Veli Rada vleresohet me Certefikat Mirenjohje

 

Bashkia Kamëz, Qendra Kulturore, nën kujdesin e veçantë të kryebashkiakut Xhelal Mziu, organizoi veprimtarinë përkujtimore “Një vit pa Veli Radën”, kushtuar aktorit të mirënjohur të humorit, komentatorit dhe gazetarit të shquar sportiv, Veli Rada.

Të pranishëm në këtë veprimtari përkujtimore kanë qenë të afërm, miq dhe kolegë të z. Rada si dhe deputeti i PD-se z.Sherefedin Shehu, komentatori i njohur Ismet Bellova etj.

Me këtë rast kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, e vlerësoi z. Rada me “Certifikatë mirënjohjeje” (pas vdekjes) për kontributin e dhënë dhe rolin që ka luajtur në veprimtaritë artistike, kulturore e sportive, si dhe në zhvillimet demokratike të qytetit të Kamzës.

Në fjalën e tij, z. Mziu u shpreh se ndihej i emocionuar, për shkak të marrëdhënieve të drejtpërdrejta që ka pasur me z. Rada, por njëherazi ndihej edhe i kënaqur që iu dha mundësia për të qenë një ndër organizatorët e këtij takimi. “Në fakt, ndihem i emocionuar që jam në këtë takim, për shkak të marrëdhënieve të drejtpërdrejta që unë kam pasur me z. Rada, por njëherazi ndihem edhe i kënaqur që më jepet mundësia për të qenë një ndër organizatorët e këtij takimi të sotëm”, – u shpreh z. Mziu, i cili e vlerësoi Veli Radën si një figurë universale, që do t’i mungojë Kamzës dhe gjithë Shqipërisë. “Veli Rada ishte dhe mbetet një figurë universale, e cila i mungon Kamzës dhe Shqipërisë. I mungon sportit, u mungon gazetarëve sportivë, i mungon humorit, u mungon skenave dhe është një figurë e cila ishte lidhur pazgjidhshmërisht me qytetin e Kamzës, duke bërë transmetimin e ndeshjeve, duke qenë pjesë e këtij pallati kulture”, – pohoi kreu i Bashkisë Kamëz, duke theksuar se para një viti Bashkia ishte duke e shpallur qytetar nderi dhe se do të dëshironte që Veli Rada të jetonte dhe ta merrte atë titull, por kjo fatkeqësisht nuk varet as nga ne, as nga ai. “Por unë jam i gëzuar që ne organizojmë këtë aktivitet përkujtimor. Shpreh angazhimin tim, por edhe të personave të tjerë, që Pallati i Kulturës do të jetë i hapur jo vetëm për përvjetorë, por edhe për iniciativa të tjera, të cilat e çojnë në vend këtë figurë universale që i mungon jo vetëm Kamzës, por jam i sigurt që i mungon gjithë Shqipërisë”, – ka vijuar fjalën e tij kryebashkiaku Mziu, duke shtuar se z. Rada nuk ishte vetëm artist, gazetar etj., por ishte edhe një person i cili në këto 25 vite ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimet demokratike që kanë ndodhur në vend, veçanërisht në Kamëz, duke qenë jo thjesht një person i rreshtuar në këto zhvillime, por ka dhënë vërtet një vlerë të jashtëzakonshme në këto zhvillime që nga viti `90. Pas fjalës së z. Mziu, certifikata iu dorëzua djalit dhe vëllait të Veli Radës, të cilët kanë falënderuar Bashkinë Kamëz dhe kryetarin e saj për këtë vlerësim dhe për këtë aktivitet kushtuar njeriut të tyre të dashur. Vëllai i aktorit të mirënjohur ka falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen dhe shprehu një falënderim të veçantë për kryetarin e Bashkisë, z. Xhelal Mziu, i cili me dashamirësinë e tij e bëri të mundur këtë aktivitet. Ndërkaq, edhe djali i z. Rada falënderoi në radhë të parë Bashkinë Kamëz dhe kryetarin z. Xhelal Mziu, të gjithë shokët e miqtë e Veli Radës si dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë veprimtari.

Moderatori i aktivitetit, gazetari i njohur sportiv Dëfrim Methasani, falënderoi kryebashkiakun Mziu në emër të gazetarëve sportivë dhe të gjithë atyre që e njohin Veli Radën. “Z. Xhelal, të falënderoj në emër të komunitetit të gazetarëve sportivë dhe të gjithë atyre që e njohin Veli Radën për këtë gjest shumë fisnik tuajin! Sot treguat se nuk vdes emri, por vdes njeriu, dhe sot ti e le të gjallë Veli Radën. Faleminderit!”, – është shprehur z. Methasani. Ndërsa, ka falënderuar dhe ka përshëndetur pjesëmarrësit edhe drejtori i Pallatit të Kulturës, z. Baftjar Çera, i cili tha se Veli Rada vinte nga një familje e humorit. Një figurë e shquar që mori pjesë në këtë veprimtari ishte edhe deputeti i Partisë Demokratike në Dibër, z. Sherefedin Shehu. Duke folur para të pranishmëve, z. Shehu tha se ishte kënaqësi e dyfishtë që merrte pjesë në këtë aktivitet përkujtimor. “E para, sepse janë lidhjet personale të origjinës, të Dibrës, dhe ne si dibranë jemi krenarë për veprën e këtij njeriu siç ishte Veli Rada, por natyrisht është edhe një përgjegjësi qytetare për të respektuar ata që e meritojnë”, – është shprehur z. Shehu, i cili ka falënderuar në mënyrë të veçantë kryebashkiakun Mziu. “Së pari, dua që të përshëndes kryetarin që e ka mbështetur këtë aktivitet, z. Xhelal Mziu, dhe këto janë raste që ne duhet të na bëjnë të reflektojmë që këto aktivitete të jenë më të shpeshta, të jenë më të shumta, sepse Veliu ishte një njeri që ka lënë histori prapa”, – ka vijuar ndër të tjera deputeti Shehu. Ai shtoi se Veliu u mungon të gjithëve, sepse ishte një njeri i gjithanshëm. “Në radhë të parë i mungon familjes së tij, sepse është njeriu më i dashur. Natyrisht që ai i mungon sportit, ai i mungon artit, por më tepër do të thosha që i mungon Partisë Demokratike, kështu që kjo është arsyeja e dyfishtë që unë e vlerësoj këtë aktivitet”, – ka pohuar z. Shehu në fjalën e tij.

Në këtë përkujtimore të organizuar nga Qendra Kulturore e Kamzës, përveç përshëndetjeve dhe fjalëve të të pranishmëve, u shfaq edhe një dokumentar i shkurtër për jetën dhe veprimtarinë e gjithanshme të të mirënjohurit Veli Rada.

 

 

SHKARKO APP