Aktakuzat/Shtypi i Beogradit: Trump kërkon votat e lobit serb në SHBA
Aktakuzat e papritura nga Haga për Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe për kreun e PDK-së, Kadri Veseli, mesa duket kanë një prapavijë për vota. Interesat Presidenciale të Donald Trump, për të marrë votat e lobit serb në SHBA, kanë marrë konfirmim edhe nga udhëheqësit më të lartë në Beograd. Gazeta ”Novosti”, shkruan se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është i bindur se për Serbinë do të ishte më e mirë fitorja e Trumpit, ndërsa për shefin e diplomacisë, Ivica Daçiçin (foto me Trump), kjo është një gjë që nuk duhet vënë në diskutim.
”Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump ka bërë hapa me rëndësi në lidhje me çështjen e Kosovës, meqë ka konsideruar interesat tona dhe ka marrë parasysh interesat tona dhe ka pranuar argumentet tona, gjë që administratat e përparshme nuk kanë pranuar ta bënin”,-ka thënë shefi i diplomacisë serbe. Daçiç i ka bërë thirrje lobit serb në SHBA, që të votojnë për Presidentin Donald Trump. ”Nuk mendoj se do të ishte keq që vendi nga i cili rrjedhin t’iu sugjerojë se për kë mund të votonin, meqë në këtë mënyrë do t’iu transmetonim se çfarë përvojash kemi me administratën për të cilën bëhet fjalë”.
Analistët në Serbi, shprehen se ideja se diaspora në SHBA duhet të votojë për Presidentin aktual, një fitore e re për Trump, sipas tyre do të ishte fat edhe për Serbinë. “I deleguari special presidencial për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, Richard Grenell (poshtë me Vuçiç), ka bërë disa veprime të cilat nuk i kishim pritur nga asnjëri nga presidentët e mëparshëm të SHBA-së. Përveç kësaj duke treguar gatishmëri të dëgjojë qëndrimet e zyrtarëve të Beogradit, administrata e Trumpit iu shmang qasjes binare problemit të Kosovës, sipas të cilës njëra palë duhet të humbë çdo gjë, në mënyrë që pala tjetër t’i fitojë të gjitha”,-thotë analisti i Qendrës për Stabilitet Shoqëror, Nemanja Staroviç.
Në Serbi po bëjnë plane që të apelojnë diasporën në SHBA, që të votojë për një mandat të ri për Presidentin aktual. Kuptohet qartë se çfarë duhet të kuptojnë shqipëtarët prej kësaj. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, reagoi mbrëmjen e së hënës për akuzat e ngritura nga Gjykata Speciale në Hagë. Në një video mesazh drejtuar qytetarëve, Thaçi deklaroi se në jetë mund të ketë bërë gabime politike por krime luftë kurrë. “Zemra ime është e lënduar por jo e thyer, gjakun e kam të pastër. Gabime politike mund të kem bërë por jo krime lufte”. Kreu i shtetit, deklaroi se do të japë dorëheqjen nga detyra e Presidentit të Kosovës nëse aktakuza e ngritur nga prokuroria do të konfirmohet nga Gjykata Speciale.