Agron Duka: Do presim Bashën edhe pak, më pas do vendosim për të mos humbur votat tona!

Intervistë për KOHA JONE e kryetarit të Partisë Agrare Agron Duka

Pyetje 1: A mendoni se PD dhe Basha po vonojnë pak si shumë në firmosjen e koalicionit dhe formulës së tij me partitë reale opozitare, përballë Ramës?
Agron Duka: Sigurisht që Rama arriti më së miri një nga qëllimet kryesore që kishte me ndryshimet e njëanëshme, krijimin e një farë vonese dhe dizorientimi brenda kampit opozitar. Kthimi i ligjit nga Presidenti dhe vendimi i Venecias për të dhënë një opinion brenda dhjetorit, kanë shtyrë disi në kohë zyrtarizimin e mënyrës sesi do të dalim në zgjedhje. Megjithatë kjo nuk është një çështje që varet vetëm nga Basha, edhe ne po bëjmë përllogaritjet tona, sepse nuk do të pranojmë formula në të cilat vota e partive aleate nuk maksimizohen. Ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinw që kemi si grupim dhe do të marrim vendime të pjekura, në të cilat përfaqësimi i elektoratit që përfaqësojmë të jetë denjëisht i vlerësuar.

Pyetje 2: Nëse Basha nuk jep përgjigje brenda nëntorit si do veproni?
Ne do të jemi gati në kohën e duhur. Ka gjithmonë një zgjidhje dhe jam i bindur që do ta gjemë. Kemi luftuar tetë vite për zgjedhje të lira, për vlerat në të cilat besojmë dhe për drejtimin që duam t’i japim për mirë vendit, prandaj, sido që të jenë përgjigjet brenda kampit opozitar, ne si PAA, falë mbështetjes elektorale që gëzojmë në shumë qarqe, do të gjejmë mënyrë për të mbledhur votat tona zgjedhjet e ardhshme dhe për të mbajtur zotimet që u kemi bërë mbështetësve tanë.

Pyetje 3: A mendoni se Oligarket e Ramës po fusin kandidatë për deputet në listat e opozitës, që ti kenë nesër pro Ramës?
Nuk kam informacione të tilla. Sigurisht Rama ka luajtur nëpërmjet joshjes me figura të ndryshme të Parlamentit aktual, gjë që do të duhet të shërbej si leksion për opozitën në përzgjedhjet e kandidaturave në zgjedhjet e ardhshme.

Pyetje 4: Kur përballë ndodhet një regjim e jo një pushtet a duhet që opozita të jetë unike dhe për përballje me të gjitha format shqiptaro-demokratike?
Ne do të jemi unik, ndoshta jo me një fanellë, por jemi të vendosur për të qëndruar bashkë edhe në emër të betejës së përbashkët që kemi bërë në këto vite. Përballja do të jetë e fortë, por nga ana tjetër, ne përbëjmë bashkimin më të madh të partive në historinë e pluralizmit shqiptar, prandaj jam i bindur që do të fitojmë. Ne do të nënshkruajmë një marrëveshje politike si opozitë dhe të bashkuar do të qeverisim vendin, duke i kthyer kredibilitetin Parlamentit dhe institucioneve, si dhe duke i dhënë një hov të ri procesit të integrimit europian, që me Ramën në pushtet ka bërë vetëm hapa pas.

SHKARKO APP