9 shtatori – Dita e parë e Parlamentit të ri, Berisha s’do pranojë drejtimin e seancës
Seanca e parë parlamentare për legjislaturën e re do të mblidhet më 9 shtator, në orën 10.00. Presidenti Ilir Meta dekretoi këtë datë për parlamentin e ri të dalë pas zgjedhjeve të 25 qershorit dhe që i hap kështu rrugë nisjes së legjislaturës së 9.
Pikërisht data 9 shtator, shënon mbarimin e mandatit të parlamentit aktual për mbledhjen e deputeteve të rinj.
Sipas Rregullores së parlamenti, në datën 9 shtator, e vetmja detyrë e deputeteve është ngritja e komisionit për verifikimin e mandateve, i cili ka dy ditë afat për të verifikuar mandatet e deputetëve të rinj.
Në seancën pasardhëse, deputetët bëjnë betimin dhe zgjedhin Kryetarin e Kuvendit, i cili sipas vendimit të maxhorancës socialiste do të jetë Gramoz Ruçi.
Ditën e konstituimit të parlamentit, Presidenti i Republikës Ilir Meta dekreton kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, i cili rikthehet në parlament për të shpallur programin e qeverisë.
Në 2013 debati për programin e qeverisë Rama ka zgjatur dy ditë, e nëse edhe do të ndiqet i njëjti skenar më 15 shtator, Shqipëria do të ketë në detyrë qeverinë e re.
Gjithashtu, Kushtetuta parashikon që kjo seancë e parë të drejtohet nga deputeti më i vjetër, i cili është ish-kryeministri Sali Berisha.
Nuk dihet ende nëse kësaj radhe z.Berisha do të pranojë ta kryesojë seancën e parë, apo do të veprojë njësoj si para 4 vjetësh kur refuzoi, ndonëse ishte deputeti më i vjetër.
Burime për “Gazeta Shqiptare” pranë ish- kryeministrit bëjnë me dije se as këtë herë z.Berisha nuk do të pranojë drejtimin e seancës së parë plenare, gjithsesi mbetet për t’u parë deri me datën 9 shtator.
Kujtojmë që katër vite më parë, drejtimin e seancës e mori Namik Dokle, si deputeti më i vjetër pas Berishës.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në seancën e 9 shtatorit. Parlamenti i ri, i dalë nga 25 qershori, këtë herë ka si deputetë Edi Ramën, Sali Berishën dhe kreun e opozitës Lulzim Basha, por nuk ka Ilir Metën.
Përballja mes mazhorancës dhe opozitës duket se do të jetë interesante pasi PD-ja kësaj here ka dy zëra të fuqishëm në Kuvend: Berishën dhe Bashën, por njëherësh edhe një opozitë të re, Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Por nuk dihet se sa kohë do të ketë në Kuvend për të folur ish-kryeministri Berisha, i cili gëzonte tolerancën e ishKreut të Kuvendit Ilir Meta për të folur sa herë të donte dhe sa të donte në Kuvend. Ketë legjislaturë e drejton Gramoz Ruçi, një kundërshtar politik i përbetuar i Sali Berishës, gjë që mund të reflektohet edhe gjatë detyrës së tij të re në krye të parlamentit.
KOHA JONË SONDAZH

