100 ditë kohë për pastrimin e Policisë, lëvizjet me ”gardën e vjetër”

Nga Redjon Shtylla

”Një kohë ekstreme kërkon masa ekstreme”. Fjalët e ngjyrosura për kriminalitetin në vend nga qeveria për kohën prodhojnë zhurmë. Vrasjet dhe ekzekutimet mes bandave, çuan sot në atë që quhet ”furtunë” në Policinë e Shtetit, që për ironi bëhet sa herë kronika e zezë është në ditë të zeza. 10 drejtori vendore përjashtuar Tiranën dhe Gjirokastrën, kanë drejtues të rinj, por me emra të ”vjetër”.

Largimi i Niko Brahimajt nga drejtimi i Shkodrës dhe emërimi në Policinë Shkencore. Vendin e tij në Shkodër e merr Skënder Hita, i cili më parë ka mbajtur postin e zv/drejtorit në këtë qark. Dhimitraq Ziu, nga kreu i rendit në Policinë e Tiranës, shkon në radhët e Policisë Rrugore, ndërsa Elbasani do të drejtohet nga Gjovalin Loka. Një tjetër ndryshim i cili pritet të ketë efekt në parandalimin e krimit është dhe transferimi i shefit të komisariatit numër 2 në Tiranë, Olton Bistri, në drejtorinë e Policisë së Vlorës. Ardian Çipa, deri tani në Akademinë e Sigurisë, transferohet dhe emërohet Drejtor i Policisë Korçë. Këto lëvizje ishin parashikuar që të ndodhin në muajin shtator, por ngjarjet e fundit kriminale përshpejtuan procesin e paralajmëruar dhe nga ministri i Brendshëm.

A është kjo zgjidhja për të kontrolluar rendin në Shqipëri, për të parandaluar vrasjet dhe për të kapur të ”fortët”? Lëvizja është zgjidhja që bën bujë dhe jep impakt tek publiku që Policia e Shtetit është në këmbë, por sa efektive është, kur kjo lëvizje bëhet me emrat ”e vjetër” të Policisë? Gjatë muajve të fundit vendi është përballur me vrasje të frikshme, me ekzekutime profesioniste që ende sot nuk kanë autorë dhe persona të arrestuar. Pas aksidentit tragjik që shuajti familjen Gushi, Policia Rrugore po vë ”lum” gjobash, por përse ky aksion nuk u ndërmor përpara aksidentit fatal? Mbetet kjo lëvizje në kuadrën e një propagande? Koha do ta tregojë nëse do të kemi përmirësim të situatës së rendit.

Prej disa javësh vendi po përjeton krime të frikshme, çdo ditë vërshojnë plumbat edhe nën sytë e forcave speciale të Policisë së Shtetit. Atentate me eksploziv në limitet e një akti terrorist, ekzekutime mafioze e deri tek vrasje me thikë apo dhe ato për motive banale, kanë bërë që policia ti përgjigjet situatës me postblloqe. Kudo polici, forca speciale, të armatosur deri në dhëmbë që po terrorizojnë qytetarët.

A ka ardhur momenti që “të fortët” e policisë në komisariate dhe drejtori të largohen? Ata që ishin dhe janë të lidhur me bandat, me abuzuesin e ligjit, me ata që nuk respektojnë asgjë ligjore, me ata që ndërtojnë natën dhe mbushin xhepat e policëve me para. Kryeministri Edi Rama sot tha se i ka dhënë 100 ditë kohë Policisë së Shtetit për të rivënë sipas tij në angazhim maksimal të gjithë trupën për të rikthyer besimin te qytetarët.

Nëse nuk është arritur në këto 8 vite të qeverisjes së Ramës, as kur Ministrinë e Brendshme e drejtonte kampioni Saimir Tahiri, si mund të arrihet në 100 ditë? Lidhja e të ”fortëve” me kriminelët duket që të jetë e fortë, pasi shumë raste janë zbuluar sesi kanë bashkëpunuar për kalimin e kanabisit nga deti dhe toka. Veç se të presim dhe të shohim rezultatet pas 100 ditëve, kohë kur nis punën qeveria Rama për mandatin e tretë.

SHKARKO APP