Zaimi: Rama kur ka pushtet s’e kontrollon dot veten
“Qeveria pas Ramës”, ishte fokusi mbrëmjen e sotme në emisionin “As pro as Kundër” me Robert Aliaj.
Ndërsa u fol për postin e Ministrisë së Brendshme, rolin dhe sa është përdorur politikisht, politologu Arbër Zaimi, u shpreh se kjo Ministri, fatkeqësisht është përdorur nga politikanët.
Gjithashtu ai theksoi se liderët politikë në këto 30 vite nuk kanë pasur imazhin e një njeriu që zbaton ligjin.
“Ne nuk na duhet një udhëheqës kauboj, as i qeverisë as i Ministrisë së Brendshme. Rama është përfaqësuesi më i vjetër i të vjetrës në Shqipëri. Lideri që kur grumbullon pushtet nuk kontrollon dot as vetën”, tha Zaimi.
Ndërsa në një lidhje me “Skype”, Gezim Basha, pedagog i letërsisë tha se një qeverisje, nuk mund të krijohet, duke bashkëpunuar hapur me krimin.
“Do të doja që qeverisjen e ardhshme të hidhen hapa për një reformë rrënjësore të sistemit arsimor në Shqipëri”, tha ai.
Gjatë bashkëbisedimit, gazetari Alfred Lela, tha se ministrat e qeverisë nuk duhet të jenë grabitqarë, pasi në gjithë këto kohë janë parë njerëz që vetëm grabisin pasi marrin postet e tyre.
I pyetur nëse Partia Demokratike mund të qeverisë e vetme, kryetar i partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi tha se këtë gjë e sheh si detyrim dhe përgjegjësi nga ana e PD që ta bëjë.
Gjithashtu Shehi, gjatë bisedës në studio u shpreh se demokracia në vend duhet emancipuar, ndërsa shtoi se lëvizjet në partitë e mëdha politike janë edhe për shkak të mungesës së demokracisë brenda këtyre partive.
“PD duhet ta bëjë punën e vetme. Përgjegjësitë politike apo detyrimet i ka PD. Nëse ne duam të emancipojmë demokracinë në Shqipëri, duhet të japin frymë. Përse ikin njerëzit nga partitë e mëdha? Sepse nuk ka demokraci, kjo tashmë është e ditur”, tha ai.
Më tej Shehi theksoi se duhet të ndërtohet një mekanizëm ndryshe nga çfarë kemi sot, ndërsa u ndal te Ministria e Brendshme ai tha se, ministri i Brendshëm në Shqipëri është drejtori i policisë.
“Në Shqipëri çdo gjë e ka kryeministri. Institucioni i ministrit zhvlerësohet, kryeministri nuk duhet të ndërhyje, ndryshe këtu nuk mban përgjegjësi asnjë njeri. Këtu ministri vetë është shefi i policisë.
Dhe policia fatkeqësisht është bërë një komponent i rëndësishëm i jetës publike shqiptare dhe ekonomike dhe kjo është shumë gabim. Sot nuk mund të bësh biznes në Shqipëri sepse ke polic kudo. Në të gjithë botën policët janë të paguar, shteti i jep dinjitet dhe jo biznes”, shtoi më tej Shehi.
/abcnews.al/