Akademia e Shkencave, deputetja Açka: Ka të vërteta aq të hidhura, sa një drejtues europian do dorëhiqej
Deputetja e PD-së, Flutura Açka ka reaguar për projektligjin e propozuar nga mazhoranca për institucionin e Akademisë së Shkencave. Sipas Açkës, PS-ja po bën ç’është e mundur që Gjinushi të jetë në krye të këtij institucioni.
Açka thekson se në këtë histori ka disa të vërteta shumë të hidhura, që për një drejtues europian do t’i tepronin për t’u dorëhequr, duke i sugjeruar kështu Gjinushit që të largohet nga posti.
“Akademisë së nderuar nuk i shkon të thotë gjysmë të vërteta. Ka disa të vërteta aq të hidhura, sa një drejtuesi europian do t’i tepronin për t’u dorëhequr. E vërteta është zgjedhje personale, por ndonjëherë kjo e vërtetë nuk e shpëton dot një komunitet te epërm, kur ai vendos të heshtë. Për vërtetësi ndiqni mbledhjen e datës 12 korrik 2023 të Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik”,-shkruan Açka.