Zenepe Luka, mes gazetarisë dhe letërsisë

 

Nga Raimonda MOISIU- Kam përjetuar emocione të veçanta nga pjesëmarrja në një veprimtari tepër interesante, e rëndësishme, shprehi e një produktiviteti serioz e origjinal, që u organizua në Vlorë në ditën e fundit të muajit maj. Në epiqendër të këtij aktiviteti tepër të veçantë, ishin disa evente të jetës së gazetares, shkrimtares Zenepe Luka, ndërthurur ky edhe me evente të këngëtarit të madh Italian, mikut të saj dhe të gjithë shqiptarëve Al Bano Karrisi.

Sidoqë në ftesë ishte saktësuar se kjo veprimtari organizohej nga Shoqata Kulturore “Al Bano Karrisi” dhe Fondacioni Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, në të vërtetë është vetë Zenepe Luka, themeluese dhe drejtuese e këtyre shoqatave, që ka ideuar dhe realizuar në mënyrën më perfekte këtë veprimtari.

Në një muaj rrjedhin përvjetorët e rëndësishëm eventet e jetës së gazetares, Zenepe Luka. Rrallë ndodh që në ditët e një muaji, të mblidhen eventet më të rëndësishme të jetës. Kjo ka ndodhur me Zenepe Lukën. Në këtë maj ajo përkujtoi: 45 vjetorit i diplomimit gazetare dhe po kaq vite karrierë gazetare terreni i Zenepe Lukës. 25 vjet, nga dita që u vendos në Vlorë, ku filloi punën gazetare e gazetës së pavarur “Koha Jonë”. Në këtë muaj shënoi numrin 17 si autore në krijimtarinë e saj letrare. 25 vjetorit i vizitës së parë në shtëpinë e Al Bano, ku iu ideua Karrisit, formimi i shoqatës kulturore në Vlorë “Al Bano & Romina Power” ( 20 maj 1993). Muajit maj i përket edhe 20 vjetori i vendosjes së bombës në shtëpinë e saj, akt fundamentalist që synonte zhdukjen e familjes së gazetares. Këtyre ngjarjeve të jetës së gazetares, iu shtua edhe tre ngjarje të bukura për jetën e këngëtarit italian, Al Bano Karrisi, që ishte i pranishëm në këtë festë. Festimi i 75 i lindjes së këngëtarit dhe bëhet gjysh për herë të parë . Me këtërast, i bëhet dhuratë libri “Kjo dashuri e ka emrin Al Bano”, i autores Zenepe Luka, botimi i pestë për këngëtarin në gjuhën shqipe dhe italiane.

Takimi emocional me personalitete të shquara nga të gjitha fushat.

Vetë përbërja e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, që është themeluar e drejtohet nga gazetarja Zenepe Luka, kish sjellë në këtë event të jetës së saj personalitete të fushës së artiti si Nderi i Kombit Margarita Xhepa, Mjeshtër i Madh Irini Qirjako, Mjeshtër i Madh Aksinja Xhoja, artistet e Kosovës, aktorja Leze Qena, këngëtarja Shpresa Gashi, gra të shquara ardhur nga Italia, SHBA, Mali i Zi, kryetari i Unionit të gazetarëve të Shqipërisë,Aleksandër Çipa etj.  Në këtë event mori pjesë edhe deputeti italian Nicola Ciraci, Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli etj. Në sallën e hotelit me 4 yje “Vlora International” aktiviteti nisi me përurimin e ekspozitës fotografike “Një çerek shekulli bashkë me Al Bano”, ku afishohen fotot që nga vizita e parë në shtëpinë e këngëtarit, takimi me të atin Karmelo Karrisi dhe vizitat e ndërsjellta për gjatë një çerek shekulli, ardhjet 10 herë të këngëtarit në Shqipëri,Tiranë e Vlorë për koncerte si dhe evente të rëndësishme; si marrja e pasaportës shqiptare dhe ajo e çelësit të qytetit të Tiranës.

Bashkëbisedimi i ngrohtë dhe vlerësimi i punës dhe kontributeve të gazetares.

Moderuar në nivelin më të lartë nga poetja Vllasova Musta, gjatë takimit kanë folur me emocion Margarita Xhepa, Kryetari i Bashkisë, Vlorë, Dritan Leli, Irini Qirjako, Raimonda Moisiu, Al Bano Karrisi, deputeti Italian, Nicola Ciraci etj, të cilët vlerësuan punën e gjithë jetës të Zenepe Lukës mes shumë të pranishëmve. Ndërsa emocione të mëdha tek gazetarja ka sjellë akordimi i shumë medaljeve e mirënjohjeve nga disa shtete si Italia, Kosova, ndërsa Diploma e “Mirënjhohjes e Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, i dorëzohet nga gazetarja Anila Basha. Zenepe Luka çertifikohet me titullin Misionar Paqeje Ndërkombëtare nga Misioni Diplomatik Paqe dhe Prosperitet, Misioni Diplomatik Amerikan dhe Akademia Botërore e Paqës. Pikërisht ky moment e bëri atë të dalë nga natyra e saj dhe të shpërthejë në lotë. Margarita Xhepa, Nderi i Kombit i dorëzon këngëtarit Al Bano Karrisi Medaljen “Mirënjohje” akorduar nga Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi” për dashurinë dhe kontributin e madh që jep për forcimin e urave të miqësisë mes dy popujve”. Emocionet pushtuan sallën kur grupi polifonik me solistin Tomorr Lelo, kënduan një këngë kushtuar Al Banos dhe më pas Zenepe Lukës.

Me lot në sy Zenepe Luka në përfundim të aktivitetit do të shprehej: “Mirënjohje të thellë për Çertifikimin tim me Titullin; “Misionare Paqeje Ndërkombëtare “ nga katër institucione amerikane të akredituara në OKB, që janë: Misioni Diplomatik Paqe dhe Prosperitet, Misioni Diplomatik Amerikan dhe Akademia Boërore e Paqes. Mirënjohje deputetes së Kosovës Dr.Flora Brovina, që më ka nderuar me emblemën e Parlamentit të Kosovës dhe Mirënjohjen nga Qëndra e rehabilitimit të nënës dhe fëmijës.Prekëse ishte për mua Mirënjohja nga Instituti për Mbrojtjen e Vlerave Demokratike të Kosovës , inicuar nga kryetare e degës së Fondacionit në Prishtinë znj. Vlora Jashenica. Respekt të thellë për deputetin italian Nicola Ciraci, që më dorëzoi disa nga Mirënjohjet akorduar nga disa bashki në Puglia. Faleminderit mikut tonë të shtrenjtë Al Bano Karrisi, që më vlerësoi me dy premio me një domethënie tepër prekëse për mua. Faleminderit Unionit të Gazetarëve, që më vlerësoi me “Mirënjohje”. Respekte pafund për zonjën Aksinja Xhoja, Mjeshtër i Madh, që prej dekadash organizon veprimtari nga më madhoret, në Puglia dhe qytete të tjera, që kanë çuar edhe në vlerësimin tim nga institucionet italiane. Përulem përpara institucioneve të Kosovës, Presidentit Hashim Thaçi, që më nderoi me “Medaljen Presidenciale të Meritave”; Gazetarja dhe shkrimtarja, e vlerësuar në botë, harruar nga vendi i saj. Në këtë datë të shënuar të jetës, mësojmë se gazetarja për gjatë një çerek shekulli, për kontributet e saj si gazetarja, shkrimtare dhe themeluese e drejtuese e Shoqatës Kulturore “Al Bano Karrisi” dhe Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, është vlerësuar me 30 medalje e Mirënjohje nga të gjitha shtetet., që kulmon me Titullin “Grua e shquar në botë”, dorëzuar nga Presidente e Federatës së Grave Kineze, njëherësh Nënkryetare e Parlamentit të Kinës zonj. Çhen Zhi Li në forumin botëror, që u mbajt në Pekin në nëntor të vitit 2011-ë.

Kushdo që e njeh aktivitetin dhe kontributin e Zenepe Lukës, i bën pyetje vetes: Kjo grua e vlerësuar nga bota për atë çka bën për Shqipërinë, përse nuk vlerëzohet nga institucionet e shtetit shqiptar megjithëse janë bërë propozimet prej vitesh në Kryeministri, Presidencë etj?

Kështu ndodh rëndom në Shqipërinë tonë, vlerësimi bëhet pasi vlerat ikin nga kjo botë, që nuk ka vlerë, madje është poshtërues. Pavarësisht nga kjo Zenepe Luka do të betohej me lot në sy: “Jeta ime i përket Shqipërisë sime, se do të punoj deri në frymën e fundit të jetës, për promovimin e vlerave e kontributeve të gruas, të kulturës e traditës së Kombit tim. Për Shqipërinë time, tokën dhe Flamurin, jam gati të jap jetën time. Kjo është Zenepe Luka, gazetarja, shkrimtarja, 45 vjet me penë në dorë mes Gazetarisë dhe Letërsisë, modeli i gruas, që sot e gjen rrallë, por që jam mëse e sigurtë, do të vlerësohet denjësisht nga brezat në vcazhdim.

Vlorë, Maj 2018

SHKARKO APP