14 vjetori i vdekjes së Rugovës, Berisha: Kosova dhe kombi shqiptar, para tradhtisë së dytë të madhe

Ish-kryeministri Sali Berisha ka përkujtuar 14 vjetorin e ndarjes nga jeta të politikanit dhe ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Përmes një shënimi në rrjetet sociale, Berisha thekson se Rugova ishte arkitekti i Kosovës të pavarur.

“Të dashur miq, me 21 janar të vitit 2006 presidenti Ibrahim Rugova, arkitekti i Kosovës te pavarur mbylli sytë përgjithmonë. Presidenti Rugova do të mbetet dhe nderohet përjetë në historinë tonë kombetare si burri i shtetit, që me trimëri të jashtëzakonshme, mençuri dhe vizion të pashoq themeloi në kushtet e pushtimit barbar serb shtetin paralel të shqiptarëve në Kosove.

Ai me këmbëngulje të palëkundur, civilitet dhe aftësi të rralla diplomatike arriti me qëndresën e tij paqësore, të ngjashme me atë të Mahatma Gandit që çështjen e drejtë të shqiptarëve të Kosovës ta shndërronte në një çështje të botës së lirë, SHBA-së dhe vendeve të tjera të mëdha. Ai së bashku me luftën, gjakun, sakrificën e mijëra luftëtarëve të lirisë, Komandantit legjendar Adem Jashari dhe ofensivën e fuqishme të NATO-s kundër kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç, arriti të bëjë realitet Kosovën e lirë dhe të pavarur.

Sot pas 14 viteve, kur Kosova dhe kombi shqiptar ndodhen para tradhtisë së dytë të madhe nga vegla e Beogradit në Tirane, Miladini shqipfolës në Prishtinë dhe Baton Stanishiqi, shqiptarët kudo që janë duhet të ngrihen në mbrojtje të Kosovës së lirë dhe të pavarur, veprës së pavdekshme të presidentit Rugova, komandantit legjendar Adem Jashari dhe dhjetëra mijëra martirëve dhe heronjve të saj të të gjitha kohërave dhe t’ju japin ndëshkimin e merituar tradhtarëve të kombit, argatëve të Beogradit në Prishtinë dhe Tiranë.

Nderim përjetë kujtimit dhe veprës së ndritur të Presidentit Ibrahim Rugova”, shprehet ish-kryeministri Sali Berisha.

SHKARKO APP