Agron Duka: Nuk pranojmë rrugë të mesme. Duhet një sistem i ri zgjedhor që të rrëzohet tranzicioni

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka deklaron se kriza politike në vend nuk duhet të zgjidhet në mënyrë të pjesshme. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Duka shton se është momenti që Shqipëria të ketë një sistem të ri zgjedhor, i cili do t’i japë fund tranzicionit.

Z. Duka cili do të jetë hapi i radhës i opozitës pas protestës të 13 prillit?

Shtrati në të cilin lëviz aksioni opozitar është tashmë i qartë. Duke u bazuar mbi kërkesat tona për qeveri tranzitore, që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershëm, dhe ndryshimet e sistemit zgjedhor, të cilat duhet t’i japin sërishmi vlerë votës së shqiptarëve dhe të normalizojnë raportet midis pushteteve, do të vijojmë me protestat deri në realizimin e këtyre qëllimeve. Të mos harrojmë se sot opozita nuk është vetëm ajo e partive politike që e përbëjnë atë, por është më e gjerë se kaq.  Në opozitë janë grupet shoqërore që kanë protestuar hapur kundër pushtetit si fermerët, studentët, pedagogët, naftëtarët, minatorët, artistët e Teatrit, të padëmshpërblyerit për pronat e sekuestruara nga shteti, përfshirë banorët e Bregut, ata të Unazës së Re etj. Pra është një masë e madhe që mund të injorohet për pak kohë, por jo përgjithmonë.

Edhe pse kanë kaluar dy muaj nga djegia e mandateve, mazhoranca duket e vendosur për të mos pranuar kushtet e opozitës, mendoni se protestat do të mjaftojnë?

Protestat janë një mjet demokratik nëpërmjet të cilave ne kërkojmë të ndërgjegjësojmë jo vetëm qytetarët por edhe ndërkombëtarët, për situatën kritike përballë të cilës ndodhemi. Me sa duket protestat po japin një farë rezultati, pasi sondazhet tregojnë një mbështetje në rritje ndaj opozitës. Sigurisht nuk do të vijojmë vetëm me protesta, por edhe me propozime konkrete mbi përbërjen e qeverisë teknike por edhe të ndryshimeve që duhen kryer në sistemin zgjedhor. Megjithatë, kjo do të ndodhë në një fazë të dytë, atë në të cilën palët do të ulen në tryezën e dialogut.

Ju përmendi sondazhet sipas të cilave opozita do të dilte fituese në zgjedhjet e ardhshme. A nuk mendoni se duke pasur këtë epërsi në numra do të ishte e udhës të hyjë në zgjedhjet vendore?

Rritja e opozitës nuk mbështetet vetëm nga sondazhet, por edhe nga konfigurimi i gjerë i partive politike që e përbëjnë grupimin tonë. Por ne nuk po kërkojmë thjesht zgjedhje, ne po kërkojmë një zgjidhje afatgjatë. Përmirësimi i infrastrukturës zgjedhore, i sistemit, por edhe dalja nga xhungla e mosmarrëveshjes duke thyer krizën e besimit midis palëve, do të ishin kushtet e duhura për të hyrë në zgjedhje. Shoqëria shqiptare ka nevojë për rregulla të reja loje, nëse nuk do të jemi në lartësinë e kësaj detyre, atëherë përpjekja e deritanishme do të rezultojë e kotë. Për këtë arsye ne nuk pranojmë rrugë të mesme. Duhet të ngrihet një sistem i ri zgjedhor që të rrëzohet Tranzicioni i tejzgjatur drejt një demokracie funksionale. Vendi është një udhëkryq të vështirë;  nuk po qeveriset, ekonomia nuk është në ditët e saj më të mira, bujqësia vijon të jetë në nivele mbijetese, korrupsioni është ende i lartë, integrimi ende në pikëpyetje. Nga udhëkryqe të tilla nuk dilet nëpërmjet zgjedhjeve, por ndryshimeve rrënjësore që të garantojnë përfaqësim të denjë politik, mirëqeverisje dhe ndarje reale midis pushteteve.

Duka edhe pse sondazhet flasin për një mbështetje në rritje të qytetarëve ndaj opozitës, ndërkombëtarët janë shprehur kundër vendimit për të lënë Parlamentin dhe për të bojkotuar zgjedhjet vendore. Si e komentoni këtë pozicionim?

Qëndrimi i ndërkombëtarëve nuk përbën asnjë surprizë, sepse rruga e zgjedhur nga opozita nuk përkon me botëkuptimin e tyre. Megjithatë, pavarësisht se qëndrimet fillestare kanë qenë mjaft të vendosura, jemi duke parë një qasje të ndryshme të disa nga përfaqësive ndërkombëtare. Njëra prej tyre është ajo e Italisë. Ambasadori Cutillo është shprehur se është koha që mazhoranca të bëjë një hap prapa, pasi përgjegjësitë më të shumta i takojnë asaj në këto rrethana. Jam i bindur se, me kalimin e kohës, do të kemi një zbutje të përgjithshme të qëndrimeve të ndërkombëtarëve dhe se ata do të luajnë përsëri rolin e negociatorit midis palëve. Eksperienca në ka mësuar se herët apo vonë, me mbështetjen e ndërkombëtarëve, të gjithë aktorët e politikës sonë do të gjejnë rrugën e mesme. Ajo që është më e rëndësishme në këtë krizë të radhës, është se duhet të këmbëngulin bashkërisht që të mos te jetë një përsëritje e zgjidhjeve të dakordësuara më parë, por të kthehet në një faqe të re dhe të domosdoshme për historinë tonë. Duke vendosur interesin kombëtar mbi atë partiak, duhet t’i japim vendit tonë statusin e shtetit të barabartë mes të barabartësh në Europën, ku e kemi vendin jo vetëm gjeografikisht.

SHKARKO APP