11 Maji, Kolegji Zgjedhor i hap rrugën KQZ-së për certifikimin e zgjedhjeve
Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar 12 paditë e paraqitura nga Partia Demokratike. Mes tyre ishin edhe ankesat e fundit për qarqet Elbasan, Durrës dhe Fier. Ky vendim i hap rrugën Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Të gjitha përpjekjet ligjore të opozitës për të kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve janë mbyllur. Tashmë mbetet në dorën e KQZ-së që në ditët në vijim të japë certifikimin përfundimtar të zgjedhjeve të 11 majit.
Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu, kritikoi ashpër procesin gjyqësor, duke e cilësuar hetimin si të cekët dhe të pabazuar. ”Komisioni nuk u thellua në hetime. Një trajtim sipërfaqësor. Ky proces është shoqëruar me disa gjëra që habisin. Ju patë që përfaqësues të KQZ-së deklaruan se raportet e OSBE-së nuk janë provë”, tha Logu.
Kurse përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, Eridian Salianji vlerësoi vendimet e Kolegjit si dëshmi të qartë se procesi zgjedhor ishte i ligjshëm dhe i rregullt. “Rrëzimi i 12 ankimimeve tregon se zgjedhjet ishin në rregull. Ashtu siç u konstatua në këtë proces prej më shumë se dy muajsh, u vërtetua që asnjë nga pretendimet e PD-së nuk provoi shkeljet që përmendte. 12 vendime, të gjitha brenda shtyllës ligjore, ky ishte një proces që eci në përputhje me ligjin’‘, tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

