Akademiku Anastas Angjeli, vlerësohet me titullin Dr. ”Honoris Causa” në Ukrainë
Akademiku Anastas Angjeli, është vlerësuar me titullin Dr. ”Honoris Causa” në Ukrainë. Një nga ekonomistët-financier më të shquar, veçanërisht në aplikimin e reformave të ekonomisë së tregut në Shqipëri, merr këtë vlerësim nga një prej Universiteteve më të vjetër shteterorë në Kiev.
Me ftesë të një prej Universiteteve me të mëdhenj shtetëror të Ukrainës, NAU, Themeluesi dhe Presidenti i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Akademik. Prof Anastas Angjeli, zhvilloi një vizitë në Kiev, ku u zhvillua edhe ceremonia e dhënies së titullit Dr. “Honoris Causa”.
Autoritetet drejtuese të Universitetit bënë një vlerësim të veprimtarisë akademike-shkencore ndër vite të Akademikut, Prof. Dr Anastas Angjelit. Me këtë rast ai mbajti një fjalë për Këshillin Shkencor të NAU, të pranishmit dhe përfaqësues të mediave, duke vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve në të gjitha fushat e veçanërisht në rritjen e rolit bashkëpunues të universiteteve si “ambasadorët’ më të mirë në këto marrëdhënie. Në fund të fjalës së tij ai falenderoi Këshillin Shkencor të NAU për dhënien e titullit Dr. “Honoris Causa”, dhe në veçanti Rektorin e NAU Prof. Maksym Lutsky dhe Dekanin e Fakultetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të NAU Prof. Yuriy Voloshin. Gjatë kësaj vizite Prof. Angjeli zhvilloi edhe disa takime të nivelit të lartë.
Po ashtu akademiku Anastas Angjeli, zhvilloi një takim edhe me Ministrin e Arsimit dhe Shkencës të Ukrainës, Serhiy Shkarlet, të cilit i dorëzoi edhe letrën e Ministres së Arsimit të Shqipërisë, Evis Kushi, në të cilën shprehen vlerësime për urat e bashkëpunimit të vendosura mes institucioneve publike e private të arsimit të lartë mes dy shteteve. Takimin e radhës, në cilësinë e anëtarit të Akademisë së Shkencave, Aakademik. Prof.Dr, Angjeli e zhvilloi me kryetarin e Akademisë së Shkencave të Ukrainës, Anatoly G. Zagorodny.
Pas shprehjes së vullnetit të përbashkët për të shtuar bashkëpunimin sa i përket kërkimit shkencor mes dy vendeve, Prof. Angjeli dorëzoi edhe një letër falenderimi të nënshkruar nga Kreu i Akademisë së Shkencave në Shqipëri, Akademiku Skënder Gjinushi, ku nënvizohet dëshira për ta thelluar ketë bashkëpunim.