ZËDHËNIA E PERLINDJES SË SHQIPËNIES*

Gazeta Koha Jonë po riboton pas 103 vjetëve Zëdhënien e gazetës “Perlindj’ e Shqipnies”.

Ky dokument historik i shtypur në një fletë me dy faqe në format 24 cm x 35 cm është numri i parë i gazetës “Perlindj’ e Shqipnies” e cila u shtyp më 1 Gusht 1913, në Vlorë.

Në ballin e saj shënohet “Perlindj’ e Shqipnies”, “Organ per te Mprojture te Drejtat Kombetare”, “Del trië herë në javë”, “Vlonë”, “19/1. Gusht 1913”.

Zëdhënia për rrethanat historike kur u shkrua, fuqia shprehëse e idesë kombëtare dhe kumti politik që përcjell me plot të drejtë është Karta e Gazetarisë Shqiptare.

Për të shmangur gabimet teknike të shtypshkrimit dhe për të lehtësuar leximin e Zëdhënies sot tekstin e saj po e botojmë të korrektuar.

Falendrojmë studiuesin Heral Saraçi që e solli këtë dokument për gazetën tonë.

Z Ë D H Ë N I E

Duke marrë ndër sy nevojat e mëdha të kombit shqiptar, sidomos në këtë kohë, kur ai po thyen hekurat e robërisë pesëqind vjeçare e po çlirohet prej një kombi tiran e barbar dhe shfaqet mbi tokën e vetë, si zot i lirë i pavarur dhe i shpenguar, kujtuam se një fletore, e cila të jetë e zonja të mburojë jo vetëm të drejtat, por të japë edhe një shtytje fisnike e të veçantë në selitjet dhe në zhvillimt e tij, prej çdo pikëpamje do jetë një vepër nga më të mëdhatë kombëtare dhe nga më të mëdhatë veprore.

Pra, të shtytur prej këtij mendimi, vendosëm të nxjerrim fletoren me emrin “Përlindj’ e Shqipniës”. Emër më i rasëshëm dhe më i lartë nga kuptimi, sipas kohës kaq të gjykueshme, në të cilët rrotullohet fat’ i kombit shqiptar dhe pas zhvillimit të tij që ka sot, emër, themi, i këtillë në qëllimin që do ndjekë fletorja jonë nuk mund të quhej tjatër veç “Përlindj’ e Shqipniës”.

Dhe vërtet, kombi shqiptar, i jetuar nën zgjedhë të një kombi krejt të huaj, si nga fis’ i kombësisë e nga gjaku, si nga gjuha e nga zakoni, për pesëqind vjet humbi mjerisht prej fisit të vetë, mos të tjera, po sidomos veten e tij, si komb i veçantë, si komb me ndjenja psikologjike të veçanta. Për fat të keq, i ndarë prej feje, mjerisht më pastaj u nda dhe prej ndjenjash kombësie. Sipas vjershave të të pavdekurit e shpirtndriturit Vaso Pashë Shkodranit:

“Njëri thot kam fe, tjatri thot kam din,

njëri jam turk, tjatri llatin,

njëri grek, shqe disa të tjerë,

Po jeni vllezërë gjithë more të mjerë”.

Kështu pra, si nuk ngjante, duke u gjendur kombi shqiptar quhesh i humbur në mos i vdekur. Po desh zoti me të madhtë të tij e nuk humbi dhe urdhëroi të shpallet Konstitucja e Turqisë më 1908, e cila, me gjithë ligësitë e saj, dha një zhvillim që shqiptari të njohë veten e tij, që nuk është zot, po raja te turku dhe kështu të ngrejë krye kundra atij, që e quante vëlla dhe të kërkojë, si burrë i vërtetë, të drejtat e tij, duke luftuar burrërisht katër vjet rradhas. Po në mes të këtyre katër viteve, në mos u shpërblye plotësisht gjaku i shumtë i burrave, grave e çiliminjve të vrarë e të prerë prej gjakpirësve komandantë, Xhavit e Turgut, në peshët të politikës rëndoi kaq, sa çështja shqiptare u bë shkak i luftës së sotme Ballkanike, prej së cilës, i ndihmuar prej Evropës e më fort prej Fuqive të Mëdha, të Austrisë e të Italisë, del në mes të Ballkanit i lirë, i pavarur e i shpenguar dhe kështu prej një jete robërie hyn në një jetë të re, len dhe një herë si thotë fjala.

Prej kësaj pike politike “Përlindj’ e Shqipniës” do nisë veprimin e saj, duke kthyer në grykën e lumit të Alfiojit të gjitha ato plehurina të mbetura si trashëgim prej Avgjiut Aziatik dhe, mbi këtë fushë të qëruar, të pastër e të fshirë do të shtrojë programin e saj me këto pika:

  • Do mburojë të drejtat e kombit me çdofarë mënyre kundra çdo paudhësie.
  • Do mbajë kombin të zgjuar e të ditur mbi çdo send të punëve të qeverisë e të politikës së jashtme, duke marrë lajme prej burimeve të sigurta.
  • Do sigurojë kënduesit, që një frymë paanësie dhe atdhetarie do të drejtojë jetën e re të kombit shqiptar.
  • Do lajmërojë me hollësi dhe rregullisht çdo shqiptar, për zhvillimin politik të jashtëm të Evropës dhe do t’i tregojë udhën e përgjatë të zhvillimit të vetë dhe mjetet e duhura për zhvillimin e tij.

Këto janë pikat më të rënda, rreth të cilave do të përmblidhet gjithë fuqia morale e fletores sonë. Pra, i lutemi çdo shqiptari, i cili dëshiron me gjithë shpirt madhërinë e lartësinë e kombit, të na ndihmojë në këtë përpjekje kaq të fisme dhe të lartë për të lidhur të gjithë shqiptarët e përndarë në gjithë anët e dheut me një lidhje vllazërimi. Le ta dijë kushdo, që sot, shtypi, te një komb i cili gjendet në rresht të fundit nga pikëpamja e qytetërimit, si ndodhet mjerisht kombi ynë, është krahu i dytë pas shkollave, i zgjuarjes, i çeljes dhe i zhvillimit të tij dhe e vetmja armë, e cila godet të ligën pa mëshirë dhe mburon të mirën e të drejtën me gjithë fuqi.

Pra, duke shpresuar që tërë atdhetarët nuk do mbeten të shurdhër në këtë thirrje kombëtare dhe duke qenë të bindur që do të kemi gjithë ndihmën frymore për të zhvilluar lumënin e kombit tonë, guxojmë dhe dalim në fushë të shtypit, në një kohë tepër të nevojshme dhe kështu, duke mos mbetur tjatër gjë për të thënë, thërrasim me zë të naltë:

Rroftë kombi Shqiptar!

Rroftë Shqipëri e lirë!

Rroftë qytetërimi e përparimi!

*Solli dokumentin studiuesi Heral SARAÇI

 

SHKARKO APP