Agron Duka: Një “aleancë e njerëzve të thjeshtë” kundër “aleancës së qelbësirave”
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, në një intervistë për “Koha Jonë” komenton zhvillimet politike në vend. Ai thotë se opozita duhet të organizohet me qytetarët përballë qeverisë.
Duka këtë dolën disa fotografi të një dreke midis jush, z. Blushi dhe z. Shehi, dhe njëkohësisht këtë javë u përfol për një pol të tretë në politikën shqiptare. A jeni duke themeluar një lëvizje politike bashkë me kolegët tuaj?
Dreka me Benin dhe Dashin ishte një takim midis miqsh në të cilën u fol për shumçka, natyrisht edhe për aktualitetin politik dhe të ardhmen e forcave politike joparlamentate. Duhet të them se nuk jemi duke përgatitur një pol të tretë, por jemi duke vlerësuar me kujdes dinamikat politike dhe mbi të gjitha jemi duke vlerësuar ngritjen e një platforme për t’i dhënë zgjidhje përfaqësimit të partive të vogla në zgjedhjet e ardhshme. Kjo temë nuk shqetëson vetëm ne si përfaqësues politik të partive të ashtuquajtura të vogla, por edhe atë pjesë të elektoratit që nuk identifikohet tek dy forcat kryesore dhe që gjejnë tek Partia Agrare Ambientaliste, dhe forcat e tjera, atë hapsirë për të shprehur shqetësimet e tyre politike, sociale dhe ekonomike. Ne do të kërkojmë një zgjidhje të drejtë për përfaqësimin e të gjitha partive politike, dhe nuk do të tolerojmë që kodi zgjedhor të vijojë të jetë ndëshkues ndaj partive të vogla dhe zgjedhësve tanë. Përpos kësaj, ndamë edhe shumë shqetësime nga zhvillimet aktuale që kanë cënuar rëndë kredibilitetin e mazhorancës. Si kryetarë partish, por edhe si qytetarë, jemi të indinjuar nga faktet që po godasin çdo ditë opinionin publik. Nëse në 2013 u fol për “aleancën e qelbësirave”, unë do ta quaja bashkimin dhe diskutimet tona si “aleancën e njerëzve të thjeshtë” që duan të mirën e Shqipërisë; dhe më besoni janë shumë si ne. Duke biseduar me njëri tjetrin zbuluam se nuk na ka humbur dëshira për të luftuar për atë që ne mendojmë se është e drejtë. Indinjatën tonë, si njerëz të politikës, por edhe si qytetarë dhe prindër të shqetësuar për të ardhmen e këtij vendi, do ta kthejmë në energji për t’i bërë oponencë një qeverie që ka dhënë shenja shqetësuese papërgjegjëshme dhe ilegjitimiteti.
Kryetari i Partisë Demokratike ka deklaruar, po këtë javë, se ka një hetim ndërkombëtarë në të cilin përfshihet kryebashkiaku i Durrësit, i cili sipas Bahsës është përgjuar duke biseduar me eksponent të botës së krimit. Keni ndonjë koment mbi këtë?
Dy vjet më parë, përgjime të paligjshme të zbuluara nga LDSM në Maqedoni, sollën rrëzimin e Gruevskit. Një politikan që ishte i freskët në fitoren e një mandati të tretë dhe me maxhorancë të konsoliduar, por gjithsesi nuk ia doli ta përballonte skandalin. Sot duket se edhe në Shqipëri jemi përballë një skenari të ngjashëm. Personalisht nuk jam aspak i surprizuar nga asnjë nga skandalet që po godasinë këtë mazhorancë; nuk po ndodhë gjë tjetër veçse faktimi i akuzave që ne kemi ngritur tanimë prej vitesh. Moralisht jemi përballë një pushteti jo-legjitim. Unë nuk kam nevojë të pres fundin e hetimeve apo ardhjne e dosjeve të tjera nga partnerët ndërkombëtar. Kam qenë dëshmitar i çdo shkelje që është bërë më votën në Durrës, por edhe në Kolonjë. Tani, si opozitë, duhet të kemi pjekurinë dhe aftësinë që t’ju shpejgojmë qytetarëve, se këto nuk janë rastësi, dhe as raste të izoluara, por një goditje e zgjedhjeve që dëmton çdo individ. Një qeveri e ardhur në pushtet në këtë mënyrë nuk ka asnjë marrëdhënie besimi me qytetarët, por vetëm me ata që e mbështetën për të fituar më çdo kusht. Pra qytetarët mos të habiten më me arrogancë, mospërfillje, dhe indiferencën ndaj çështjeve të zhvillimit ekonomik, bujqësisë apo drejtësisë; nëse do të qëndrojnë indiferent ndaj këtyre zhvillimeve, ky do të jetë normaliteti ynë politik.
A keni komunikuar me Bashën mbi këtë çështje? Cilat do të jenë reagimet e opozitës?
Me z. Basha jam në komunikim të vazhdueshëm dhe po ndjek nga afër zhvillimet. Gjithsesi pres nga Partia Demokratike një përfshirje më të gjerë të aleatëve të saj në këtë fazë delikate. Përfshirja e partive, parlamentare dhe jo-parlamentare, do të ndihmonte opozitën në komunikimin me qytetarët dhe me shtrëngimin e rradhëve midis aleatëve. Në këtë moment duhen reagime të forta dhe kolegjale.
Këto pohime tingëllojnë mjaft kritike, a po ndryshoni opinion mbi rreshtimin e PAA-së në kampin opozitar?