Aleatët e Bashës: S’ka pakt PD-PS, marrëveshje vetëm pozitë-opozitë
Flasin përfaqësuesit e aleatëve të Partisë Demokratike, Petrit Vasili, Fatmir Mediu, Mesila Doda, Agron Duka dhe ndard Nard Ndoka
Prej një javë në media flitet për një marrëveshje mes kreut të PD-së, Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama. Në disa media afër PS-së, thuhet se palët janë drejt një pakti, ndërsa në të tjera shumë më afër Kryeministrisë, pa dhënë asnjë fakt konkret, thuhet “se pazari është mbyllur”. Nga radhët e kryeministrit nuk pranojnë të flasin konkretisht, pasi duket se u pëlqejnë thashethemet që tregojnë se Rama e ka nën kontroll lojën. Vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha në një reagim në Twitter ditën e enjte e cilësoi skenarin e marrëveshjes si pjesë të manipulimeve nga oligarkët mediatikë të lidhur me Edi Ramën. Ish-kryeministri Sali Berisha jo vetëm e mohoi, por foli dhe për të ardhmen kur tha se një pakt apo “koalicion mes PD dhe PS do të ishte varrosje e demokracisë”.
Thashethemet dhe lajmet e rreme duket se janë kthyer edhe në një model të ri i të bërit politikë në kohën e Rilindjes, ndaj për të kuptuar më shumë se çfarë po ndodhë mes opozitës dhe mazhorancës, “Koha Jonë” pyeti aleatët kryesorë të Partisë Demokratike dhe Frontit Opozitar.
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili thotë se nuk ka asnjë negociatë mes PD dhe PS, ndërsa shton se marrëveshja e PD me aleatët e saj është që çdo komunikim do të jetë mes opozitës dhe pozitës. “Opozita e bashkuar ka nënshkruar një marrëveshje politike, prandaj çdo komunikim përsa i takon opozitës do të jetë si opozitë, ndërsa pozita dihet që ka vetëm rilindjen dhe asnjë forcë tjetër politike”,– deklaron Petrit Vasili.
Fatmir Mediu, aleati historik i Partisë Demokratike thotë se nuk ka asnjë dijeni për një marrëveshje të tillë. Ai thekson se “negociatat duhet të jenë pozitë-opozite me praninë ndërkombëtare sa më shpejt. Se si do përfaqësohet opozita dhe kush janë qëndrimet e saj duhet të vendosim së bashku”.
Po ashtu dhe kreu i PAA-së, Agron Duka paraqet një sërë argumentesh se përse kriza aktuale politike nuk mund të zgjidhet më sipas vullneti të dy liderëve politikë, Basha-Rama. Duka shprehet se pa dënimin e krimeve zgjedhore palët nuk kanë çfarë të diskutojnë dhe mbi të gjitha nuk duhet të përsërisin gabimet e vitit 2017. “Duke pasur parasysh edhe eksperiencat negative të vitit 2017, mosreflektimin e kryeministrit për fajet me të cilat është mbuluar menaxhimi i zgjedhjeve gjatë mandatit të tij, opozita nuk do ta pranojë Ramën si interlokutor për zgjidhjen e krizës. Prandaj, kur të vijë koha për t’u marrë vesh, dhe do të hartohen ato reforma të domosdoshme për tejkalimin përfundimtar të tranzicionit, kjo mund dhe duhet të bëhet nga grupe negociatore të mazhorancës dhe opozitës, nën monitorimin e ndërkombëtarëve”,- deklaron kreu i PAA.
Mesila Doda, Sekretare e Përgjithshme e PDIU deklaron se një marrëveshje mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës nuk i shërben zgjidhjes së krizës, por vetëm kryeministrit dhe Rilindjes. Sipas saj, politika e kulisave dhe prapaskenave vetëm sa fut vendin edhe më tepër në krizë. “I vetmi pakt që i duhet vendit janë zgjedhje të reja e pa ndikime të krimit. Kjo është kryefjala e cilitdo qytetari normal, ndërsa politika e kulisave është e denjë vetëm për ato individë që kërkojnë të nxisin ndasitë sociale, e të përzënë Shqiptaret nga ky vend …”,- thotë për “Koha Jonë”, Mesila Doda.
Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka është i sigurt se nuk ka asnjë negociatë mes Bashës dhe Ramës dhe aq më pak të jetë arritur marrëveshje. Duke i cilësuar si lajme të prodhuara nga propaganda e qeverisë, Ndoka thotë se opozita nuk ka ndryshuar asnjë qëndrim lidhur me kërkesat e saj për zgjedhje pa Edi Ramën. “Jam i sigurt se nuk ka negociata mes PS e PD, por thjesht lajme të prodhuara nga makineria e propagandës së rilindjes; për të demotivuar mbështetësit e opozitës dhe për të krijuar diversion mes koalicionit opozitar”,- deklaron Nard Ndoka.
Të gjithë përfaqësuesit e partive aleatët e Bashës mohojnë të ketë negociatat dhe aq më pak marrëveshje mes Bashës dhe Ramës. Gjithashtu, i kujtojnë kreut të PD-së, se çdo hap që do të hidhet drejt marrëveshjes duhet të jetë mes opozitës dhe mazhorancës dhe jo individual.