Aktivisti Adriatik Lapaj për tragjedinë në Himarë: Është përgjegjësi e shtetit shqiptar
Aktivisti i njohur Adriatik Lapaj thotë se përgjegjës për vdekjen e 7-vjeçares në Himarë, pasi ajo u përplas nga një skaf është e shtetit shqiptar.
“Është përgjegjësi e shtetit shqiptar. VKM përcakton qartë si menaxhohet në vijat bregdetarë dhe si ai skaf nuk duhet të ishte aty ku ishte mbrëmë.
Nuk është skafi si mjet problemi, ka Itali, Greqia më shumë se ne. Nuk është problemi tek mjeti, problem është shkelja e ligjit dhe shteti lejon të shkelet ligji.
Unë nuk e di çfarë duhet të ndodhë, duhet të ketë edhe përgjegjësi politike.
Humbja e jetës së vajzës është e trishtë, por edhe e kobshme. Është një humbje jete nga mungesa e zbatimit të ligjit. Të vijë tjetri për pushime dhe të humbasë jetën një fëmijë sepse nuk zbatohet ligji, kjo është e pafalshme. Jeta e asaj fëmijë ka humbur si pasojë e moszbatimit të ligjit. Nëse do ishte zbatuar ligji siç është në letër, ajo vajza nuk do kishte humbur jetën, sepse ai skaf nuk do ishte aty dje”, tha Lapaj për News24.