18-vjeçari dhe kullat pa shtet si arkivole
Nga: Redjon Shtylla
”S’po na dëgjonte njeri pasi kishte shume erë të fortë. Ne ishim në gjëndje të rënduar pasi dallgët po na rrëmbenin dhe po pinim shumë ujë. Erdhi Igli, roja me vëllain me shpejtësi dhe mbas tyre edhe një pedalone”. Ky është rrëfimi i të miturit 15-vjeçar, që jetën ja shpëtoi Anri.
Duam turistë, por mungon kultura, duam pushues, por mungon siguria dhe shteti. Tragjedia që erdhi nga akti i jashtëzakonshëm human dhe vetëflijues i 18-vjeçarit Anri Kashiku, që u hodh në detin e trazuar të Durrësit për të shpëtuar vëllain dhe shokun e tij, të dy 15-vjeçarë, është një dhimbje që vështirë të të lejojë të shkruash, por DUHET. Duhet pasi mes dhimbjes dhe aktit sublim të një të riu që jetën e preu në mes, kërkon atë që shkruajtëm më lart, SIGURI NË PLAZH.
Kullat në plazhet e Shqipërisë janë, por rojet si për dreq nuk ka, mjetet e ndihmës së shpejtë jo e jo. Rojet me trupa muskuloz i kemi parë në filma, se në vendin tonë, janë vetëm dërrasat e kullave, që në shumë vende edhe janë kalbur. Pse është kaq e vështirë që shteti të paguajë rojet bregdetare në muajt e sezonit veror?
Pse dreqin për ministrat që do të pushojnë e do të relaksohen në muajin gusht në vilat qeveritare, shteti për ta paguan edhe peshqirë me pambukë egjiptian? Pse dreqin pas çdo ngjarje tragjike, duhen renditur PSE-të, kaq e pamundur është siguria në plazhe? Pse dreqin qeveria ulëret çdo ditë për sezon turistik, kur minimuni nuk të ofron siguri?
Çdo subjekt që merr lejen për të përdorur zonën e plazhit duhet të pajiset me rojën bregdetare të kullave të vrojtimit. Këtë e thotë Këshilli i Ministrave. Në teori e zbatueshme, por në praktikë s’ndodh kështu. Policia e Shtetit sot thotë se roja bregdetare kishte vendosur sipas rregullores flamurin e kuq, por është tragjedi të theksosh që flamuri kuq ishte vënë, kur në det dy jetë kërkonin ndihmë.
Anri shpëtoi të vëllain, se gjaku e thirri drejt detit të trazuar, por që të mos kemi më KURRË të rinj që i futen detit për të shpëtuar jetë, e lënë të tyren, kullat shteti duhet ti ketë me roje, ose të mos i mbajë aty sa për fasadë, të mos i mbajë më aty si arkivole që marrin jetë njerëzish në det.
Tragjedi të tilla ndodhi kudo, por minimumi i një shteti është SIGURIA. Në plazh shkojmë për të kaluar momente relaksi dhe pushimi, e që të mos kthehen në morte dhe tragjedi, kullat shteti duhet ti mbushë, siç mbush zyrat shtetërore me militantë, duhet të gjejë ROJE bregdetare, të investojë, e ti mbështesë ata që duan të jenë të tillë.