”21 Janari”/ Basha nxjerr videon dhe i kujton Metës akuzat për Berishën: Sot bën sikur e mbron
Nuk ka vonuar shumë që Lulzim Basha ti përgjigjet Ilir Metës, për akuzat që sipas tij, ish-kreu i PD-së është përgjegjës për ”21 Janarin”. Meta tha se Basha i cili asokohe ishte ministër i Brendshëm, kishte informacione për kaosin, por nuk veproi. Basha i përgjigjet Metës përmes një video, ku shkruan se ”I njëjti person që sot bën sikur mbron Sali Berishën, ka bërë akuza nga më monstruozet ndaj tij edhe në këtë rast”.
Postimi i plotë i Lulzim Bashës:
Drejtësia ka shumë për të zbardhur për 21 janarin. Nga Ilir Meta, njeriu me bllok, te Edi Rama, organizatori i protestës me sebepin e bllokut, i cili më pas çuditërisht e bëri Ilir Metën pjesë të pushtetit dhe ata që i akuzonte si pjesë e grupit të zjarrit i emëroi kryetar të PS dhe të Bashkisë. E më pas e gjithë e vërteta deri në fund.
Mashtrimet ordinere dhe zig-zaget e përditshme nuk mund t’i fshehin faktet të cilat janë para syve të çdo shqiptari. I njëjti person që sot bën sikur mbron Sali Berishën, ka bërë akuza nga më monstruozet ndaj tij edhe në këtë rast.
Ilir Meta është simbol i pandëshkueshmërisë dhe i pazareve në kurriz të shqiptarëve dhe demokratëve. Pazaret, deliret dhe ankthet e tij kanë dëmtuar rëndë opozitën, ndërsa distancimi nga ai dhe të ngjashmit e tij janë kusht i pashmangshëm për fitoren e saj.