1 minutë heshtje për Kryepeshkopin, Spiropali: Ideoi, përgatiti dhe mbështeti brezat e rinj të klerikëve

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali e nisi fjalën në seancë plenare me një fjalë në nder të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, i cili u nda nga jeta më 25 janar. Teksa kërkoi që të mbahet një minutë heshtje, Spiropali tha se Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë ideoi, përgatiti dhe mbështeti brezat e rinj të klerikëve. ”Mbështeti dhe frymëzoi besimtarët orthodhoksë me besimin te Zoti, me ndjenjat e dashurisë, respektit, tolerancës dhe solidaritetit. Ideoi, përgatiti dhe mbështeti brezat e rinj të klerikëve orthodhoksë shqiptarë, me dijet, aftësitë, misionin dhe përkushtimin për të konsoliduar Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë’,-tha Spiropali.
Fjala e plotë
Të nderuar deputetë, më 25 janar u nda nga jeta Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos. Kryepeshkopi Anastas, me vizionin, dijet dhe përdëllimin e tij, në kushte të mungesave e vështirësive shumë të mëdha, për më shumë se tre dekada, ringjalli, ringriti dhe rindërtoi Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë;
Mbështeti dhe frymëzoi besimtarët orthodhoksë me besimin te Zoti, me ndjenjat e dashurisë, respektit, tolerancës dhe solidaritetit. Ideoi, përgatiti dhe mbështeti brezat e rinj të klerikëve orthodhoksë shqiptarë, me dijet, aftësitë, misionin dhe përkushtimin për të konsoliduar Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Projektoi, mbështeti e promovoi institucionet arsimore, humanitare, shëndetësore e kulturore të cilat u kanë shërbyer dhe u shërbejnë të gjithë qytetarëve shqiptarë, pavarësisht besimit dhe përkatësisë fetare. Me përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm, Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Anastas, kontribuoi në harmoninë e bashkëjetesën fetare në Shqipëri, në paqen dhe miqësinë mes popujve të rajonit e në botë.
Për shërbimin e Tij kishëtar e paqësor, Kryepeshkopi Anastas u respektua nga besmitarët, qytetarët dhe institucionet e të dy vendeve, të Greqisë si vendi ku lindi, dhe të Shqipërisë, si qytetar i vendit ku shërbeu deri në fund të misionit dhe jetës së tij.
Sot në Tiranë u krye shërbesa e përcjelljes së Kryepeshkopit Anastas. Duke i shprehur, në emër të Kuvendit, ngushëllimet Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe besimtarëve orthodhoksë për këtë humbje të madhe, dhe si shenjë nderimi e mirënjohjeje për trashëgiminë e Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje. U prehtë në paqe e përjetësi!