Qeveria e mbytur në borxhe, prapë merr borxh! Ç’bëni shqiptarë, pse rrini?! Ngrihuni dhe shporreni këtë Qeveri!
Qeveria “Rama” ka vendosur që në muajin tetor 2020 do të marr nga Banka Botërore edhe 80 milionë euro borxh. Në një situatë normale, marrja e huasë financiare për zhvillimin e ekonomisë nuk do të përbënte asnjë shqetësim. Por arsyeja se përse qeveria po merr borxh këtë herë është skandaloze. 80 milionë euro i duhen kabinetit “Rama” për të kontrolluar zbatimin e koncesioneve, ose atyre që njihen ndryshe si kontrata të partneritit publik privat (PPP).
Mënyra sesi funksionojnë këto kontrata është cilësuar gjerësisht si një vjedhje e hapur e buxhetit të shtetit. Qeveria u jep pa garë dhe tender paratë e buxhetit, pikërisht atyre biznesmenëve që marrin përsipër të kryejnë shërbime të caktuara. Shërbime, që si rregull, mund të kryhen fare mirë nga institucionet shtetërore. Shuma e parave që marrin për këtë shërbim bizneset e besuara të qeverisë, zakonisht është disa herë më e lartë se vlera reale. Në këtë mënyrë paratë e shtetit kalojnë te privati dhe qeveria bën sekserin duke i shpërndarë sipas interesave që ka ndarë me biznesmenët. Skandali qëndron në faktin se për të kontrolluar mënyrën sesi kanë ecur këto koncesione duhet të marrim edhe 80 milionë euro borxh! Nuk mjaftojnë ligjet e shtetit për kontrollin e kontratave, por duhen edhe 80 milionë euro borxh?!
Nuk mjafton as Kontrolli i Lartë i Shtetit që i ka nxjerrë këto kontrata krejt problematike. Tani duhet të marrim borxh për të vlerësuar sesi i ka ndarë lekët qeveria me biznesmenët!!
Këtë punë mund ta bënte me mirë prokuroria dhe SPAK dhe pa lekë fare. Mjafton të merren kontratat, të shihet vlera reale e shërbimit dhe qytetarët do të mësonin sesa është vlera reale e korrupsionit me PPP-të e famshme.
Dhe do të vlonin prangat në duart e ministrave dhe zyrtarëve që kanë firmosur. Nuk do të mjaftonin furgonët e policisë së Tiranës me sa arrestime zyrtarësh do të mbushnin qelitë.
Por nëse SPAK-u heton!
Skandali tjetër me marrjen e borxhit nga Banka Botërore lidhet me kolapsin ekonomik ku rilindja po e fut vendin. Institucionet shtetërore kanë bërë ç’është e mundur të fshehin vlerën reale të borxhit publik që ka vendi. Ekspertët e pavarur e kanë të pamundur të japin të dhëna të sakta, pasi shifrat e qeverisë për këtë çështje trajtohen si sekret shtetëror. E dhëna e vetme zyrtare është ajo e vitit 2019, ku vlera e borxhit publik cilësohet 9.1 miliardë euro ose 65 % e prodhimit të brendshëm bruto. Organizatat ndërkombëtare financiare e vlerësojnë edhe më keq situatën. Sipas tyre, niveli i borxhit në Shqipëri ka tejkaluar 71 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo shifër është me larta për vendin dhe krahasimi me një situatë e ngjashme ekonomike mund gjendet vetëm në vitin 1997, pas rënies së firmave piramidale.
Rritja në shifra alarmante e borxhit ka ardhur kryesisht prej koncesioneve dhe PPP-ve. Pra, qeveria ka marrë borxh të bankat ndërkombëtare për t’u dhënë para bizneseve të dyshimta të koncesioneve. Në këtë mënyrë ekonomia ka hyrë në një skenar apokaliptik që nuk ka ekonomist që e nxjerrë nga situata. Kemi marrë borxh për të kryer investim dhe paratë janë dhënë për oligarkët me PPP. Tashmë që borxhi ka arritur kulmin marrim serish hua para të tjera për të kontrolluar borxhin dhe skemat korruptive. Skenar më falimentues për ekonominë nuk mund të gjendej në asnjë rrethanë tjetër.
Çuditërisht qeveria quan sukses faktin që Banka Botërore dhe institucionet e tjera monetare i japin kredi. Sipas saj, në këtë mënyrë organizatat ndërkombëtare vlerësojnë reformat. Arsyeja reale nuk ka të bëjë me reformat, por me mënyrën sesi funksionojnë bankat. Qeveria e ka zhytur Shqipërinë në borxhe dhe vazhdon të marrë prapë borxh për të kontrolluar borxhet!!
Bankat ndërkombëtare nuk kanë si të humbasin një klient amator ri Rilindja. Ato do të vazhdojnë ta mbështesin fortë qeverinë, përsa kohë marrin interesa të majme dhe taksat e shqiptarëve që keqadministrohen me borxhe.
Pra të mbyturit i japin borxh derisa çdo shqiptar do fillojë të flasë me vete prej qeverisë që ia mori shpirtin dhe jetën.
Qeveria e ka zhytur vendin në mjerim, papunësi, krim, me pushtete të vjedhura dhe tani po e mbyt edhe me borxhe të jashtëzakonshme.
Ndaj ngrihuni shqiptarë dhe mos rrini! Zbojeni këtë qeveri që shkatërroi Shqipërinë!