Albin Kurti: “Të huajt, pse nuk bëjnë reformë edhe në Serbinë e krimeve?”

Intervista/ Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje” në Kosovë analizon debatin për ndarjen e kufirit me Malin e Zi, veprimet e qeverisë së Kosovës dhe ndërkombëtarëve: Shqipëria e prishi marrëveshjen e detit me Greqinë, por kjo nuk e pengoi që të jetë pjesë e NATO-s

Elton METAJ

Albin Kurti flet qartë dhe ndoshta ashpër. Ai nuk përpiqet të thotë gjëra që mund të kuptohen në mënyra të ndryshme. Deputeti i “Vetëvendosje”-s në Kosovë nuk ngurron dhe këtë e ka dëshmuar, si në aksionin politik, ashtu edhe në fjalimet në Kuvendin e Kosovës. Sipas Kurtit, me marrëveshjen e firmosur nga Hashim Thaçi, Kosova ka humbur 8.200 hektarë sipërfaqe. Në intervistën e tij për “Shekulli”-n, politikani 41-vjeçar flet edhe për marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtar, ndërsa analizon edhe zhvillimet në Shqipëri për sa i përket reformës në drejtësi.

Kuvendi i Kosovës zhvilloi një debat të zgjeruar për çështjen e caktimit të kufirit me Malin e Zi. Sa i vlefshëm ishte ky debat? A ishte ai në kohën e duhur?

Rezoluta e Kuvendit të Kosovës nga 25 qershori i vitit 2015, thoshte që duhet të ketë debat parlamentar para nënshkrimit qeveritar për demarkacionin me Malin e Zi. Debat nuk pati fare dhe pas dy muajve, saktësisht me 26 gusht 2015, në Vjenë të Austrisë, asokohe ministrat e Jashtëm e të Brendshëm, Hashim Thaçi e Skënder Hyseni, nënshkruan demarkacionin me homologët e tyre nga Mali i Zi, Igor Lukshiç e Rashko Konjeviç. Pra, ky debat gjithsesi është tepër i vonuar, megjithatë më mirë vonë se kurrë. Debati ku u përfshinë ekspertë dhe përfaqësues të grupeve të interesit, u mbajt pra në Kuvendin e Kosovës me një vit vonesë. Këta pushtetarë do të duhej të konsultoheshin me ekspertët dhe me grupet e interesit para se ta lidhnin këtë marrëveshje. Por fatkeqësisht janë kujtuar për organizimin e këtij debati vetëm një vit më vonë, dhe vetëm për shkak të protestave të mëdha, brenda e jashtë parlamentit, të organizuara nga opozita e qytetarët.

Debati gjithsesi e pati një vlerë të vetën. Në këtë debat u dëshmua gjerësisht dhe thellësisht se linja e demarkacionit e propozuar nga qeveria dhe nga komisioni zyrtar shtetëror për demarkacionin, është e gabuar dhe ia humb Kosovës së paku 8.200 hektarë, që është një hapësirë tokësore shumë, shumë e madhe, mbi 80 kilometra katrorë. Ekspertë të shquar gjeografë, hartografë, gjeodetë e historianë kanë dëshmuar me dokumente e me harta, historike apo bashkëkohore, prej burimeve të ndryshme, se kufiri i vërtetë është ai që pretendojmë ne, pra që qeveria e ka gabim. Për të argumentuar këtë gjë profesorët kanë paraqitur harta të ish-Jugosllavisë, të vetë Malit të Zi, harta të ekspertëve të ndryshëm të vendeve evropiane, harta të përdorura zyrtarisht nga SHBA-të, harta të përdorura nga institucionet në Kosovë para dhe pas çlirimit, etj. Po ashtu, grupet e interesit kanë paraqitur dokumentacione të llojllojshme që provojnë se ato 8.200 hektarë kanë qenë vazhdimisht të Kosovës. Pra, është dëshmuar tashmë pa asnjë dyshim, për të gjithë deputetët dhe për të gjithë publikun që e ka ndjekur çështjen në televizion se kufiri i propozuar nga qeveria është i gabuar. Ky debat ka shërbyer që të konfirmohet e vërteta, jo të kërkohet ajo.

Demarkacioni me Malin e Zi është bërë në kushtet kur Serbia nuk e ka kthyer dokumentacionin kadastral dhe ato që ia ka dhënë qeverisë së Kosovës në vitet e fundit ishin kopje (gjithnjë sipas mëshirës së saj) një pjese të paktë (të cilën ajo e posedon të plotë) të dokumentacionit kadastral. Po ashtu, sipas gjeodetit Salih Ahmetaj, të dhënat e mbetura (lëna) nga Serbia në vitin 1999 janë dokumentacion shumë i vjetër i cili nuk e reflekton gjendjen në terren dhe ku grafikja (që është më e vjetër) nuk përputhet me tekstualen (sepse kanë origjina kohore të ndryshme).

Para së gjithash e mbi të gjitha, demarkacioni i kufirit nuk bëhet me libra kadastralë, siç ka bërë Komisioni i Kosovës dhe e ka nënshkruar Thaçi. Kadastri është elementi i fundit, sepse, siç ka theksuar prof.Zejnullah Gruda, demarkacioni është çështje e ndarjes së sovraniteteve midis shteteve e jo e kufijve të arave midis kushërinjve. Kosova ka negociuar keq dhe mbi bazë të gabueshme. Ajo është vënë në pozitën e atij që merr barrën e provës: tokat janë të Malit të Zi, përveç nëse nuk dëshmohet e kundërta nga Kosova!

Pavarësisht kundërshtimit të “Vetëvendosje”-s, qeveria e Kosovës po avancon me dërgimin e marrëveshjes në Kuvend. Cila do të jenë hapat tuaja të mëtejshme?

Kundërshtimi nuk është vetëm i VETËVENDOSJE!-s. Profesorët dhe akademikët më të mirë të sferës së hartografisë, gjeodezisë e gjeografisë, Shpejtim Bulliqi, Zejnullah Gruda, Florin Isufi, Sali Ahmetaj, Përparim Ahmeti etj. por edhe akademikët nga Shqipëria, Ksenofon Krisafi, Myslym Pasha, Lisjen Bashkurti etj. kanë dalë tashmë në mënyrë të prerë kundër kësaj linje kufitare. Banorët e zonave përreth, të fshatrave të Rugovës, të gjithë janë shprehur se kjo marrëveshje i dëmton. Po ashtu forcat opozitare si AAK dhe Nisma kanë thënë se do ta kundërshtojnë çdo përpjekje të qeverisë për ta kontrabanduar këtë marrëveshje në Kuvend. E, ç’është më e rëndësishmja, janë qytetarët ata që e kanë treguar me protestat më masive që janë organizuar ndonjëherë në Kosovën e pasluftës, se nuk janë gati të lejojnë qeveritarët të dhurojnë apo të shesin tokën e Kosovës që është çliruar me gjakun e dëshmorëve e me djersën e sakrificën e shumë gjeneratave. Ky lloj demarkimi është tradhti dhe krim. Një deputet i VETËVENDOSJE!-s, Rexhep Selimi, ka thënë në një intervistë këto ditë se ata që dëshirojnë të luajnë me kufirin e Kosovës, luajnë me paqen. Ne nuk kemi për t’i lënë këta pushtetarë të papërgjegjshëm të na i kërcënojnë qoftë kufirin e qoftë paqen. Jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që ta ndalim ratifikimin e kësaj marrëveshje. Demarkimi i kufirit duhet të rinegociohet, në mënyrë të drejtë e transparente, pa i marrë tokë asnjë shteti e pa i dhuruar territor asnjë shteti tjetër, duke i marrë parasysh të gjitha hartat, dokumentet dhe argumentet e sjella nga ekspertët që përmenda.

A do t’i kthehet “Vetëvendosje” protestave apo veprimeve të dhunshme në Kuvend apo jashtë tij?

Nuk ka veprim më të dhunshëm se sa t’ia heqësh një vendi një copë të territorit të tij padrejtësisht dhe pa vullnetin e popullit të tij. Nëse një populli, cilitdo popull në botë, shkoni dhe provoni t’ia ndryshoni kufijtë pa vullnetin e tyre, keni për të parë se ata do të jenë gati të nisin edhe luftë. Pra, unë gjykoj se veprimin më të dhunshëm ndonjëherë ndaj Kosovës së pavarur, do ta kryente qeveria nëse e ndryshon kufirin e Kosovës pa vullnetin e popullit të saj, duke ia falur a shitur Malit të Zi mbi 8.200 hektarë. Përballë një dhune të tillë nga ana e pushtetarëve, për të mbrojtur vendin e tokën tonë, ne kemi legjitimitetin për çdo lloj veprimi. Nuk mund të sillesh krejt butë e paqësisht kur në qeveri i ke dhunuesit më të mëdhenj të Kosovës.

Filozofi francez Jean Baudrillard ka pasur një tekst fantastik mbi atë se si lufta e vitit 1991 në Gjirin Persik nuk ka ndodhur! Për Bjeshkët e Rugovës do të mund të thuhej e kundërta. Në vitet e fundit aty ka ndodhur një luftë e Kosovës me Malin e Zi, të cilën ne nuk e kemi parë. Në atë luftë ne jemi mundur dhe tash si palë e humbur kemi nënshkruar kapitullimin. Sepse pala humbëse tërhiqet në brendi të territorit, duke ia lënë majat e maleve, kurrizin e vargmaleve, kuotat strategjike ushtarake palës fituese.

Mendoni se mosmiratimi i kësaj marrëveshje mund të rrezikojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës?

Jo. Kosova i ka të gjitha kapacitetet të rinegociojë për kufirin me Malin e Zi, në mënyrë transparente e profesionale, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Mjaft të përfshihen ekspertët më të mirë dhe të negociohet nga negociatorë të denjë, e jo nga pazarxhinjtë si Mustafa e Thaçi. Këta të dy e mbrojnë këtë marrëveshje, ashtu siç kanë mbrojtur e nënshkruar edhe shumë marrëveshje të tjera të dëmshme që e sulmojnë Kosovën, pasi “ua kanë zënë bishtin me derë”, domethënë janë të shantazhuar. Përgjimet që po publikohen, por edhe shumë dokumente e dosje që vetë ne i kemi dorëzuar në prokurori dëshmojnë se këta pushtetarë janë të stërkequr në korrupsion, dhe për pasojë janë lehtësisht të shantazhueshëm. Ata janë gati të nënshkruajnë pra çdo gjë, sado e dëmshme për Kosovën, sepse dosjet e tyre i mbajnë peng.

Marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës më shumë dëmtohen prej qëndrimit në pushtet të këtyre dy pushtetarëve dhe të të tjerëve si ata. Sa i përket demarkacionit, edhe vetë Mali i Zi e pranon se do të mund të rinegociohej pa problem, e ne s’po kërkojmë gjë tjetër. Pra nuk ka asnjë dëm ndërkombëtar nga ndalimi i kësaj marrëveshjeje. Qysh më 15 dhjetor 2015 Qeveria e Malit të Zi pat shprehur gatishmërinë për rishqyrtimin e demarkacionit, por Qeveria e Kosovës nuk ishte e interesuar për këtë gjë në mënyrë që të mos merrej vesh konkretisht përmbajtja e tradhtisë dhe krimit të tyre.

A ka mundësi klasa politike dhe institucionet e Kosovës t’i thonë “Jo” një marrëveshjeje që ka marrë edhe bekimin e SHBA, NATO e BE-së?

Shpesh abuzohet me këto “bekimet”. Në debatin me ekspertët që u bë në Kuvendin e Kosovës, ambasadori amerikan në Kosovë tha se marrëdhëniet e Kosovës me SHBA mbeten të forta, pavarësisht votimit apo jo të kësaj marrëveshjeje. Po ashtu edhe përfaqësuesit e BE kanë thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën nuk varet nga kjo marrëveshje dhe me gjasë nuk do të ndodhë edhe nëse marrëveshja miratohet. Në rajonin tonë, e kemi rastin e Kroacisë me Slloveninë, të dyja vende të cilat janë anëtarësuar në NATO, janë anëtarësuar në BE, dhe kanë marrëdhënie shumë të mira me SHBA, megjithatë vazhdojnë të kenë probleme me kufirin, për të cilin nuk kanë rënë dakord as sot e kësaj dite dhe e kanë çuar në arbitrazh ndërkombëtar. Po ashtu kemi rastin e kufirit detar të Shqipërisë me Greqinë. Edhe atëherë, ju e mbani mend mirë, u lidh një marrëveshje e cila ishte në dëm të Shqipërisë. Marrëveshja u prish, sajë aksionit opozitar dhe popullor, por kjo nuk e pengoi Shqipërinë që të jetë pjesë e NATO-s, që të ketë marrëdhënie të mira me SHBA, apo që të vazhdojë rrugën e integrimit për në BE. Pra, kur ka pasur mundësinë t’i thotë jo një marrëveshjeje të tillë Kroacia, Sllovenia apo edhe Shqipëria, pse mendoni se Kosova nuk e paska këtë mundësi? Është shumë naive të mendosh se marrëdhëniet strategjike të Kosovës me NATO, SHBA dhe BE, varen prej një vije kufitare me Malin e Zi. Pushtetarët e korruptuar e të shantazhuar të Kosovës i keqpërdorin faktorët ndërkombëtarë për t’u shfajësuar për servilitetin e tyre ndaj ndërkombëtarëve e për të justifikuar zullumin e tyre ndaj qytetarëve.

Shikoni, SHBA-të i duan edhe qeveria e Kosovës edhe Lëvizja VETËVENDOSJE!. Mirëpo, dallimi midis nesh është që ne i duam SHBA-të e Franklin Delano Roosevelt, Martin Luther King, Jr., e të vëllezërve John e Bobby Kennedy, ndërkaq Qeveria e Kosovës i do SHBA-të e Al Kapones e të Senatorit Joseph Mçarthy. Pra, çështja është se cilën Amerikë e do.

Edhe në Shqipëri ka një debat publik mbi sovranitetin. Si duhet trajtuar sovraniteti, në kushtet aktuale të integrimit në strukturat euro-atlantike, si për Shqipërinë dhe për Kosovën?

Debati në Shqipëri nuk është për sovranitetin territorial, por për një sovranitet politik mbi një pushtet, siç është gjyqësori. Nuk mund të shprehem gjatë në këtë intervistë mbi atë çka po ndodh në Shqipëri, me amendimin e Kushtetutës dhe me “Reformën në Drejtësi”, por mund të them vetëm se, pavarësisht integrimeve në struktura të sigurisë apo në tregje, përgjithësisht pushteti i gjyqësorit e ka ruajtur sovranitetin e vet në të shumicën e vendeve që njohim, dhe kjo e ka një arsye. Drejtësia dhe vetë ligjet janë të suksesshme vetëm atëherë kur janë të kultivuara prej vetë komunitetit (homegrown). Kolonializmi, por edhe eksperimentet e kohëve të fundit me “eksportin” e vlerave institucionale, siç janë ndarja e pushteteve apo funksionalizimi i gjyqësorit, përgjithësisht kanë dështuar. Kam frikë se, në fund fare, edhe kjo përpjekje për të sjellë drejtësi për popullin e Shqipërisë do të dështojë, dhe gjërat do të mbeten njësoj me përjashtim të faktit që sovraniteti do të mbetet përgjithnjë i cënuar. Unë pandeh se drejtësinë nuk mund ta sjelli një klasë thellësisht e korruptuar dhe e kriminalizuar. Nuk është e mundur që vetë ata që dyshohen për korrupsion e krim të stërmadh, të votojnë unanimisht biletën e tyre për në burg. Këtë unë e di me eksperiencë, pasi në Kosovë shumë shpesh është shpresuar se organe ndërkombëtare si UNMIK, EULEX apo Gjykata Speciale do të ndëshkonin kriminelët që janë në pushtet lokalisht. Mirëpo këta kriminelë, të cilët i kanë votuar vetë mandatet e këtyre ndërkombëtarëve, para se të votonin kanë marrë garanci. Dhe faktet tregojnë se të gjitha këto misione ndërkombëtare kanë dështuar të sjellin drejtësi në Kosovë. Nuk shoh ndonjë arsye se pse do të duhej të kishin sukses në Shqipëri.

Që të vinte drejtësia në Shqipëri, do të duhej së pari një ndryshim në elitën politike, dhe orientime të reja politike e ideore, që janë më kombëtare, më përfaqësuese, më sociale, më pranë vetë qytetarëve, më radikale. Beteja politike do ta përcaktonte edhe kthimin e timonit të shoqërisë e të shtetit drejt funksionalizimit të drejtësisë. Por edhe kjo do të merrte shumë kohë. Sepse duhet kuptuar, zhvillimi ekonomik dhe shteti i së drejtës nuk mund të vijnë lehtë, për pak vite. Duhet shumë punë e shumë beteja, dhe ndoshta për 15-20 vite mund të ndërtohet një ekonomi funksionale e një drejtësi e kënaqshme. Ata që propozojnë zgjidhje të shpejta, gënjejnë. Ajo çka përpiqemi të bëjmë ne si VETËVENDOSJE!, nuk është të japim zgjidhje të shpejta, pasi ne nuk kemi formula magjike, siç është për shembull kjo formula për Reformë në Drejtësi. Ne kërkojmë që të nisim një betejë me krimin e me padrejtësinë, duke e ditur që kjo betejë do të marrë shumë kohë. Ne kërkojmë që sot të kthejmë timonin dhe të ndërrojmë rrugë, pasi po ecim në rrugën e gabuar dhe duhet të nisemi në rrugën e drejtë të zhvillimit dhe shtetndërtimit. Ama, edhe kur të hyjmë në rrugën e drejtë, rruga nuk do të jetë e shkurtër.

Në veçanti më erdhi keq që asnjë deputet i Kuvendit të Shqipërisë nuk ua tha diplomatëve amerikanë e evropianë pse nuk po bëjnë Reformë të këtillë të Drejtësisë edhe, ta zëmë, në Serbi, kur dihet se atje Kuvendi e Qeveria janë të mbushur përplot, jo vetëm me kriminelë të paqes, por edhe me kriminelë të luftës. Në këtë Ballkanin Perëndimor, të cilin ndërkombëtarët po e mbiquajnë me akronimin WB6, nuk po na trajtojnë aspak njëjtë. Në Serbi po rritet homogjenizimi serbomadh, ndërsa në Shqipëri po zvogëlohet pavarësia shtetërore.

Së fundmi, në Kosovë janë publikuar edhe disa përgjime të politikanëve. Mendoni se do të ketë hetime serioze për këtë rast?

Përgjimet e publikuara kanë një vlerë të vetme, ato tregojnë për të disatën herë fytyrën e vërtetë të atyre që qeverisin Kosovën. Sidomos, dëshmojnë para publikut se PDK nuk është grup politik, por mafioz, që e ka kapur shtetin përmes strukturave paralele. Në këto përgjime dallohet se si Hashim Thaçi e Kadri Veseli, përmes Adem Grabovcit, emërojnë gjyqtarë e prokurorë, drejtorë e anëtarë bordesh, dhe tallen e bëjnë skema me ambasadorë e njerëz të medias. Kuptohet, këta që e kanë kapur shtetin e që i kanë emëruar vetë prokurorët e gjykatësit, nuk ka se si të gjykohen prej tyre. Vetë kryeprokurori u shpreh publikisht se përgjimet nuk përbëjnë bazë për hetim, pasi janë të vitit 2011, pra i ka kaluar koha. Po ashtu ambasadorët nuk i kanë komentuar këto përgjime, duke lënë të kuptohet se nuk e kanë problem të kenë partneritet me mafiozë e të korruptuar, për sa kohë ata janë gati të shesin gjithçka për të mbetur në pushtet. Kuptojeni vetë se sa joserioze është situata institucionale. Joserioze, por tragjike, fatkeqësisht. Zaten, aty ku s’ka demokraci qytetare e institucionale dhe zhvillim social e ekonomik, drejtësia ngjan vetëm si aksident.

Megjithatë, publikimi i këtyre përgjimeve nuk do të shkojë dëm. Ne tashmë kemi filluar të punojmë me qytetarët, e të organizohemi për angazhimet politike protestuese, të cilat janë të domosdoshme në vendet ku drejtësia nuk e bën punën e saj.

SHKARKO APP