64% e qytetarëve pro PS. Manjani: Duhet ndërruar populli, PD ka shpresë nëse…

Juristi Ylli Manjani komentoi gjetjet e Barometrit në ”Euronews Albania”, ku 64% e shqiptarëve të pyetur mendojnë se fituese do të jetë Partia Socialiste. Në emisionin Now, Manjani tha se gjetja e këtij sondazhi është partia ‘Asnjë’, që sipas tij tregon perceptimin se asnjë parti nuk i zgjidh problemet sot.
”Në prag të këtyre zgjedhjeve shumica e shqiptarëve mendojnë se gjërat nuk po shkojnë mirë nga pikëpamja ekonomike. Kur vjen puna te situata politike ka një parti mjaft interesante që është partia asnjë, ku kjo parti është ajo që zgjidh problemet.
Asnjë parti nuk i zgjidh problemet sot, kjo na çon te konkluzioni që shqiptarët janë pajtuar me këtë fotografi politike që ka sot vendi. Ajo që 64 për qind e shqiptarëve mendojnë se zgjedhjet i fiton PS, jua kam thënë që duhet ndërruar populli.
Unë mendoj se nuk është pa shpresë, ka të bëjë shumë si impostohesh me publikun. PD ka një mal shumë të madh për të kaluar, diferenca PS-PD është shumë e madhe, por PD nuk është pa shpresë nëse do kishte një qasje tjetër dhe mendoj se edhe si mbledhje aritmetike përqindjesh është e mundur. PD mund të shkojë edhe 46 për qind nëse heq nga lista emrat e vjetër si Noka dhe vendos këta të pavendosurit por ka mundësi eksplorimi”, tha Manjani.
Sondazhet japin fitore të madhe PS-së, ndërsa votohen edhe partitë e reja. Ndërkohë PD ka mbetur në kuota të ulta.