Zoti ju dhëntë forcë naftëtarë

Placeholder Image

Nga Ilir Levonja –

Para pak ditësh shkruajta diçka për grevën e urisë së naftëtarëve në Ballsh. Më shumë i adresohesha shoqërisë me qëllim për një sensibilizim social karshi njëri-tjetrit. Eshtë një ngërç social i mundur nga politika. Edhe pse mund të jemi plot që i japim të drejtë naftëtarëve, mbledhim supet. Sidomos ata me prirje politike pranë qeveritarëve. Por edhe ata anti qeveri, kanë hallin e tyre. Madje këtë e kupton menjëherë sapo i avitesh titujve në shtypin e ditës. Greva është e fundit, ose nuk e gjen askund. Kudo dominon debati midis Ramës dhe Metës. Eshtë një debat i ashpër, batuta, qoka, fyerje sa kokat e shqiptarëve kthehen në kor, sa tek Rama aq edhe tek Meta. Megjithatë problemi i shqiptarëve nuk është fare lufta e ashpër mes kreut të shtetit dhe kryeministrit. Po fare ama. Eshtë vetvetja, mungesa e theksuar hallit të përbashkët, ekonomia e tyre. Krahas kësaj prishja një herë e mirë e asaj kulture të mbrapshtë me dhurim lopësh, a ca shtëpi kuvli që po inagurojnë aty e këtu me një batalion kamerash sikur kanë kapur qiellin. Qytetari ka nevojë për dinjitet, jo për lëmosha. Dhe dinjiteti vjen duke e angazhuar atë në punë, me pagë të plotë, me mundësi pagesash si për taksa por edhe siguracione. Eshtë alarmante shifra prej 4% e shoqërisë që aplikojnë siguracionet e pronës. Dhe nuk kanë faj, me çfarë ta paguajnë. Lekët që duhet të marrin shkojnë për show fushate me Eli Farën a Valbona Selimllarin. Pornostaret që eksitohen kur i vihet tritoli bash skenës ku shkeli këmba e Kadri Roshit apo e Drita Pelingut. Çfarë mund të presësh nga kësilloj bibash të tilla. Progres? Asesi! Të paguhen pagat e naftëtarëve? As mos e çoni nëpër mend. Shkojnë për pagat e ndonjë bibe tjetër, nga ato të studiove a nga ato që do flasin sonte në Opinion. Ose nga ato që do dalin nesër dhe do i thurin lavde dështakëve. Atyre që u vjedhin pagat tuaja. Shqiptarët paguajnë pa ngurim siguracionin e makinës, por jo të pronës. Dhe kjo jo vetëm për fajin e tyre, por të kësaj vrimë ekonomie informale gati 30 vjeçare që me taksta tuaja nxjerr në fushatë pornostaret. Të asaj kulture informale nga zyrat e Westernunion-it etj. Për shkak të asaj pritje me sytë nga shtetari që t’u vij e t’u bëj dhoro ndonjë lopë a ndonjë derr. Kurse kur vjen puna tek një aset kombëtar siç është nafta, naftëtarët, edhe pse aksioner, shteti ngre duart përpjetë. Nuk kemi çfarë të bëjmë, e ka privati. E thotë kalimthi, pastaj studiot do dominojnë me debatin Rama Meta. Kjo është absurde për faktin se ekonomia e tyre duhet të jetë e para. Dhe Rama Meta të fundit. Si shoqëri jemi alarmuar kur na është prekur deti. U alarmuam me marrëveshjen e qeverisë Berisha Karamalis në 2009. Edhe tani me këtë Konventën e detit nga ku sipas Ramës, pra nga kjo Konventë Greqia fiton 12 milje etj. Por nuk revoltohemi se si një aset kombëtar si nafta, u është dhënë tregjeve të pista lindore që nuk kanë ndrequr veten dhe jo të na ndreqin ne. Dhe për më tepër kur është e pa mundur që pas aq e kaq viteve të nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, si vend të mos kemi kapacitetin e duhur të specialistëve për të menaxhuar arin e zi. Deri këtu është katandisur vendi ynë sa më perspektivë ka një mut partie se sa një gjeolog a naftëkërkues. Më shumë të ardhme ka një çërr i partisë se sa një konstruktor anijesh a një shkencëtar bërthamor. Nëse do vazhdojmë edhe ca me këtë tifozllëkun harbut karshi politikës, pa u kujtuar për njëri-tjetrin, e humbëm fillin përgjithmonë. Dhe mos pyesni duke bërë sehir trotuarëve a kafeneve, mes llogjeve me nga një teke përpara, se ku t’i gjej qeveria lekët për naftëtarët. Eshtë shumë e thjeshtë, shkurtoni fondet në ribërjen e legjislacionit zgjedhor, pagat e një Kuvendi informal dhe u krye ajo punë. Aferim naftëtarëve.

SHKARKO APP