25 prilli, beteja e Erisa Xhixhos në njësinë 2 të Tiranës: Gjendja është e mjerueshme
Lëvizja Socialiste për Integrim ishte e para që publikoi emrat e kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit. E renditur e dyta në listën e Tiranës, Erisa Xhixho ka nisur fushatën në njësinë 2 në kryeqytet. Takimet me banorët dhe bizneset në njësinë 2 janë të përditshme për ish-zv.ministren e Integrimit, e cila përcjell tek ta programin e forcës politike që përfaqëson. Në një intervistë për ”Euronews Albania”, kandidatja për deputete tregon problematikat që kanë qytetarët në përditshmërinë e tyre.
”Gjendja është e mjerueshme. Padyshim që kriza e pandemisë e ka nxjerr edhe më qartazi mungesën e politikave të qarta ekonomike. Ajo që të bën të dëshpërohesh është shpresa e tyre për të ikur jashtë vendit, për ta gjetur diku tjetër të ardhmen e tyre”, thotë Xhixho.
Si forcë politike që mbështetet nga të rinjtë, Xhixho tregon se ne programin me 5 pika në fokus është edhe kjo kategori. ”Edukim i lidhur me punësimin. Të rinjtë duhet t’i orientojmë drejt fushave të cilat mund të sjellin punësimin dhe një pagesë dinjitoze në momentin që ata bëhen pjesë e tregut të punës”.
Në listën e Tiranës ajo është e renditur e dyta pas Monika Kryemadhit. Këtë Xhixho e shikon si një përgjegjësi për besimin që i është dhënë. ”Mendoj se është privilegj dhe një përgjegjësi shumë e madhe për mua për të përmbushur atë vlerësim”.