Agjencia e Mbrojtjes Civile: Priten rrebeshe shiu në 22-26 janar. Bashkitë të marrin masa
Pas ditëve të acarta me temperatura nën minus, IGJEUM dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, parashikojnë reshje intensive shiu prej datës 22 deri më 26 janar në të gjithë territorin e vendit. Bazuar në këto të dhëna Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në Ministrinë e Mbrojtjes, ka paralajmëruar bashkitë dhe prefekturat të marrin masat në mënyrë që kjo situatë të mos i gjejë të papërgatitur.
Sipas informacioneve të IGJEUM dhe SHMU intensiteti i reshjeve pritet të shkojë deri në 230mm në zona të caktuara, si Qarqet veriore Shkodër, Kukës, Dibër, pa përjashtuar qarqet e tjera. Duke qenë se këto reshje, mund të ndikojnë në rritjen e nivelit të lumenjve kryesorë si Drini, Mati, Shkumbini, Vjosa, Semani dhe në veçanti të baseneve të Drinit, me pasoja të mundshme në përmbytje, me qëllim ruajtjen e jetës dhe pronës së popullatës, gjësë së gjallë, objekteve të rëndësisë së veçantë, mjedisit dhe trashëgimisë kulturore, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civili kërkon nga pushteti vendor intensifikimin e punës për vënien në gatishmëri të strukturave operacionale vendore dhe qendrore.
AKMC sugjeron marrjen e masave nga strukturat përgjegjëse për planifikimin dhe parapërgatitjen duke parashikuar, në rast se do të jetë e nevojshme, evakuimin dhe akomodimin e personave, si dhe të gjësë së gjallë. Në shkresën dërguar këtyre institucioneve vendore AKMC u kërkon gjithashtu të organizojnë dhe të drejtojnë punën për inspektimin në vend të gjendjes së objekteve të infrastrukturës, të mjedisit, të gatishmërisë teknike të mjeteve, si dhe gjendjen e rezervave për të përballuar situatat që mund të krijohen.