7 vatra aktive zjarri/ Situatë kritike në Dukat, po rrezikohen banesat

Në ditën e 16-të të zjarreve në vend, numërohen 7 vatra aktive në të gjithë territorin e vendit. Që prej mbrëmjes së djeshme, zjarri në Dukat është riaktivizuar pasi era ka ndikuar në përhapjen e flakëve, duke shtuar intensitetin e tyre. Në pjesën tjetër të vendit thuajse situata është qetësuar ku nuk ka vatra aktive ose janë të vogla dhe të kontrollueshme.

Raporti nga Ministria e Mbrojtjes

Vijon po ashtu puna për shuarjen përfundimtare të flakëve në Gjirin e Gramës.

-Zjarri tek Maja e Rrunës, në Kukës është vënë nën kontroll vatra në drejtimin nga vendi i quajtur Laku i Thive, por po monitorohet nga forcat operacionale. Mbetet aktiv zjarri sipër Tunelit të Kalimashit, ku situata është përkeqësuar për shkak të erës.

-Po punohet për të mos lënë përhapjen në territorin e njësisë administrative Surroj, ku mund të ketë rrezik për stanet e fshatit.

-Puna vijon pandërprerë me vatrat në fshatin Thirrë dhe fshatin Munellë-Domgjon, të bashkisë Mirditë, ku ende ka vatra aktive në një pjesë të zonave.

-Në kontroll janë vatrat në fshatin Vermosh, në Malësi të Madhe, vatra në luginën e Valbonës në fshatin Klysyrë si dhe vatra në fshatin Gjorgos në Cakran të Fierit.

-Zjarri i rënë në pyllin Shetaj afër Kepit të Rodonit në Durrës nuk paraqet rrezik për zonat e banuara, por po mbahet nën monitorim.

-3 vatra të tjera si ajo në fshatin Deshiran në bashkinë Belsh, zjarri në vendin e quajtur “Varri i Nures”, në kufi midis Përmetit dhe Skraparit në Bejkollarë, por edhe zjarri i rënë në zonat e mbrojtura, Parku Kombëtar, Bredhi i Hotovës-Dangëlli tashmë janë shuar.

SHKARKO APP