77 vota pro buxhetit 2022, PS rrëzon amendamentet e Braçes dhe LSI
Kuvendi ka miratuar buxhetin 2022, dhe ka rrëzuar amandamentet e ish-zv/kryeministrit Erion Braçe dhe LSI-së. Në Kuvend është miratuar edhe amendamenti i Taulant Ballës për fonde shtesë për Reformën në Drejtësi me 87 vota.
Braçe tha se me këtë paketë të prezantuar nga qeveria është goditur më i dobëti duke kërkuar të hiqet favorizimi TSVH-së për hotelet me 5 yje, pasi sipas tij mjafton favori që iu është bërë me lejimin e kazinove.
”Unë kam paraqitur mbi 10 amendamente, do t’i prezanton një për një. Ligji për tatimin mbi vlerën e shtuar, kam kërkuar fillimin shkurtimit të listës së përjashtimit të listës fiskale, do të doja që në ligjin për TVSH të propozoja heqjen e këtyre dy përjashtimeve: Heqjen e shkallës së reduktuar prej 6% tatimit mbi vlerën e shtuar për të gjitha furnizimet në hotelet me 5 yje. Çdo furnizim brenda këtyre hoteleve, paguajnë vetëm 6% TVSH në dallim nga çdo konsumator tjetër, përfshirë edhe atë familjar duke nisur që nga çmimi i bukës”.
Projektbuxheti parashikon rritje të pagesës së papunësisë, dyfishimin e ndihmës ekonomike për 15 mijë familje në vend si dhe trefishimin e ndihmës për familjet në nevojë me 3 fëmijë.
Po ashtu do të rriten pagat me 6% për bluzat e bardha dhe arsimtarët, rritje me 7% për pagat e Gardës së Republikës, si dhe rritje me 30% për personelin e forcave të armatosura.
Paga minimale– ajo do të arrijë në 32 mijë lekë brenda 2022, ndërkohë që për pensionet do të ketë vetëm indeksim sa vlera e inflacionit si dhe do të jepet bonus 5 mijë lekë në fundvit.
Paketa fiskale- me votat e mazhorancës u miratuan 4 projektligjet, dhe ndryshimet kryesore ishin tek bujqësia, ku u hoq rimbursimi për fermerët dhe u vendos taksë 10% për inputet.
Taksimi progresiv mbi pagat– u ndryshua, pagat deri në 40 mijë lekë nuk do të paguajnë tatim, pagat nga 50-200 mijë lekë do paguajnë 13% dhe pagat mbi 200 mijë lekë do të paguajnë 23%.
Projetkligji për akcizat– u vendos rritje e akcizës për cigaret, apo vendosja e taksës 6 lekë për çdo litër gaz nga korriku i 2022.
Taksat kombëtare– do vendoset taksë 40 lekë për litër për karburantin me të cilin furnizohen jahtet, si dhe taksë për qumështin pluhur dhe nën produktet e tij për të gjitha kompanitë që nuk e reflektojnë në etiketën e prodhimeve të tyre.