Veliaj-Bllako i japin 4 mln dollarë Klodian Zotos në 2021

Bashkia e Tiranës dhe Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve kanë paguar rreth 3 milionë dollarë për Klodian Zoton në dy muajt e parë të këtij viti. Vetëm nga bashkia e Tiranës, kompania ‘Integrated Energy’ që po ndërton inceneratorin e Sharrës, ka marrë 2.5 milionë euro vetëm gjatë muajit shkurt. Afera e inceneratorit është paditur në SPAK, duket se kjo nuk e ka ndaluar vazhdimin e pagesave nga buxheti i shtetit për kompaninë e Klodian Zotos.

Nga Syri TV

Erion Veliaj dhe kompania e inceneratorit të Sharrës, nën administrimin e Klodian Zotos, po vijojnë të patrazuar marrëdhënien e tyre financiare, pavarësisht se një seri e gjatë dokumentesh të publikuar së fundmi nga Lëvizja Socialiste për Integrim krijojnë dyshime të forta për abuzim me detyrën nga ana kryebashkiakut të Tiranës në procedurat për dhënien me koncension të landfillit në periferi të kryeqytetit.

Vetëm gjatë muajit Shkurt 2021, kompania ‘Integrated Energy BV’ ka marrë rreth 2.9 miliardë lekë të vjetra, afërsisht 2.5 milionë euro. Ndërkohë që në dy muajt e parë të këtij viti, kompania koncensionare ka përfituar në total rreth 3 milionë euro për shërbimet e ofruara ndaj Bashkisë së Tiranës.

Ndërkohë, kompania në pronësi të drejtpërdrejtë të Klodian Zotos, ‘Integrated Technology Service’, e cila fitoi tenderin ‘sekret’ për ndërtimin e landfillit të Sharrishtës, në Vlorë, ka marrë në Shkurt 2021 rreth 450 mijë dollarë nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizime. Ky institucion drejtohet nga Alqi Bllako, i renditur kandidati i 17 në listën e Partisë Socialiste në Tiranë dhe njëkohësisht i kallëzuar në SPAK për atë që konsiderohet si ‘afera e inceneratorëve’.

Pavarësisht kallëzimeve dhe hetimeve të pritshme nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit, Erion Veliaj dhe Alqi Bllako nuk janë ndalur në dorëzimin e rreth 4 milionë dollarëve në favor të kompanive të Klodian Zotos, vetëm në javët e fundit. Çështja e inceneratorëve është shndërruar në një temë të nxehtë debati në Shqipëri, sidomos pas publikimit të një numri të lartë dokumentesh, në të cilat ngrihen dyshime se autoritetet e rëndësishme shtetërore kanë favorizuar një kompani ‘anonime’, të regjistruar në Amsterdam të Hollandës, për të fituar qindra milionë euro.

Në qendër të kësaj afere, sipas kallëzimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, qëndron ish-ministri i Mjedisit në periudhën 2013-2017, Lefter Koka. Sipas kallëzimit, Koka ka tjetërsuar një seri dokumentash për të favorizuar kompaninë ‘Integrated Energy BV’ për të siguruar kontratën koncensionare të inceneratorit të Tiranës, por edhe atij të Elbasanit.

Së bashku me Kokën, pjesë e skemës së favorizimit ka qenë edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, aktualisht Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Mbetjeve Urbane-AKUM. Sipas Lëvizjes Socialiste për Integrim, skemën e favorizimit dhe abuzimit e plotëson edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Drejtuesi vendor i kryeqytetit ka anashkaluar Këshillin Bashkiak dhe Qarkut, duke u shprehur personalisht dakord për ndërtimin e inceneratorit të Sharrës nga ana e ‘Integrated Energy BV’.

SHKARKO APP