112 mijë kërkesa nga emigrantët për të votuar. Përplasjet PS-PD ngecin ndryshimet në Kod

Shqiptarët e diasporës çdo ditë e më shumë aplikojnë për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 majit si votues. KQZ ka shqyrtuar më shumë se 112 mijë aplikime, por ka pranuar vetëm 70 mijë individë. Paralelisht, mbi 41 mijë raste janë refuzuar, pasi nuk kanë provuar si duhet adresën e tyre të banimit në emigracion.

KQZ ka në dispozicion 5 milionë euro të llogaritura për të përballuar kostot e postës vajte-ardhje për 100 mijë zarfe me fletë votimi. Por tenderi akoma nuk po hapet, sepse komisioni pret që Kuvendi të miratojë ndryshime në Kodin Zgjedhor, që e lejojnë KQZ-në të paguajë të gjitha kostot e postës. Edhe pse PS dhe PD e arritën një dakordësi në zyrën e Ilirjan Celibashit, rrugës ndasitë mes palëve u forcuan duke rrezikuar marrëveshjen, e cila kërkon 84 vota për tu miratuar në Kuvend.

PS dhe PD depozituan amendamente të ndryshme në Kod, por edhe pse ato datojnë që në 21 janar, asnjë hap nuk është ndërmarrë për tu shqyrtuar në organet e Kuvendit. Shkak parë ndasitë mes palëve, është bërë pretendimi i PD-së, që të lejohen të votojnë edhe ata shqiptarë jashtë atdheut, që nuk kanë asnjë dokument identifikues shqiptar, por që kanë një dokument biometrik të huaj, kërkesë e cila është refuzuar që në fillim prej socialistëve.

SHKARKO APP