10 vite Shqipëria në NATO, Oketa: Rama ia kaloi dhe Enver Hoxhës
Intervistoi: Jonida Halili
Përvetësimi i meritave politike për realizimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut nga ana e Qeverisë dhe veçanërisht kryeministrit Edi Rama në optikën e protagonistëve të 10 viteve më parë ngjan me veprimet që bënte dikur diktatori Enver Hoxha me partnerët e tij ndërkombëtarë. Ish-ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, që firmosi aktin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, thekson se me ceremoninë e së premtes, Edi Rama jo vetëm ia ka kaluar Enver Hoxhë por shkon edhe më larg derisa të përpilojë dhe komunikim imagjinar mes tij dhe Ramës. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Oketa në letrën imagjinare mes Ramës dhe Hoxhës i jep përgjigje dhe lidhjeve që ka Edi Rama kryeministër me sjelljet e tij autokrate, për të mos thënë diktatoriale. Për më shumë lexoni intervistën interesante që sjell anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, dikur ministër i Mbrojtjes në vëmendjen e publikut përmnes “Koha Jonë”.
Të premten ishte 10 vjetori i Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ajo që ra në sy në spotin e qeverisë ishte mungesa e një ftese për ish-krerët e shtetit të asaj kohe, kujtoj këtu ish-presidentin Bamir Topi, ish-kryeministrin Sali Berisha si arkitekt i asaj arritje, apo mungoi një ftesë për ju si ministrin që firmosi aktin e anëtarësimit. Si e komentoni këtë mungesë, a ishte e qëllimshme nga kryeministri Rama për të marrë merita që mbase nuk i takojnë?
Tingëllon si pyetje me sens humori anglez kjo e juaja, kur thoni se a ishte e qëllimshme apo jo mungesa e ftesës për ish përfaqësuesit e institucioneve të shtetit shqiptar? Z Rama nuk është nga ata që i bën gjërat pa asnjë qëllim. Me sa informacion kam nga disa kolegë, të vetmit individ që z. Rama i kishte çuar ftesë, ishte ish diktatori Enver Hoxha. Ai e kishte refuzuar duke i dhënë një përgjigje të gjatë dhe me disa arsye. Përgjigja ishte kjo: “I dashur shoku Rama, ti tashmë nuk ke më nevojë për prezencën time. Ti jovetëm që i ke përvetësuar mësimet e mia, por dhe ma ke kaluar. Ti, ashtu si unë, e bërë kuvendin e Shqipërisë monopartiak. Unë kisha vetëm PPSH në atë sallë, ndërsa ti ke vetëm Rilindjen, të cilën ndonjëherë sipas nevojës e quan edhe PS. Për të ulur nivelin intelektual të kuvendit, mua mu desh të vrisja shumë njerëz të shkolluar, ndërsa ti e mbushe kuvendin me kriminelë e trafikantë të cilët as nuk e kanë idenë çfar është shkollimi. Unë bëja zgjedhje sa për të thënë që demokracia e proletariatit funksionin, ti edhe këtu ma kalove. Ti i blen zgjedhjet. Votuesit të cilët nuk i blen dot, trafikantët që ke në koalicion i kërcënojnë, ata që nuk frikësohen, ti i pushon nga puna ose i gjobit biznesin. Unë kisha një sistem drejtësie të cilin e përdorja thjesht për të dënuar me pushkatim, burg apo internim kundërshtarët e mi politik, ndërsa ti nën preteksin e reformës, shkrive gjykatën kushtetuese e atë të lartë, e tani bën cfar të dojë qejfi me ligjet, tenderat apo koncesionet. Unë sa herë kisha nevojë, gjeja një grup armiqësor brënda partisë, edhe ti me ndryshimet e fundit në qeveri, i gjete nja tetë të tillë menjëherë. Kujdes me atë të punëve të jashtëme. Ka shumë mundësi të jetë koka e grupit. Jam menduar dhe unë disa herë ta prish Teatrin Kombëtar, dhe ti e di që unë, ashtu si ti, kur doja dicka, e bëja, por kisha frikë ti bëja kundër edhe artistët, prandaj e lashë teatrin dhe prisha bashkinë e vjetër. Ti qënke më trim se unë. Edhe pse gjoja je artist, as që e vret mendjen për artin. Ti prish teatër dhe bën kulla. Të bësh kulla është arti i vërtetë për ty. Lëre pastaj me mendian që je i paparë. Unë një stacion kisha, ti jovetëm që ke bërë një TV tënden, ERTV, por nuk ke lënë media pa përdorur për ti mbushur mendjen shqiptareëve se sa sa mirë jetojnë nën diktaturën tënde. Unë e lashë Shqipërinë pa infrastrukturë, ty të lumtë, edhe ato rrugë që bënë të tjerët, ti i takson dy herë, njëherë tek cmimi i karburantit dhe një herë me taksën e rrugës. Të pata thënë se shqiptarët janë popull i urtë dhe se reagojnë me vonesë. Po vetëm kujdes, se kur reagojnë, edhe në varr nuk të lënë rehat. Jam menduar gjatë, por nuk kam arritur ta kuptoj as unë se si ja mbush mendjen dhe ndërkombetarëve. Këtu nuk ma ke fajin ti që se kuptoj, se unë nuk pija as një kafe me ata, e jo më të rrija për dreka apo darka për ti treguar arritjet e revolucionit socialist. Nejse, për këtë flasim një herë tjetër. Tani po e mbyll se dole përsëri ti në televizor. Kujdes me fjalimet se ke filluar ta menderosësh. Rroftë partia. Përqafime. Komandanti.”
Djegia e mandateve nga ana e opozitës, edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj, duket se po has vështirësi në pranimin e këtij akti nga ana e ndërkombëtarëve. A mos do ishte më mirë konsultimi me partnerët ndërkombëtarë për një vendimmarrje të tillë dhe a ka opozita strategji për të bindur këta për drejtësinë e kësaj kauze.
Unë nuk di se deri në cfar pike kanë shkuar konsultimet me partnerët ndërkombëtarë dhe cili ka qënë qëndrimi i tyre jasht bisedimeve të bëra publike. Mos harrojmë se një nga arsyet që çoi opozitën në marrjen e vendimit për djegien e mandateve ishin publikimet e bëra nga Zëri i Amerikës. Vetëm pas këtyre publikimeve dhe mos reagimit të drejtësisë shqiptare, përballë këtyre provave konkrete, opozita shqiptare ju drejtua qytetarëve shqiptare, për të marrë një vendim final. Arsyetimi që bëjnë ndërkombëtarët duke thënë se mandatet nuk duheshin djegur, vlen kur mandatet janë produkt i një procesi zgjedhor korrekt e të ndershëm. Në momentin që janë vetë ndërkombëtarët që paraqesin prova se grupet kriminale, kanë përdorur paratë e pista për të blerë zgjedhjet dhe deformuar vullnetin e qytetarëve, gjykoj se ka diçka që nuk shkon në qëndrimin e tyre. Duket sikur ata janë më shumë të interesuar për stabilitet, edhe pse ky është i rremë, sesa për një demokraci e cila funksionon me të njëjta rregulla e parime si në vendët e BE apo SHBA. Megithatë jam i bindur se çdo ditë që kalon edhe për ta bëhen më të qarta arsyet e këtij vendimi të opozitës dhe sigurisht qëndrimi i tyre do të jetë i ndryshëm nga ky i sotmi. Besoj se raporti i fundit i DASH, flet më shumë e më qartë se çdo deklaratë tjetër diplomatike.
Si do mundet Vangjush Dako dhe PS në Durrës? Keni një plan për të parandaluar shit-blerjen e votës duke qenë se denoncimi i precedentit “Dako” nuk ka sjellë reflektim në radhët e qeverisë dhe kryeministrit Rama.
Kërkesa kryesore e opozitës, pas dorëzimit të mandateve është ajo e krijimit të kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme, të pa ndikuara nga paratë e pista apo bota e krimit. Kjo kërkesë nuk ka të bëjë thjesht vetëm me qytetin e Durrësit por me të gjithë sistemin në tërësi. Nëse duam të hapim një kapitull të ri dhe të korigjojmë gabimet të cilat e kanë ulur seriozitetin e shtetit shqiptar në kuotat më të ulëta në këto 28 vite demokraci, gjykoj se duhet filluar me nje reformim të sistemit në tërësi. Dhe kur them sistem nuk e kam fjalën vetëm për sistemin zgjedhor. Ne kemi nevojë të rivendosim balancat ndërmjet institucioneve shqiptare, balanca të cilat u prishën përfundimisht me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Ne kemi nevojë t’i japim pavarësinë e nevojshme nga politika sistemit të drejtësisë, e jo ta politizojmë akoma më shumë atë, siç po ndodh me reformën aktuale. Ne duhet të krijojmë kushte që drejtësia të funksionojë mbi cilindo politikan që politikën e sheh si biznes për t’u pasuruar dhe jo si një mundësi për t’i shërbyer vendit dhe të ardhmes. Dhe për të hapur këtë kapitull të ri, gjykoj se z. Rama duhet t’i lërë vendin një qeveria tranzitore, e cila duhet të miratojë disa reforma kryesore e më pas vend të shkojë në zgjedhje të përgjithshme. Duhet që ata të cilët kanë shitur apo blerë votën të japin llogari para drejtësisë për çdo krim elektoral që kanë bërë. Më pas, qytetarët duhet të kenë mundësinë të zgjedhin të lirë përfaqësuesit e tyre, dhe të zgjedhurit duhet ta respektojnë vullentin e shqiptarëve.
Prej afro dy muajsh opozita është në protestë e duket se kjo qeveri është e pa shqetësuar nga protestat në rrugë. Cfarë do të ndodhë në ditët në vijim dhe a keni ju mjete për ta detyruar Ramën për të dhënë dorëheqjen?
Nuk më rezulton që qeveria është e pashqetësuar nga protestat e qytetarëve shqiptarë të cilët kanë mbushur sheshet kryesore të Shqipërisë. Nuk besoj se z. Rama ruan dot qetësinë kur shikon mediat më serioze europiane të cilat, pothuaj çdo ditë, flasin për protestat masive të qytetarëve shqiptarë dhe të opozitës, flasin për kapjen e qeverisë shqiptare nga bota e krimit, për trafikun e drogës, për pastrimin e parave të pista dhe kriminalitetin në rritje. Opozita nuk ka mjete të tjera përveç atyre demokratike. Fatmirësisht, në protestë nuk është vetëm opozita. Protesta i kalon kufijtë e partive politike opozitare. Ajo është protestë e qytetarëve shqiptarë të cilëve ju premtua punësim, por në fakt ju ofrua emigrim, ju premtua shkollim më cilësor, por në fakt ju dha arsim me tarifa të papërballueshme, ju premtua ulje taksash, por u taksuan dhe për rrugët, ju premtua shëndetësi falas, në faks sot të gjithë ata përcillen në dyert e spitaleve private ku tarifat janë më të larta se në perëndim, e qytetarëve të cilëve ju premtua luftë kundër krimit, por sot ata i kanë kriminelët në kuvend apo duke drejtuar institucione shtetërore, atyre të cilëve ju premtuan pensione më të larta, por që kurrë nuk e gëzuan një gjë të tillë, është protestë e artistëve, të cilëve jovetëm nuk ju dha kurrë mbështetje, por kërkon t’u prishë dhe „shtëpinë“, është protestë e të gjithë atyre që nuk e durojnë më korrupsionin qeverisës, i cili vetëm në dy kilometra rrugë në Tiranë, vjedh 40 milion euro.
Shumë personazhe politike flasin se mund të kemi një skenar destabilizimi. A mendoni se po ndodh diçka e tillë?
Unë shoh vetëm një individ të destabilizuar. Fatkeqësisht ai është kryeministri i vendit tonë. Pavarësisht kësaj nuk besoj se ka aq forcë sa ta destabilizojë dhe Shqipërinë. Çdo imagjinatë mbi skenarë të tjerë gjykoj se bëhet thjesht për të dëmtuar aksionin e opozitës dhe për ti bërë shqiptarët që të pajtohen me këtë realitet edhe pse ai nuk i shërben interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve.