Akuzat e PD për “Doing Business”, reagon qeveria
Pas akuzave të deputetit të PD-së, Florion Mima, i cili duke iu iu referuar raportit “Doing Business” 2016, akuzoi Qeverinë se e ka çuar vendin në krizë të thellë ekonomike, në portalin Transparenca.al jepen shpjegimet përkatëse ndaj akuzave të Mimës. Ja cfarë thotë qeveria:
“Në raportin “Doing Business” të vitit 2016, publikuar nga Banka Botërore, Shqipëria renditet në vendin e 97-të në botë, renditje që ndikohet nga dhënia e lejeve të ndërtimit, marrja e certifikatës së pronësisë, si dhe pagesa e taksave. Po aq sa ndikohet edhe nga metodologjia e vlerësimit e cila për vitin 2016 ka ndryshuar, ndërsa në thelb Shqipëria nuk ka humbur vende në raport me vetveten.
Për sa i përket rënies lidhur me lejet e ndërtimit, me ndërmarrjen e reformës territoriale, Këshilli Kombëtar i Territorit ka marrë vendimin për pezullimin e përkohshëm të lejeve të ndërtimit, me qëllim harmonizimin e instrumenteve të planifikimit lokal në kuadër të ndarjes së re administrative territoriale dhe për disiplinimin e ndërtimeve në Republikën e Shqipërisë. Kjo është një qasje afatgjatë për zhvillimin urban, planifikimin e zhvillimin e territorit, planifikimin e zhvillimit të turizmit dhe zhvillimin ekonomik të rajoneve.
Sidoqoftë, jemi të bindur se në raportin e vitit të ardhshëm, të gjitha reformat e ndërmarra do të gjejnë reflektim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e indikatorit.
Në kuadër të këtyre reformave është krijuar Agjencia e Zhvillimit të Territorit, që do të funksionojë si një “one stop shop” për lejet e ndërtimit. Gjithashtu është miratuar edhe bashkimi i QKR-së dhe QKL-së, e cila ka kaluar tashmë në qeveri dhe pritet miratimi në Parlament. Ndërkohë që është mundësuar regjistrimi online për biznesin si dhe përmes portalit e-Albania, duke eliminuar pritjet e gjata në sportelet e QKR-së, si dhe duke shkurtuar kohën dhe kostot për biznesin. Në të njëjtën kohë, Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një projekt në kuadrin e modernizimit dhe të dixhitalizimit për ndarjen e sporteleve të zyrave të ZRPP-së.
Nga ana tjetër, thirrja e Qeverisë për të investuar në Shqipëri, ka qenë më se e mirëpritur nga kompanitë e huaja. Sot, dy kompani serioze nga Kina dhe Italia u bënë pjesë e procesit më të hapur dhe transparent të konkurrimit për ndërtimin e zonës industriale në Spitallë. Gjithashtu, në vitin që lamë pas, i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes plot 948 kompani të huaja, të cilat për të zhvilluar aktivitetin e tyre zgjodhën vendin tonë.
Në fund, ndryshe nga ç’ka deputeti Florion Mima pretendon, renditja e Shqipërisë në vendin e 97-të në raportin “Doing Business” për vitin 2016 nuk është rezultati më i keq, pasi në vitin 2006 renditej e 117-a në botë, në vitin 2007 renditej në vendin e 120-të dhe në vitin 2008 në vendin e 136-të”, shkruhet në portalin qeveritar Transparenca.al.
KOHA JONË SONDAZH

