Agjencia e Sigurimit te Depozitave firmos marrëveshje me Bankën Credins
Agjencia e Sigurimit të Depozitave përzgjodhi Bankën Credins si një nga tre bankat më të mëdha në vend që do të kryejnë funksionet e bankës agjente për një periudhë tre vjeçare.
Në datë 27.01.2021, Banka Credins dhe ASD nënshkruan kontratën për “Kryerjen e shërbimit të bankës agjente për kompensimin e depozitave të siguruara”, për një periudhë tre vjeçare. Kryerja e shërbimit të pagesave për kompensimin e depozitave të siguruara nga Banka Agjente fituese në emër dhe për llogari të Agjencisë në rast të vendosjes së një subjekti anëtar të skemës në likuidim të detyruar me vendim të Bankës së Shqipërisë, është një hallkë shumë e rëndësishme e proçesit të kompensimit, gjithmonë nëse do të ndeshemi më një proçes të tillë në të ardhmen.
Të pranishëm në firmosjen e kësaj marrëveshje ishin z. Genc Mamani, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe znj. Monika Milo, Zv. Drejtore e Përgjithshme e Bankës Credins ku finalizuan me sukses këtë marrëveshje.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave krijuar në vitin 2002, është institucioni që ka mandatin ligjor për të siguruar dhe kompensuar depozitat në bankat dhe shoqëritë e kursim-kreditit, në rast të një ngjarje sigurimi. Një nga elementët thelbësorë për realizimin me sukses të një proçesi kompensimi në rast të vendosjes së një subjekti anëtar të skemës së sigurimit të depozitave në likuidim të detyruar me vendim të Bankës së Shqipërisë, është përzgjedhja e një banke agjente. ASD ka filluar proçesin e përzgjedhjes së bankave agjente në Shtator 2020 dhe proçesi i përzgjedhjes është formalizuar me Vendimin e Këshillit Drejtues të Agjencisë nr.39, datë 15.12.2020 “Mbi përzgjedhjen e bankave agjente në listën paraprake për kryerjen e proçesit të kompensimit”, në përputhje me të gjitha kriteret.
Zv. Drejtoresha e Pergjithshme e Bankës Credins, znj. Monika Milo pas firmosjes së kësaj marrëveshje shprehu mirënjohjen që institucioni i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave ka përzgjedhur Bankën Credins si një bankë agjente dhe ritheksoi se bashkepunimi me këtë institucion ka qënë i vazhdueshëm në drejtim të informimit dhe garantimit të të gjithë depozitueseve individë, tregtarë dhe shoqëri tregtare për sigurimin e tyre deri në nivelin 2,500,000 lekë ekuivalente nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave.
Banka Credins me një eksperiencë shumëvjecare dhe si një nga bankat më të mëdha në vend që udhëhiqet nga standarde të larta të ofrimit të produkteve dhe shërbimeve bankare, ka treguar edhe një herë që vazhdon të jetë solide në tregun bankar dhe që gjithmonë ndërton partneritete me institucione të ndryshme për të ofruar zgjidhje.