Zhvlerësimi i euros, Zusi: Këtë vit tregut shqiptar do ti mungojnë 600 miliardë lekë
Eksportuesit po goditen gjithmonë e më shumë nga zhvlerësimin e monedhës europiane kundrejt lekut, e cila ka arritur në nivelin e 121 lekëve. Alban Zusi shprehet se tregut do ti mungojnë 600 miliardë lekë vetëm si rezultat i efekteve në eksporte, turizëm dhe remitanca.
Grupet e interesit i bëjnë apel Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë që të ndërhyjë për të stabilizuar tregun.
Alban Zusi: Pra vetëm eksporte, turizëm dhe remitanca, tregut shqiptar, këtë vit do ti mungojnë mbi 600 miliardë lekë, drejtpërdrejt vetëm nga këto 2 sektorë dhe një ekonomi ndihmëse, atëherë ky treg është i dëmtuar.
Përtej kësaj, një tjetër shqetësim serioz është edhe dëmtimi i prodhimit shqiptar, i cili nuk është konkurrues ndaj mallrave të importit.
Alban Zusi: Problemi i dytë është prodhimi vendas i kërcënuar dhe i cënuar rëndshëm në konkurrueshmërinë e tij nga importet, të cilat tashmë janë 15% më të lira ose 20 lekë/euro më të lirë.
Ndërkohë eksperti Enriko Ceko shprehet se euro e dobët gjatë verës është me impakt shumë negativ për ekonominë shqiptare pasi ka më shumë prodhime gjatë kësaj stine. Ndërsa thekson se nga kjo situatë përfiton vetëm qeveria, e cila do të paguajë më pak borxhe.
Enriko Ceko: Kjo rënie e euros është rënie e nxitur, ndoshta dhe pak artificiale në mënyrë që të justifikojë shifrën e lartë të borxhit publik në buxhetin e shtetit. Duke ulur euron, automatikisht ulet borxhi publik, i cili gjithmonë konvertohet në monedhë të huaj. Borxhi publik zakonisht nuk shprehet në monedhën vendase.
Euro e dobët pritet që të vijojë edhe për disa muaj, e ndikuar nga turistët por edhe nga të ardhurat e emigrantëve, të cilët kthehen në Shqipëri për të kaluar pushimet.
/Ora News