Agim Nesho: Çfarë mund t’i duhet Presidentit Makron një klient pa pushtet real
Nga Agim Nesho –
Vizita e fundit e Kryeministrit Rama në Paris ishte kërkuar për të treguar në opinionin e brendshëm të Tiranës liderin, i cili ishte i pranuar në kancelaritë më të rëndësishme të Europës, të cilat e shikonin atë si një aleat të besueshëm dhe të nevojshëm. Në fakt ky takim ndodhi kur vendet europiane gjithmonë e më shumë e shikojnë regjimin e zotit Rama si një problem në rritje se sa zgjidhje e duhur. Pas mandatit të tij të dytë të vitit 2017, vizitat zyrtare në kryeqytetet europiane kanë qenë gjithmonë e me të pakta, ndërsa kritikat për statusin e demokracisë dhe funksionimin e shtetit ligjor gjithmonë e më të shumta. Për herë të parë, institucionet parlamentare më të rëndësishme të Europës, si Parlamenti Europian dhe Bundestagu, miratuan rezoluta për kushtet që Shqipëria duhet të plotësonte për të avancuar axhendën e saj integruese për anëtarësim në BE. Shqipëria me regjimin e Rilindjes gjithmonë e më shumë ka shkarë në një regjim autoritar, me një krizë të thellë institucionale, në vend me një korrupsion të frikshëm që po shkatërron perspektivën europiane të vendit. Vetë Franca dhe Presidenti Makron ishin kritikët më të ashpër që denoncuan dhe penguan më 2018 hapjen e negociatave, një vendim që u pranua nga vendet kryesore europiane. Sigurisht ky qëndrim nuk u motivua nga interesat elektorale të brendshme të Presidentit Markon, siç u shpjegua nga kryeministri Rama në Tiranë.
Por cilat ishin motivet që mund të kenë influencuar diplomacinë e një nga shteteve më të fuqishme në botë për të pranuar një takim të tillë? A ishte nevoja për të afruar edhe një herë djalin plangprishës për t’u larguar nga marrëdhëniet vasale me Turqinë, ku marrëdhëniet e Presidentit Makron me Presidentin Erdogan janë acaruar së tepërmi? Apo ishte kënaqësia për dhënien e disa koncesioneve nga qeveria e Tiranës në fushën e energjetikës, që e kishte bërë Qeverinë e Francës me pak kritike ndaj situatës zhgënjyese në Shqipëri? Apo një konsultim për zgjidhjen e konflikteve të ngrira në Ballkan dhe marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë që mund ti justifikonte të dyja?
Duke qenë se të gjitha tezat e parashtruara mund të jenë të pranueshme, pa abstraguar për çështjet, jemi të prirur të komentojmë deklarimet dhe lëvizjet e zotit Rama.
Së pari, zoti Rama pranoi se ‘nuk mund të ishte negociues midis Kosovës dhe Serbisë për arsye se është palë më interesat shqiptare’. Kjo shprehje në dukje patriotike dhe atdhetare tregon me së pakti se z. Rama nuk mund t’i ofronte Presidentit Makron asnjë sugjerim, këshille apo ndërmjetësim se është tërësisht i konsumuar dhe i pabesueshëm për Faktorin Shqiptar. Ajo shprehje tregon fundin e politikës së jashtme të zotit Rama, që për gjithë këtë periudhë është shprehur për lidhje të ngushta me zotin Vuçiç dhe përfshirje në projekte të përbashkëta me të. Duke qenë se presidenti Makron është një nga liderat kryesorë europianë me një vizion për të ardhmen e BE-së, është angazhuar për ndërmjetësimin në marrëdhënien midis Kosovës dhe Serbisë, dhe si i tillë kërkon të negociojë dhe përfshijë në këtë zgjidhje gjithë aktorët kryesorë në Ballkan. Para disa kohësh ai priti Presidentin Vucic dhe u angazhua për një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë. Ndryshimet politike në Kosovë dhe ardhja e një lidershipi të ri, tepër kritik ndaj politikave ballkanike të zotit Rama, zhvlerësoi rolin e tij si një faktor i rëndësishëm i shqiptarëve në Ballkan. Këtë e mësoi së fundmi edhe Presidenti Makron, siç e di mirë edhe Administrata e Presidentit Biden. Rama është një faktor i panevojshëm në lojën politike ballkanike. Zgjidhjet kërkojnë lojtarë të rinj.
Së dyti, zoti Rama niset në Turqi menjëherë pas takimit në Francë. Roli i menaxherit të vaksinave më tepër e ka bërë qesharak duke vlerësuar gjithë menaxhimin e krizës së COVID-19. Para blerësit të thjeshtë të vaksinave ai parapëlqen rolin e dërguesit të mesazheve. Edhe atëherë kur nuk ia kërkon njeri, sidomos tani që të gjithë e dinë patentën e tij për ti shërbyer Presidentit Erdogan, dhe ky i fundit po ia shpërblen duke u futur me gjithë shpirt në zgjedhjet elektorale në Shqipëri për t’i mundësuar vasalit të tij pushtet. Dështimi spektakolar për të negociuar midis Greqisë dhe Turqisë nuk e pengon atë të tentojë sërish.
Ajo që duhet të mbetet është vetëm percepsioni në Shqipëri për të si lider global, pavarësisht se Europa dhe Presidenti Makron kanë kuptuar se kryeministri Rama është një klientelist i vetë-ofruar që për interesat e pushtetit mund të kryejë çdo rol. Të paktën nuk do të guxojë kësaj here t’i dhurojë mikut të tij atlete addidas të prodhuara në Turqi.