djegies dhe i prodhimit të energjisë, që ndryshe quhet Incenerator.

Përmes kaldajave moderne, sot mbetjet digjen në temperaturë 1 mijë gradë celcius. Në struktura pranë kaldajave, ndodhen sasi të mëdha uji që shndërrohen në avull. Ky avull, shkon drejt turbinave të cilat vihen në punë e prodhojnë energji. Procesi, shoqërohet me çlirimin e gazrave të dëmshëm që me teknologjitë e sotme, kontrollohen dhe trajtohen para se të emetohen në atmosferë. Në botë sot janë të instaluara afro 2500 impiante të tillë që djegin plot 368 milionë tonë mbetje në vit.

Mendohet që në vitin 2028, të jenë instaluar mbi 2700 inceneratorë me kapacitet trajtimi rreth 530 milionë ton mbetje brenda 1 viti kalendarik. Sot, vendet me standardet më të larta të jetesës si Danimarka, Suedia, Zvicra, Gjermania e të tjerë po i trajtojnë shumicën e mbetjeve për prodhim energjie elektrike.

SHKARKO APP