Zhbllokohet bartja e numrit – Ulet shkalla e refuzimit të kërkesave nga operatorët
Ndryshimet e bëra në rregullore vitin e kaluar duket se e kanë përmirësuar ndjeshëm funksionimin e shërbimit të portabilitetit të numrit. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), deri në tremujorin e parë 2018, koeficienti i pranimit të kërkesave për portim numri, sidomos nga dy operatorët më të mëdhenj, ka qenë shumë i ulët. Ky koeficent për Vodafone Albania dhe Telekom Albania ishte rreth 40%, ndërsa që nga tremujori i tretë 2018 është rritur në mbi 60%. Për Albtelecom, ky tregues ka qenë më i lartë, me rreth rreth 60% për periudhën 2016-2017, ndërsa pas miratimit të rregullores së re është përmirësuar më tej dhe ka arritur në rreth 70%.
Vitin e kaluar, AKEP vendosi të ndryshojë rregulloren për portimin e numrit, pasi kishte marrë një numër shumë të madh ankesash nga përdoruesit, të cilët kanë denoncuar praktika abuzive në procesin e portimit të numrit nga operatortë celularë. Nga verifikimet e kryera, AKEP konstatoi se operatorët kanë keqpërdorur listën e arsyeve të parashikuara për refuzimin e kërkesës për bartje. Kjo sjellje e operatorëve ka krijuar barriera artificiale për pajtimtarët, duke ndikuar drejtëpërdrejt në demotivimin e tyre për këtë shërbim si dhe ka zbehur rolin e portabilitetit të numrit, si instrument për zhvillimin e konkurrencës në tregun e telefonisë celulare. Me rregulloren e re, kriteri i vetëm i refuzimit të kërkesës për portim për përdoruesit me parapagim është mospërputhja e numrit personal të identifikimit të dhënë në kërkesën për portim tek operatori marrës me numrin e identifikimit në bazën e të dhënave e operatorit dhënës.
/ SCAN