Afrimi i Bamir Topit në PD, Gjekmarkaj: Shenjë që vendimet i merr Basha

Analisti Agron Gjekmarkaj, i ftuar në rubrikën ”Opinion” në ”News 24” foli për afrimin e partisë së Bamir Topit në koalicion me Partinë Demokratike. Ai thekson se afrimi i Topit pranë PD-së, është tregues se vendimet i merr  Basha. Po ashtu, Gjekmarkaj nënvizoi se Rama nuk duhet të fitojë një mandat të tretë, sepse do shndërrohej në sundues.

”Bamir Topi ka qenë figurë e rëndësishme e PD-së. Duke qenë se Bamir Topi kishte raporte siç e dimë disa herë të acarruara me Berishën, kjo flet për faktin se Basha merr vendime në Partinë Demokratike. Nuk ka logjikë që Rama të fitojë një mandat të tretë, sepse do ishte regresive për vendin, sepse ka të gjitha pushtetit, një mandat të tretë do e shndërronte në një sundues. Qeveria ka dështuar, sepse bën propagandë edhe pas 8 vitesh. Meta ka bërë beteja që kanë shkuar në përputhje me interesin publik. Meta sulmohet dhe ndaj mbrohet në mënyrën e tij”, u shpreh Gjekmarkaj.

Po ashtu Gjekmarkaj vlerëson se Rama detyroi opozitën që të dalë në dy koalicione, me ndryshimet që bëri në Kodin Zgjedhor. ”LSI është një parti e cila ka bazë të majtë. Meta ka qenë kryeministër i PS, është parti që është afër Metës. Meta është e majta që vjen nga lufta dhe grupi dirigjues i Partisë Socialiste është grupi që vjen nga blloku. Meta nuk është trashëgimtar i PS-së, për shkak se nuk vjen nga blloku. LSI duhet të rrijë majtas, duke ‘ngrënë’ nga PS. Rama prishi Kushtetutën dhe bëri lëvizje që krijuan trauma institucionale. Rama detyroi opozitën të dalë me dy koalicione. Opozita me një ose dy koalicione, nëse ka frymën e mund qeverinë”, tha Gjekmarkaj.

Ai foli edhe për vlerësimin e gjyqtarit Ardian Dvorani nga DASH. Ai shtoi se Dvorani vjen nga sistemi komunist, duke thënë se reforma në drejtësi duket se është nën ndikimin e pushtetit.

“Unë jam i fisit të At Zef Pllumit dhe ka bërë 26 vjet burg në kohën e komunizmit dhe një akuzë ka qenë se ka qenë spiun i amerikanëve. Dvorani ka qenë hetues në kohën e komunizmit, kur kishte të tilla dënime. Komunizmi ishte terrorizëm i pastër. Nuk di nëse Dvorani mund të jetë njeriu i antikorrupsionit. Duhet respektuar çdo deklaratë e amerikanëve. Reforma në drejtësi duket në ndikimin e pushtetit e nëse është kështu, i bie të jetë e korruptuar politikisht e ekonomikisht. Drejtësia nuk merret me dosjet zgjedhore. Dibra dhe Shijaku u degdisën në gjyqësore në rrethe. Drejtësia e re humbi me këta beteja. Lufta nuk ka filluar seriozisht aty ku duhet të fillojë”.

SHKARKO APP