Adriatik Lapaj: Marrëveshjen me Italinë do e çojmë në Kushtetuese!
Sa i takon vendimit mes dy Kryeministrave respektivë të Shqipërisë dhe Italisë për ngritjen e qendrave ku do të strehohen dhe trajtohen emigrantët nga vende të ndryshme të botës, kryetari i lëvizjes politike “Shqipëria Bëhet” ka ndërmarrë angazhimin e çuarjes në Kushtetuese të vendimit për mungesë transparence dhe cënim të sovranitetit nëpërmjet ekstra-territorialitetit.
Në kuadër të aktivitetit të Lëvizjes “Shqiperia Bëhet”, që ka në fokus të saj nxitjen e veprimtarive për proceset demokratizuese të vendit, si dhe duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit në vend referuar konferencës për shtyp të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Z.Edi Rama së bashku me Kryeministren e Italisë Znj.Giorgia Meloni, shprehim shqetësimin tonë përsa i takon ngritjes në vendin tonë të qendrave ku do të strehohen, trajtohen apo riatdhesohen, emigrantë të ardhur nga vende të ndryshme të botës drejt Italisë, në mungesë të informacionit të plotë dhe procedurave të ndjekura në lidhje me këtë marrëveshje.
Që në krye të herës ne theksojmë se ndajmë çdo ndjeshmëri njerëzore me plagën e çdo njeriu që gjendet në kushtet e emigrimit nga vendi i vetë. Ne jemi një popull që e di mirë se çfarë është të largohesh nga vatra familjare.
POR ditën e hënë, në një deklaratë për shtyp të mbajtur në Romë mes Kryeministres Meloni dhe Kryeministrit Rama në mënyrë aspak dinjitoze, ne si qytetarë të Republikës së Shqipërisë u informuam përmes “faktit të kryer” se shteti jonë ka nënshkruar një protokoll bashkëpunimi me Republikën e Italisë për kthimin e vendit tonë në një bazë të trajtimit të emigrantëve që kërkojnë azil në Itali, kryesisht nga Afrika dhe Azia.
Nga leximi i marrëveshjes rezulton se:
1. Protokolli i dakordësuar është negociuar, përpiluar dhe firmosur në mungesë të plotë të transparencës nga ana e shtetit shqiptar dhe posaçërisht Kryeministrit Rama.
2. Nuk ka asnjë informacion nëse për këtë protokoll i cili implikon çështjet e sigurisë kombëtare është kryer procedurë dhe është marrë vendimi me shkrim nga institucionet e sigurisë në vend.
3. Rezulton se nga ky protokoll është negociuar, hartuar dhe nënshkruar pa praninë e Bashkimit Europian edhe pse çështja e emigracionit është ekskluzivitet i BE-së pasi preken kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian.
4. Këshilli Ministrave i Republikës së Shqipërisë i ka dhënë ekstra-territorialitet një shteti tjetër duke i njohur dhe të drejtën e mbajtjes së armëve në kushte të mos konsultimit dhe mungesës së dijenisë së Parlamentit të Republikës së Shqipërisë.
Kushtetuta në nenin 2 pika 1 përcakton qartësisht se “Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit”. Ekstra-territorialiteti në favor të një shteti tjetër është cënim i sovranitetit. Kjo heqje dorë nga sovraniteti mbi një pjesë të territorit për një afat 5 deri në 10 vite nga Këshilli i Ministrave, pra nga ekzekutivi dhe jo nga populli (duke u pyetur me referendum) ose së paku të organit që përfaqëson vullnetin përbën shkelje të rëndë kushtetuese dhe minim të shtetit të së drejtës.
5. Nuk rezulton që nga Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë të jetë bërë asnjë konsultim publik për këtë vendimmarrje;
6. Rezulton se protokolli në fjalë ka për objekt të vetin çështje që kanë të bëjnë me territorin e Republikës së Shqipërisë sa kohë cënojnë sovranitetin e Shqipërisë në favor të shtetit italian për një pjesë të territorit duke i njohur shtetit Italian të drejtën për ekstraterritorialitet. Kjo kategori vendimesh sipas nenit 121 pika 1 gërma “a” të Kushtetutës duhet të adresohet me ligj dhe duhet të kalojë për miratim nga Parlamenti.
Sa më sipër,
Në kushtet ku të gjitha informacionet e deritanishme mbi çështjen referojnë se asnjë prej procedurave bazë të mësipërme nuk është ndjekur, do të ndërrmarim të gjitha hapat për ta ndalur në vazhdim këtë sjellje që dëmton proceset demokratike dhe përbën një precedent të rrezikshëm të funksionimit të shtetit në mënyra ‘Ad Hoc’.
Në këtë kuadër:
Së pari, i jemi drejtuar me kërkesa me shkrim institucioneve ligjzbatuese dhe Këshillit të Ministrave për informacion të plotë dhe zyrtar mbi protokollin e nënshkruar dhe procedurat e ndjekura në lidhje me të;
Së dyti, në ditët në vijim, do të thirret një takim i mbarë faktorëve dhe profesionistëve të fushës për të dakordësuar një qëndrim dhe reagim të përbashkët, duke mos përjashtuar protestat në lidhje me këtë çështje.
Së treti, theksojmë se kjo sjellje e Kryeministrit të Shqipërisë, në këtë rast kritik, por edhe në raste të tjera të ngjashme, provon qartë se miratimi i një ligji të posaçëm për referendumet është jetik për vendin, si mekanizmi më i përshtatshëm që qytetarët të jenë pjesë e këtyre vendimmarrjeve të rëndësishme për vendin.
Lëvizja ” Shqipëria Bëhet”:
1. Do të propozojë në bashkëpunim me faktorë të tjerë të shoqërisë shqiptare projekt ligjin “Për referendumet në Republikën e Shqipërisë” dhe do të nisë mbledhjen e 20.000 firmave si iniciativë ligjore, sipas nenit 81 pika 1 të Kushtetutës.
2. Në rast se nuk ka reflektim të menjëhershëm nga institucionet kompetente në lidhje me këtë çështje, do të nisë mbledhjen e 50.000 firmave sipas nenit 150 pika 1 të Kushtetutës për t’i kërkuar Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë.
3. Do të adresojë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen në fjalë si në kundërshtim me nenet 2.pika 1 dhe 121.pika 1 gërma “a” të Kushtetutës.
Koha e republikës private dhe ad-hoc duhet të marrë fund dhe do të marrë fund!