6 gra të vrara në 8 muaj, drejtësia liroi nga burgu vrasësit

Organet e drejtësisë dështojnë të mbrojnë familjen, pasi gjyqtarët dhe prokurorët lirojnë nga burgu vrasësit. Vrasja e 23-vjeçares Sabrina Benga në shtëpinë e prindërve në Zhupan të Fierit nga ish-burri, ishte një krim i paralajmëruar. Elton Metaj ndodhej prapa hekurave deri në korrik të këtij viti kur dhe u lirua.

Gjyqtari i Fierit, Piro Sota po ashtu liroi nga spitali psikiatrik i Zaharisë, vrasësin e 23-vjeçares. Vrasjet e grave kanë tronditur vendin nga veriu në jug. Në 8 muaj 6 gra u vranë nga bashkëshortët. Deri kur do të vriten gratë? A është kaq e pamundur shpëtimi i grave nga kthetrat e burrave.

Demokrat Medinaj, 29-vjeç, goditi për vdekje 31 herë me thikë gruan e tij, Irvana Hyka, 28 vjeç. Ajo ishte 6 javëshe shtatzënë. Krimi ndodhi pasditen e 17 marsit në lagjen “Sheq i madh” të Fierit, në sytë e fëmijëve të çiftit.

Burri i vuri flakën bashkëshortes së tij për së gjalli në makinë në fshatin Manskuri të Kavajës. Ngjarja horror ndodhi të shtunën e 10 prillit, kur Fëllënza Shirja, 45-vjeçe, u gjet e shkrumbuar në makinë. I vetëvarur në një pemë u gjet edhe bashkëshorti i saj, Bilbil Shirja.

Më 6 maj, 54-vjeçarja Luljeta Buzo, sapo kishte mbaruar seancën për procesin e divorcit në Gjykatën e Elbasanit, kur bashkëshorti Koço Buzo e qëlloi me thikë dhe më pas 7 herë me kallashnikov.

Menderie Bici, 53 vjeçe, u ekzekutua me sëpatë nga bashkëshorti i saj 56-vjeçar, Qemal Bici. Ngjarja e rëndë ndodhi në datën 7 qershor në Dragustrinjë të Librazhdit.

Artan Ismalaja goditi me thikë gruan e tij, Klarita Ismalaja, në makinë në Fushë Krujë në datën 5 korrik. Si pasojë e plagëve të marra në qafë, e reja vdiq si pasojë e hemorragjisë.

SHKARKO APP