Viola Spiro ka vetëm një faj: Që na futi në valle (FOTO)

Letra e mamasë së Viola Spiros në mbrojtje të së bijës pas arrestimit të të dashurit të saj në Itali, ishte një veprim natyral biologjik prej luaneshe, që nxjerr kthetrat në mbrojtje të fëmijëve të saj.

Por nëna e Violës ashtu sikurse edhe vetë Viola, harrojnë një fakt: Që ti merr atë që jep. Dhe në botën e komunikimit online, sa më shumë material t’u japësh njerëzve nga jeta jote personale, aq më shumë gjykime do të marrësh mbrapsh.

Më kujtohet historia e dikujt, figurë e njohur në median shqiptare që kur u martua kërkoi vetë kamera, madje asistoi edhe në post-produksionin e videos e fotove për t’i transmetuar në televizion. Më pas, kur u divorcua, shprehu indinjimin se përse mediat merreshin me jetën private.

Është në egon tonë që të pretendojmë vetëm lavdërime e dashuri nga të tjerët, por kur hap derën e shtëpisë sënde (në këtë rast instagramit apo facebook-ut) dhe i lejon të panjohurit që të sodisin çdo ditë historinë tënde të dashurisë, udhëtimet e tua, veshjet e shtrenjta, pak a shumë u ke dhënë vetë mundësi të tjerëve të të bëjnë llogaritë.

Aq më tepër që këtë portë e hap në Shqipëri, një vend kaq i vogël, ku rroga mesatare e një moderatori që nuk është primetime në dy televizionet kryesore Top Channel apo TV Klan, shkon nga 80,000 të reja deri në 150,000 lekë. Domethënë një rrogë e mirë për të bërë një palë pushime në Turqi në verë, por jo për të mbuluar shpenzime të njëpasnjëshme udhëtimesh e çantash me vlerë më shumë se 800 euro.

Natyrisht e mirëkuptojmë nënën e Violës kur thotë se vajza e saj punon shumë, sepse vërtet, Viola ka vite në ekran qoftë si velinë apo më pas si moderatore. E mirëkuptojmë edhe pjesën kur e ëma mbron moralin e Violës dhe thotë se ajo u ka bërë ballë ngacmimeve seksuale nga eprorë. Ne që kemi lidhje të brendshme me televizionet, e besojmë këtë anë të Violës, e cila për hir të së vërtetës, nuk është përfolur kurrë për “lidhje seksuale për hir të karrierës”.

Ashtu siç besojmë që Viola udhëhiqet nga dashuria dhe nuk ka ndjekur një trajektore në kërkim të parasë. Mjafton të kujtojmë se lidhja tjetër e saj më e gjatë publike, ajo me moderatorin Arjon Muça, ishte lidhja e dy kolegëve më shumë sesa lidhja e një vajze të bukur dhe e një djali të pasur.

Deri këtu nëna e Violës ka të drejtë. Viola është kjo dhe shumë gjëra të tjera të mira.

Por nëna e Violës nuk kanë përse t’i shfryhet portaleve dhe gjykimeve të njerëzve, pasi ishte vetë e bija që i futi njerëzit në këtë valle, duke ndarë publikisht dashurinë dhe jetën e saj që papritur pësoi një “upgrade” shpenzimesh në përpjestim të zhdrejtë me karrierën e saj televizive.

Nuk kemi përse të gjykojmë Violën që zgjodhi të dashurohet me një djalë të përfshirë në veprimtari të paligjshme. Do të ishte hipokrizi ta bënim këtë, duke ditur që një pjesë e madhe e grave të Shqipërisë përfshirë edhe grave të famshme, jetojnë mbi pllaka të shtruara nga lekë të fituara paligjshmërisht, jo vetëm me drogë apo prostitucion, por edhe nga vjedhje tenderash, nga tregti kontrabande, korrupsioni, mospagim taksash e deri në vjedhje banale si ajo e energjisë elektrike.

Fakti që tregëtia e drogës i ka fitimet shumë më të mëdha, konsiderohet drejtpërdrejt si një akt shumë më i rëndë, kur në thelb, çdo shkelje ligji në dëm të shtetit dhe rrjedhimisht në dëm të qytetarëve, duhet të jetë njësoj i dënueshëm publikisht.

Pastaj ndryshe nga ajo çfarë na kanë mësuar filmat me polic i mirë-polic i keq, njerëzit që merren me tregti droge, nuk janë detyrimisht të këqinj, të dhunshëm dhe të pandjeshëm.

Problemi i tyre qëndron në faktin që ata kanë zgjedhur një rrugë të shkurtër fitimi marramendës që ecën paralelisht me rrezikun për t’u arrestuar apo në rastin më të keq për t’u vrarë nga kartela kundërshtare apo nga vetë bashkëpunëtorët.

Si rrjedhim, këta njerëz, sado romantikë, të dashur, të përkujdesshëm të jenë me partnerit/en, marrin përsipër mbi kurriz edhe gjykimin (rezultuar shpesh si i vërtetë) se ata janë të paaftë për të krijuar një jetë dhe familje të qëndrueshme.

Të njëjtën barrë e merr përsipër edhe partnerja që vendos të krijojë një lidhje, duke e ditur që aktiviteti i partnerit paraqet rreziqe. Por është zgjedhja e saj. Siç është zgjedhja e kujtdo femre në këtë botë të dashurohet me atë që do, qoftë me një që merret me tregti të paligjshme, qoftë me dikë me ngjyrë, të varfër, astronaut, të divorcuar etj. Është zgjedhja e zemrës dhe ne e dimë shumë mirë që zemra është e pamundur të gjykohet.

Por nëse Viola, duke ditur edhe stilin e jetës së partnerit të saj, do të ruante plotësisht konfidencialitetin dhe do t’u shmangej postimeve të luksit, atëherë, emri Valentin Selaj, do të ishte thjesht emri i një tjetër shqiptari që has probleme me ligjin ndërkombëtar.

Por në momentin që ajo gazetë italiane (që për hir të së vërtetës e kishte ekzagjeruar deri në poezi aspak etike gazetareske të gjithë historinë) e quan “Bos droge” të dashurin, atëherë njerëzit direkt bëjnë lidhje mes tij dhe postimeve të Violës në instagram dhe automatikisht e klasifikojnë bukuroshen bionde si “një tjetër vajzë që lidhet për lekë.”

Ndaj në këtë rast, e vërteta e mamasë së Violës nuk ka rëndësi. Për më tepër, që mamaja është gjithmonë subjektive dhe mbrojtja e saj bëhet e pabesueshme në sytë e të tjerëve, se ne nuk besojmë të ketë ndonjë nënë që flet keq për fëmijën e tij/saj publikisht.

Nuk është faji i njerëzve dhe aspak faji i portaleve që mbuluan historinë, por faji qëndron në injorimin që vajza si Viola e shumë të tjera që ndajnë me publikun jetët e tyre me udhëtime e veshje firmato, i bëjnë mentalitetit të ndjekësit mesatar, prindërit e të cilëve paguhen me një rrogë prej 40,000 lekësh në muaj dhe që udhëtim luksi quajnë edhe një vajtje-ardhje me traget në Bari.

Rreziku i instagramit është pikërisht ky: Kur vendos të paraqesësh publikisht një bella vita, mos harro që u ke dhënë të gjithë të panjohurve (që qëllojnë të jenë banorë të një Shqipërie shumë të vogël) automatikisht një laps e letër dhe në momentin që s’u del llogaria dhe ti s’ke mundësi apo dëshirë ta justifikosh, atëherë sapo do të gjejnë një shteg, do të kundërvihen. Qoftë ky edhe një shteg i gabuar. Që do të thotë: qofshin edhe këto burime te shpenzimeve nga puna, familja, pronat etj.

Sado gjatë të shkruaj e sado fort të ulërasë nëna e Violës apo edhe shumë nëna të tjera, njerëzit në fund do të marrin atë që u jep. Dhe ajo çfarë Viola u dha 135 mijë ndjekësve të saj këtë vitin e fundit, nuk ishin arritjet e saj profesionale, as ndershmëria në ambientin e punës, as mençuria apo sjellja me etikë. Askush nuk i pa këto në instagram, por pa vetëm udhëtime e veshje të shtrenjta. Dhe mjaftoi ky lajm, që totali i gjithë përllogaritjeve të atyre ndjekësve të rezultonte në “lek droge.”

Burimi: Anabel

SHKARKO APP