Nis restaurimi në kullën e kalasë së Krujës, pas dëmtimeve nga tërmeti në 2019
Në kalanë e Krujës ka nisur puna për restaurimin e kullës, që u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit në 2019. Në kullë kanë nisur ndërhyrjet emergjente, dhe ministrja e Kulturës Elva Margariti e quan një lajm të mirë nisjen e restaurimit. “Nisi puna për të restauruar kullën-simbol në kalanë e Krujës! Pas dëmtimeve të rënda nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, kanë nisur ndërhyrjet emergjente përforcuese në Kullën e Sahatit. Bashkë me Milva Ekonomi inspektuam këtë kantier punimesh, ku do të kryhet një operacion shumë delikat për ruajtjen e këtij monumenti, por edhe për të siguruar jetën e banorëve, që jetojnë pranë saj”, shprehte ministrja e Kulturës në një status të saj në Facebook, që ka publikuar dhe foto nga kulla në Krujë. Sipas ministres së Kulturës Elva Margariti, projekti është realizuar nga organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHWB) dhe po zbatohet nga “Leon Construction”, nën mbikëqyrjen e Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Kjo ndërhyrje është mbështetur financiarisht nga “Prince Claus Fund for Culture and Development”. “Ndërhyrjet përforcuese do të ndahen në tri hapa: përforcimi paraprak i kullës, me fasha poliestri dhe binarë druri; përforcimi i plotë i kullës me elemente çeliku; instalimi i sistemit të monitorimit”, pohon ministrja e Kulturës. Kalaja në shekullin XIII-XIV ishte qendra e shtetit të Arbrit. Gjatë periudhës së Skënderbeut u bë kryefortesa e qëndresës së shqiptarëve kundër pushtimit osman. Edhe në ditët e sotme është një ndër vendet më të njohura dhe më të vizituar nga turistët. Hamami i kalasë ndodhet në skajin jugperëndimor të kalasë, afër teqesë bektashi së Dollmës. Ky objekt përbëhet nga katër ambiente. Ambienti i djathtë komunikon me dritare me sterën e ujit. Stera furnizohet me ujë me anën e një dritareje të vogël në qoshen pranë pusit të sheshit. Në mes të sterës është vendi i kazanit të ujit, ndërsa në njërin skaj një kapërderdhës veçon ujin e ftohtë. Përballe muzeut historik kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu ndodhen rrënojat e një ish-kishe që gjatë pushtimit osman u kthye në xhami. Emri e xhamisë është xhamia e Fatih Sulltan Mehmetit.